E enjte, 18 Korrik, 2024

GJYKATA HOLANDEZE KONFIRMON SE AVIONI CIVIL MH17 U RRËZUA NGA NJË RAKETË RUSE

Avioni civil i linjës malajziane MH17 u rrëzua nga një raketë e tipit Buk e lëshuar nga Pervomaisku, një lokalitet në rajonin e Luhanskut. Në kohën e rrëzimit territori ndodhej nën kontrollin e militantëve separatistë pro-rusë.

Kjo është pjesa e parë e vendimit përfundimtar për rrëzimin e avionit malajzian më 14 korrik 2014, lëshuar nga gjykata holandeze e ngritur pranë aeroportit Shiphol të Amsterdamit.

“Fragmentet e raketës Buk të gjetura në trupat e viktimave janë provë e pakundërshtueshme se ishte pikërisht kjo raketë që shkaktoi rrëzimin e fluturimit”, shpjegoi gjykata.

Mbi këtë ngjarje gjykata holandeze shpalli fajtorë të enjten tre persona dhe liroi një të katërt. Rusët Igor Girkin dhe Sergei Dubinsky dhe ukrainasi Leonid Kharchenko u shpallën fajtorë për vrasje dhe shkaktimin e qëllimshëm të rrëzimit të një avioni, ndërsa rusi Oleg Pulatov u shpall i pafajshëm.

Tetë vjet më parë, fluturimi MH17 i Malaysia Airlines u rrëzua derisa fluturonte mbi Ukrainën lindore.

Boeing 777 po transportonte 283 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa ata udhëtonin nga Amsterdami për në Kuala Lumpur më 17 korrik 2014.

Aeroplani u godit nga një raketë ruse tokë-ajër dhe vrau të gjithë personat në bord.

Në qershor 2019, katër persona – tre rusë dhe një ukrainas – u akuzuan për vrasje dhe shkatërrim të një avioni civil.

Gjyqi për vrasjen e tyre filloi në mars 2020 në Holandë dhe të enjten, më 17 nëntor u lexua vendimi për personat e akuzuar për përfshirje në rrëzimin e MH17.

Në mars të këtij viti, Australia dhe Holanda nisën procedurat ligjore në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil kundër Rusisë për rolin e saj në rrëzimin e fluturimit MH17.

Vendet thonë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse sipas nenit 3 të Konventës së Çikagos, i cili dekreton se shtetet “duhet të përmbahen nga përdorimi i armëve kundër avionëve civilë në fluturim”.

Ka disa procese të tjera ligjore në vazhdim që janë iniciuar nga shtete ose individë brenda Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Të fundit