E premte, 12 Korrik, 2024

KOMITETI PËR MBROJTJEN E GAZETARËVE VLERËSON PUNËN E VËSHTIRË TË MEDIAS

Drejtuesja e gazetës investigative ukrainase “Ukrainska Pravda” është ndër gazetarët e vlerësuar për kontributin e tyre të guximshëm gjatë vitit 2022 me një çmim ndërkombëtar për lirinë e shtypit nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

E njohur për raportimet nga vijat e para të frontit të agresionit rus në Ukrainë, Sevgil Musaieva u nderua të enjten për “punën e saj të palodhur” për mbajtjen të sigurtë të ekipit të gazetës “Ukrainska Pravda” dhe informimin e vendit.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës në Varshavë të Polonisë, javën e kaluar, gazetarja Musaieva tha se çmimi i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve është vlerësim i përpjekjeve të mediave të pavarura anembanë Ukrainës. Lufta ka ndryshuar mënyrën e funksionimit të gazetës investigative.

“Para kësaj lufte ishim të përqendruar tek çështjet e brendshme, si politika dhe korrupsioni. Gazeta bëri shumë hulumtime për zyrtarë të nivelit të lartë dhe reformat në vend. Por puna jonë ka ndryshuar në mënyrë dramatike, sepse 90% e raportimeve tona tani janë për luftën dhe mbulimin e ngjarjeve nga vija e parë e frontit”.

Roli i rëndësishëm i mediave të pavarura në nivel global u vlerësua gjatë një ceremonie në Nju Jork për Çmimet Ndërkombëtare për Lirinë e Shtypit.

Zëri i Amerikës bisedoi me koordinatoren e programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve për Evropën dhe Azinë Qendrore, Gulnoza Said.

“Ne duam të vlerësojmë luftën e gazetarëve për një liri më të madhe shtypi në vendet e tyre, punën e tyre dhe të ekipeve të tyre. Këtë vit, zgjedhja ishte shumë e qartë. Kuptohet që një nga çmimet duhet t’i shkonte një gazetari ukrainas”.

Mes të vlerësuarve të tjerë ishte dhe blogerja vietnamez Pham Doan Trang, i cili është i burgosur; gazetarja e Kurdistanit në Irak Niyaz Abdullah dhe Abraham Jiménez Enoa nga Kuba.

Zoti Jiménez foli më herët me Zërin e Amerikës në Barcelonë lidhur me trysninë ndaj tij për mbulimin e të drejtave të njeriut dhe opozitës. Autoritetet e Havanës e arrestuan zotin Jiménez, e detyruan të bënte deklarata të rreme në televizion se ishte agjent i CIA-s dhe në fund i dhanë një ultimatum.

“Qeveria më telefonoi dhe më tha se duhej të largohesha nga vendi, ose do të më burgosnin dhe do të krijonin probleme për familjen time”.

Ai thotë se nuk është penduar për punën e tij, edhe pse e detyruan të linte vendin.

“I bëra pyetjen vetes nëse të dashurit e mi po ndikoheshin nga kjo. U ndjeva fajtor. Por vazhdova të them të vërtetën sepse (qeveria) po vazhdonte shtypjen”.

E përkushtuar ndaj së drejtës së medias për të raportuar, gazetarja ukrainase Sevgil Musaieva kujton intervistat me njerëzit e bllokuar në qytetet e bllokuara nga rusët.

“Ata më thanë se pjesa më e vështirë gjatë okupimit nuk ishte mungesa e bukës, rrymës apo ujit. Sfida kryesore, më thanë ata, ishte pamundësia për t’u informuar”.

Ndërsa trupat ruse janë tërhequr nga qyteti Kherson, ukrainasit do të mbështeten më shumë tek gazetarët si Musaeiva për t’i treguar botës se çfarë po ndodh.

Të fundit