E premte, 19 Korrik, 2024

BARRIERAT QË PAMUNDËSOJNË VETËREALIZIMIN E TË RINJVE NË HAPËSIRËN PUBLIKE

Liria e të rinjve për të qenë pjesë e hapësirës publike dhe për të zhvilluar një ndjenjë përkatësie apo për të krijuar një lidhje me këto hapësira është kritike, për zhvillimin e tyre fizik, social, kognitiv dhe emocional. Të rinjtë e vendit tona janë dekor forumesh e tubimesh. Të rrallë janë ata që arrijnë të ngjiten në piramidën sociale në saje të seniorëve që detektojnë vlerat. Ka studentë ekselentë që sillen vërdallë dhe s’gjejnë vend me doktorata, ndërsa të përkëdhelurit dhe djemtë e vajzat e dikujt nga ‘elitarët’ aterojnë në ministri, institucione, agjenci, akademi ku s’kanë çfarë të thonë, sepse s’janë gatuar për ato pozicione dhe profesione të tilla”, thotë sociologu Ali Pajaziti. Ndërsa politikologu Qani Nuhiu, thotë se të rinjtë duhet të luftojnë për të formuar mendimiet e tyre për çështje të ndryshme sociale dhe politike, për të gjetur rrugën e tyre në këtë vend, dhe për të qenë prijës të shoqërisë sonë

 Shkruan: Puhiza Osmani

Në shoqërinë ku po jetojmë, është shumë e rëndësishme që fëmijët dhe të rinjtë të kenë mundësinë të marrin pjesë vërtet në planifikimin e hapësirave publike dhe të merren parasysh nevojat e tyre në krijimin e sferës publike. Duhet gjetur mjetet e duhura për të ndihmuar që komitetet e vendit të ofrojnë mjedise më efektive dhe më gjithëpërfshirëse për të rinjtë, si dhe integrimin e të rinjve në mënyrë të drejtpërdrejt në proceset e kërkimit dhe të projektimit që lidhen me sferën publike.

Sociologu Ali Pajaziti, thotë se të rinjtë gjatë kërkimit të hapësirave për vetërealizim përballen me barriera të ndryshme, pra me padrejtësi të shumta sociale të cilat krijojnë kushte që ndikojnë negativisht në shëndetin e të rinjve në shoqëri. Ato u mohojnë të rinjve mundësitë e barabarta për të përmbushur nevojat e tyre themelore njerëzore. Sipas tij, kjo shkel të drejtat themelore të njeriut, si dhe përfaqëson mungesë drejtësie ose barazie.

“Të rinjtë në vendin tonë janë në kërkim të hapësirës për shprehje të vetes, për ekspozim të kapaciteteve të veta, për vetërealizim, ndërkohë që përballen me barriera të natyrave të ndryshme, duke filluar nga pamundësitë ekonomike: talentet mbeten në prapaskenë se s’kanë financa dhe bëhen pjesë e humbëtirës, sociale-politike: mediokriteti i shndërruar në ‘ligj të xhunglës ballkanike’ ku mbijetojnë dhe avancohen kategoritë e telefonatave dhe fashikujve që vijnë prej lartë dhe barrierat konceptuale-filozofike: ‘S’bëhemi kurrën e kurrës’, që prodhon një defetizëm juvenil”, thotë Pajaziti.

Sipas Pajazitit, fenomenet e “nepotizmit” dhe “favoritizmit” vërehen shpesh tek të rinjtë në vendin tonë, duke u shoqëruar zakonisht me padrejtësi të mëdha në sektorin publik dhe abuzimin e burimeve publike.

