E diel, 27 Prill, 2025

KONFERENCË MBARËKOMBËTARE SHKENCORE “ NJË KOMB-NJË GJUHË”

Në vazhdën e manifestimeve kulturore-shkencore “Ditët e Alfabetit”, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, është mbajtur konferenca mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”. “Në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ne lidhëm memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës, që këtë jubile të madh të gjuhës e të kombit tonë ta shënojmë bashkërisht dhe kështu të dalim përtej kufijve politikë, duke ndërtuar ura kulturore e shkencore, ashtu siç kemi vepruar edhe para 50 vjetëve me vendosjen e gjuhës standarde. Rrjedhimisht, konferenca e sotme është fryt i këtij bashkëpunimi”, ka theksuar drejtori i ITSHKSH-së, Skënder Asani.

Shkruan: Eljesa Dervishi

22 Nëntori është edhe ditëlindja e Institutit, që këtë vit shënon 15 vjet, gjithashtu manifestimet kulturore-shkencore “Ditët e Alfabetit”, sivjet ka shënuar edicionin e katër të saj, ndërsa duke qenë dita e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit, kjo datë në Maqedoninë e Veriut është festë shtetërore për shqiptarët e këtij vendi.

Konferenca shkencore është organizuar nga tri institucionet shkencore si motra të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit: Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Në fjalimin e tij, drejtori i ITSHK-së Skënder Asani, u shpreh se është i nderuar që ky aktivitet shkencor mbarëkombëtar po shpaloset në Shkup dhe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, ku punët e mbara nisen nga Shkupi, dhe kështu ka qenë që nga viti 1912-të.

“Të nderuar, duke qenë në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ne lidhëm memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe Institutin Albanologjik të Prishtinës, që këtë jubile të madh të gjuhës e të kombit tonë ta shënojmë bashkërisht dhe kështu do dalim përtej kufijve politikë, duke ndërtuar ura kulturore e shkencore, ashti siç kemi vepruar edhe para 50-vjetëve me vendosjen e gjuhës standarde. Rrjedhimisht, konferenca e sotme është fryt i këtij bashkëpunimi. Ne jemi marrë vesh që konferenca ta ketë temën e njëjte dhe ajo të jetë e ndarë në tri sesione, madje përveç kësaj, në secilin sesion të kemi nga dy pjesëmarrës të ndryshëm nga institucionet përkatëse të Tiranës”, ka theksuar Asani.

Ai në vazhdim ka folur edhe mbi rëndësinë e Kongresit të Drejtshkrimit, që sipas tij përfaqëson ngjarjen më të rëndësishme të ndërtimit të kombit.

 Prandaj, unë sot jam i nderuar që në mesin tonë, sot në Shkup e nesër në Prishtinë, e kemi një profesor nga Tirana që vetë ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit, duke kumtuar pikërisht për gjuhën standarde. E kur jemi te gjuha standarde, do të më lejoni të flas si historian. Atë që nuk e përmbushi Lidhja e Prizrenit, respektivisht Shoqëria e Shtypur Shkronja Shqip, atë që nuk e mbylli as Kongresi i Manastirit me temën e alfabetit, e bëri pikërisht Kongresi i Drejtshkrimit me unifikimin e gjuhës standarde, që më shumë se zgjidhje e një problemi gjuhësor, ishte zgjidhje e një problemi historik. Një komb i ndarë në baza fetare, krahinore, por edhe politike, të cilit historia ia ka fragmentuar edhe gjeografinë, më në fund gjeti elementin që do ta lidhte dhe do ta njësonte. Prandaj, shikuar në këtë kontekst, Kongresi i Drejtshkrimit bëhet mbase pika më e rëndësishme e ndërtimit të kombit tonë”, u shpreh Asani.

Po ashtu, në përfundimin e fjalimit të tij Asani iu ka uruar të gjithë shqiptarëve këtë festë dhe theksoi se kjo datë, për ne është jo më pak e rëndësishme, ku sivjet bëhen 15 vjet që nga themelimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

“Duke qenë në ditën e fundit të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, që sivjet ka shënuar edicionin e katërt, dua t’ju them se këto ditë, që tashme janë tradicionale të albanologjisë te ne, ndërsa janë emërtuar me emrin e alfabetit dhe janë vendosur në ditët kur është mbajtur Kongresi i Manastirit, këtë vit u janë kushtuar albanologëve gjermanë, që kanë dhënë kontributin e jashtëzakonshëm për avancimin e gjuhësisë sonë. E duke qenë në ditën kur edhe zyrtarisht shënohet Kongresi i Alfabetit, që është një festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut, do të më lejoni që prej këtu t’ua uroj të gjithë shqiptarëve këtë festë dhe të uroj që kjo kremte dhe ky kongres të  jenë udhërrëfyes të angazhimit të përditshëm shkencor e kulturor. Nëse do të isha subjektiv, do të thosa që shqiptarët e vetëm që këtë festë e kanë të sanksionuar me ligj jemi pikërisht ne dhe kjo na bën të ndjehemi mirë dhe të mburremi që festa jonë është e lidhur ngushtë me shkrimin, me dijen dhe me librin. Kjo datë, ky përvjetor dhe kjo ditë është e lidhur pandashëm edhe me një jubile që për ne është jo më pak i rëndësishëm. Sivjet bëhen 15 vjet që nga themelimi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, që pa ekzagjeruar do të thosha se i ka dhënë trajtë tjetër identitetit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksoi Skënder Asani.

 

 

 

Të fundit