E hënë, 21 Prill, 2025

“PARANOJAT” E TRASHËGUARA, SHQIPTARËT PRIVOHEN NGA E DREJTA PËR SHTETËSI

Shumë shqiptarë me vite të tëra janë privuar nga e drejta e shtetësisë, e cila është e drejtë themelore e njeriut. Nga ana tjetër zyrtarët e ANB-së kanë dhënë miratim për nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut për Oleksandar Onishçenkun, për të cilin ka fletarrest kombëtar dhe që është në listën e zezë të SHBA-së. Analisti politik Sefer Selimi thotë se me këtë rast ANB ka treguar mangësi sa i përket funksionimit të drejtë të strukturave të saj kur bëhet fjalë për shqiptarët. Sipas tij, rasti i fundit nuk nxjerr në pah vetëm boshllëqet eventuale ligjore apo lëshimin njerëzor në sistem, kjo mund të jetë indicie që brenda agjencisë vazhdojnë të operojnë struktura që nuk janë në përputhje me orientimin strategjik të shtetit.

Shkruan: Puhiza Osmani

E drejta për shtetësi nënkupton të drejtën e çdo individi për të fituar, ndryshuar dhe mbajtur një shtetësi. E drejta ndërkombëtare parashikon se e drejta e shteteve për të vendosur se cilët janë shtetasit e tyre nuk është absolute dhe, në veçanti, shtetet duhet të respektojnë detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut në lidhje me dhënien dhe humbjen e shtetësisë.

Shumë shqiptarëve sot në Maqedoninë e Veriut iu ndalohet marrja e shtetësisë, pasi që cilësohen si të rrezikshëm për sigurinë e vendit. Përveç shkeljeve të së drejtës së tyre për një shtetësi, personat pa shtetësi shpesh janë subjekt i shumë shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut. Ata mund të kenë vështirësi në aksesin e të drejtave themelore si arsimi, kujdesi shëndetësor, punësimi dhe liria e lëvizjes.

Përderisa shqiptarëve u mohohet e drejta e shtetësisë në Maqedoninë e Veriut, ukrainasi Onishchenko i cili akuzohet për marrëveshje korruptive në Ukrainë dhe i përfshirë në “listën e zezë” amerikane, është bërë shtetas i Maqedonisë si sportist me propozimin e Federatës së Kuajve, pasi ka marrë mendim pozitiv nga të gjitha institucionet kompetente.

Kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Viktor Dimovski, në lidhje me rastin e Oleksandër Onishçenkos, theksoi se nga inspektimit i brendshëm i kryer nga NAS, është konstatua se nuk është respektuar niveli i fundit i inspektimit të sigurisë dhe nuk është bërë asnjë konsultim me partnerët e NATO-s përpara se të jepej një opinion pozitiv.

Analisti politik Sefer Selimi thotë se me këtë rast ANB ka treguar mangësi sa i përket funksionimit të drejtë të strukturave të saj kur bëhet fjalë për shqiptarët. Sipas tij, shqiptarët me këtë rast humbin shumë të drejta, ku përfshihen përfitime ligjore, si e drejta për të votuar, për të mbajtur poste publike, për sigurime shoqërore, për shërbime shëndetësore, për arsimim publik, për qëndrim të përhershëm, për të zotëruar tokë, ose të angazhohen në punësim.

“ANB apo ish DSK punon me dy standarde kur bëhet fjalë për miratimin e aplikimeve për shtetësi në rast se aplikuesi është shqiptar nuk është asgjë e re. Kjo është një praktikë e njohur dhe ashtu si në të kaluarën instrumentalizohet për qëllime politiko-ideologjike që burojnë nga paranoja e trashëguar komuniste, posaçërisht e ndikuar nga mentaliteti shovinist serb, se ‘shqiptarët janë të rrezikshëm për shtetin’. Rasti i fundit nuk nxjerr në pah vetëm boshllëqet eventuale ligjore apo lëshimin njerëzor në sistem, kjo mund të jetë indicie që brenda agjencisë vazhdojnë të operojnë struktura që nuk janë në përputhje me orientimin strategjik të shtetit, andaj një analizë dhe hetim më i thellë nga përgjegjësit duhet të japin përgjigje të saktë për këtë”, tha Selimi.

 

 

Të fundit