Kovaçevski më 9 nëntor publikisht e kishte uruar Abazin për zgjedhjen si njeri i parë i PTHP ONKK-së. Më 21 nëntor ai deklaroi publikisht se ishte konfuz nga zgjedhja e Abazit dhe se duhen më shumë reforma në drejtësi. Kryeministrit iu deshën 12 ditë për të kuptuar se çfarë ka thënë dhe të ndërrojë mendje.
Shkruan: Katerina Topallova
Evoluimi i mendimeve individuale është pjesë e rritjes së një individi. Është krejt normale nëse keni pasur një mendim dhe më vonë, bazuar në prova, fakte, biseda dhe debate, e kuptoni se në fakt e keni gabim dhe ndryshoni mendimin tuaj. Kështu zhvillohen njerëzit dhe shoqëritë.
Por a vlen kjo edhe për udhëheqësit që drejtojnë vendet? A është normale nëse kryeministri ndryshon mendimin e tij në më pak se dy javë pa i shpjeguar publikut se si erdhi në një pozicion të ndryshuar, kush e bindi, se në çfarë bazohet ndryshimi dhe madje t’i kërkojë falje publikut nëse me mendimin e tij të gabuar ka mashtruar qytetarët.
Të jesh kryeministër nuk është vetëm të kesh privilegje të caktuara. Është një pozitë me përgjegjësi serioze dhe kështu duhet të sillet Kovaçevski. Kryeministri nuk duhet ta lejojë veten të ndjekë në heshtje një zgjedhje të caktuar, është akoma më e lehtë të dalë para kamerave dhe të dërgojë urime dhe tashmë pas 12 ditëve të thotë se zgjedhja për të është e dyshimtë.
Si kështu zoti kryeministër? Pse dyshoni? Kjo është një fyerje e rëndë për Abazin dhe njerëzit që e zgjodhën, por është një fyerje edhe më e rëndë për qytetarët të cilëve u shërbeni.
Sa këshilltarë keni pranë jush? A iu deshën 12 ditë për të ndjekur, hetuar dhe konkluduar se kryeministri duhet të dyshojë në zgjedhjen dhe cilësitë e Abazit? Kush ju bindi kryeministër që të dilni para gjithë publikut me një mesazh urimi apo të shfaqeni me deklaratën se zgjedhja për ju është e dyshimtë?
Është e qartë se qytetarët maqedonas kanë shqetësime të përditshme se si ta kalojnë ditën dhe se nuk mund të vënë në rend të parë të shqetësimit mospërputhjen e deklaratave të kryeministrit në një temë të rëndësishme dhe të reagojnë fuqishëm. Nëse kjo do të ndodhte në një shoqëri moderne dhe të zhvilluar, do të kishit një problem edhe më serioz për të shpjeguar se çfarë e shkaktoi ndryshimin e medimit tuaj.
Por për zgjedhjen e Abazit vrapuan për të uruar dhe mbrojtur jo vetëm kryeministrin, por edhe shumë intelektualë, aktorë të njohur në shoqëri, emra të respektuar, të cilët dyshimin e shumicës së publikut për zgjedhjen e Abazit e cilësuan si histeri sepse ishte shqiptar, sepse ishte nga i njëjti fshat me Ahmetin dhe na bindën se duhet t’i jepej një shans.
Të gjitha kolumnet dhe statuset ranë në heshtje pas deklaratës së shkurtër të ambasadores së re të SHBA-ve. Me dy fjali i heshti të gjithë intelektualët e zhurmshëm që u përpoqën zgjedhjen e Abazit ta zhvendosin nën ombrellën e nacionalizmit.
Ky është një tregues tjetër kur duhet të pyesim veten dhe të jemi të sinqertë me veten se çfarë lloj vendi duam të ndërtojmë? Çfarë na duhet në fakt dhe kundër çfarë gjëje po luftojmë?!