“Të rinjtë e vendit tona janë dekor forumesh e tubimesh. Të rrallë janë ata që arrijnë të ngjiten në piramidën sociale në saje të seniorëve që detektojnë vlerat. Ka studentë ekselentë që sillen vërdallë dhe s’gjejnë vend me doktorata, ndërsa të përkëdhelurit dhe djemtë e vajzat e dikujt nga ‘elitarët’ aterojnë në ministri, institucione, agjenci, akademi ku s’kanë çfarë të thonë, sepse s’janë gatuar për ato pozicione dhe profesione të tilla. Nganjëherë s’mund t’u besojmë veshëve kur dëgjojmë se x-i  i dyshave është bërë pjesë e sistemit arsimor dhe evaluon fëmijët tanë. Ata që se ndihmojnë të mirën janë përgjegjës për disfatat tona në fusha të ndryshme të jetës. Sot faj s’na ka tjetri, fajin e kemi vetë. Sot kemi sovranitet në shumë instanca dhe atë e keqpërdorim duke vrarë shpresën. Anijes po ia bëjmë vrimën me duart tona”, tha Pajaziti

Politikologu Qani Nuhiu, thotë se të rinjtë duhet të luftojnë për të formuar mendimiet e tyre për çështje të ndryshme sociale dhe politike, për të gjetur rrugën e tyre në këtë vend, dhe për të qenë prijës të shoqërisë sonë. Sipas tij, ndjenja e përkatësie për vendin tonë, ndihmon për të zhvilluar dhe formësuar vlerat dhe vendimet e jetës së një të riu, ndërsa ata ndërmarrin hapa drejt pavarësisë sociale dhe financiare.

“Në lidhje me pozitën e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në shoqërinë shqiptare, kam mendimin se rinia si pjesë më vitale e shoqërisë duhet të paraqitet me zë më kritik në shoqëri, që të mund të pasqyrohet si faktor më autonom, në lidhje me kërkesat, nevojat dhe synimet e saj. Pra me një fjalë duhet të jenë një avangard e shoqërisë, që duhet ta prijë edhe me ide, edhe me ushtrimin e kërkesave të tyre, por edhe të jenë zëri më kritik për atë që nuk bën, pra për institucionet dhe shoqërinë në tërësi, e jo thjesht të bëhet konformistë dhe të pajtohet me një gjendje të caktuar. Gjithashtu kur ballafaqohet me sfida, si për shembull ta evitojë migrimin nga vendi e kështu me radhë, pra duhet vetë që të shtrojë idetë e veta, edhe në momente kur janë të angazhuar për partitë politike, gjithë sesi që duhet të paraqiten edhe nëpër partitë politike si faktorë, duke shtruar idetë dhe kërkesat e tyre. Pra si fillim për perspektivë, për punësim, për afirmim profesional, për një jetë më dinjitoze dhe për një drejtësi në sistemin gjygjësor, dhe në përgjithësi për një shoqëri me standarde më të larta demokratike, që të kemi një perspektivë dhe ta shohin veten dhe ardhmërinë në këtë vend”, thotë Nuhiu.

Sipas analizave të bëra nga UNICEF, për situatën e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, të rinjtë karakterizohen nga ndjenja e përjashtimit dhe mundësitë e kufizuara për të pasur një zë në formësimin e së ardhmes së vendit të tyre. Statistikat kanë treguar se grupi më pak i rëndësishëm për të rinjtë është “të jenë politikisht aktivë” dhe të marrin pjesë në aktivitete dhe iniciativa të shoqërisë civile. Pra edhe pse të rinjtë e njohin rëndësinë e partive politike në kontrollin e opsioneve të arsimit dhe punësimit, ata nuk i konsiderojnë partitë ose politikën, si të rëndësishme për vlerat e tyre ose ndjenjat e përfshirjes sociale.

Gjithashtu sipas studimeve të bëra nga UNICEF, dëshira e të rinjve për të migruar është statistikisht më e fortë tek ata që janë të papunë, tek shoqëria shqiptare dhe minoritete të tjera etnike. Kjo sfidë kërkon bashkëpunim mes qeverisë dhe shoqërisë civile, si dhe partnerëve të tjerë që ndikojnë në zhvillimin e sferës publike për të frenuar valën e largimit të të rinjve në vendet që ata i perceptojnë si më të lira nga këto kufizime.

 

 

Të fundit