E premte, 12 Korrik, 2024

A MBETET RAJONI NË NJË SITUATË TË BRISHTË SIGURIE?

Tensionet në Kosovë edhe njëherë kanë ngritur çështjen e sigurisë në rajonin e brishtë të Ballkanit Perëndimor. Analisti politik Rizvan Sulejmani thotë se ngjarjet konfliktuale në Kosovë përveç faktit që kërcënojnë sigurinë e vendit atje, në mënyrë indirekte ndikojnë në përgjithësi edhe në sigurinë e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera të Ballkanit. Sipas tij, skenari më i keq i mundshëm do të ishte nëse në këtë situatë kur kemi një zonë të zbrazët të pa mbuluar, ku nuk funksionon asnjë lloj pushteti, në atë zonë të bëhet përpjekje të inskenohet një lloj preteksti që Serbia të futej drejtpërdrejt në territorin e Kosovës. Ai thotë se qeveria e Kosovës duhet të punojë më tepër për të “joshur” serbët e Kosovës.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Dialogu Kosovë-Serbi i nisur një dekadë më parë ka shënuar hapa shumë të vegjël evoluimi. Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë asnjë hap drejt njohjes reciproke dhe qëndrimet e palëve duken krejtësisht të ndryshme për çështjen kryesore që është njohja direkte apo njohja indirekte e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Konflikti po zgjerohet akoma dhe më shumë, por pavarësisht refuzimeve të planit franko-gjerman nga pala serbe dhe braktisja e institucioneve të Kosovës nga serbët në veri, me sa duket ky plani është ende në tryezën e bisedimeve.

Analisti politik Rizvan Sulejmani thotë se ngjarjet konfliktuale në Kosovë përveç faktit që kërcënojnë sigurinë e vendit atje, në mënyrë indirekte ndikojnë në përgjithësi edhe në sigurinë e Maqedonisë së Veriut, dhe vendeve tjera të Ballkanit.

“Ngjarjet në Mitrovicë janë të planifikuara prej institucioneve, prej shteteve relevante si të rrezikshme për sigurinë e shtetit të Kosovës por edhe të Serbisë, dhe në mënyrë indirekte ndikojnë në përgjithësi në shtetet tjera në Ballkan. Vetë fakti që gjenerohen lajme të pasigurisë që ndodhin në shtetet fqinje të Maqedonisë së Veriut, kjo është sinjal për regjionin se situata nuk është në favor të gjithë atyre që mendojnë se duhet investuar apo duhet inkuadruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe më gjerë në regjion. Megjithatë problemet në Ballkan nuk janë mbyllur sikur kemi konflikt të ngrirë edhe më tutje në Kosovë, dhe pa zgjidhjen definitive të statusit përfundimtar të Kosovës, për një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës paqja në regjion nuk do të jetë e garantuar”, tha Sulejmani.

Sipas Sulejmanit skenari më i keq i mundshëm ka gjasa të paraqitet, nëse në këtë zonë të Kosovës aktorët kryesorë politikë shprehnin synime politike që mund të ngjallin konflikte dhe që nuk mund të arrihen njëkohësisht dhe si të tilla mund të cilësohen si reciprokisht përjashtuese.

“Skenari më i keq i mundshëm mund të paraqitet nëse në këtë situatë kur kemi një zonë të zbrazët të pa mbuluar, ku nuk funksionon asnjë lloj pushteti, në atë zonë të bëhet përpjekje të shpallet një farë republike brenda Kosovës të tentohet të ndërtohet një qeveri paralele në atë pjesë të serbëve në Kosovë. Ai do kishte qenë një rast shumë i keq edhe më i keq ndoshta sikur Serbia të bëjë përpjekje që me ndonjë inskenim të ndonjë situate ku p.sh. do të kishte ndodhur ndonjë ngjarje ku ndonjë prej civilëve serb do të kishte humbur jetën dhe do të përdorej si pretekst që Serbia të futet drejtpërdrejt në territorin e Kosovës”, tha Sulejmani.

Sulejmani gjithashtu u shpreh se çështja me targat e makinave ka qenë veç një shkak, ndërkohë që në të vërtetë paraqitet një keqmenaxhim me situatën edhe nga ana e Kosovës normalisht edhe nga ana e Serbisë. Sipas tij qeveria e Kurtit nuk diti që t’i menaxhojë proklamimet që të dialogojë me serbët e Kosovës e jo me Serbinë.

“Që ti menaxhosh serbët e brendshëm, t’i zgjidhësh problemet e civilëve serb duhet të ishin pjesë përbërëse e programit qeveritar. Jo të proklamohet ideja se unë kam 51 për qind dhe bëj qeveri pa serbët. Ai është një sinjal shumë i keq dhe menaxhim shumë i keq i situatës me shtetet multietnike. Që të mund t’i bësh për vete që serbët ta pranojnë sovranitetin e Kosovës ata duhet joshur me diçka, çmimi më i lirë është joshja me pushtet, p.sh. sot rasti më i mirë është në Maqedoninë e Veriut për shqiptarët, të cilët më së shumti e mbrojnë Maqedoninë e Veriut ngase për së pari herë edhe kanë pushtet më shumë se sa realisht që janë. Është dyfishuar fuqia e tyre politike në pushtet. Lojaliteti përkrah shtetit dhe interesimi i shqiptarëve sot është më i madh se kurdoherë. Nëse kërkoni lojalitet ndaj shtetit të Kosovës ju duhet t’i joshni ata me diçka, më e keqja është t’i joshin me territor sepse 5 për qind edhe sikur ta dyfishoni fuqinë e tyre në pushtet ata janë vetëm 10 për qind dhe nuk e rrezikojnë si të tillë Kosovën dhe sovranitetin e saj. Por territorializimi e rrezikon. Mendoj se aty është bërë gabim në hapa, normalisht që Serbia këtë e shfrytëzon edhe për qëllime të brendshme, edhe për pazare më të gjera edhe për pazaret e brendshme të partive politike, Vuçiçi kryesisht, por edhe propagandat më të mëdha për pozicionim gjeopolitik në regjion dhe më gjer në proceset integruese”, tha Sulejmani.

Ky dialog mund të kalojë në pak më shumë sesa në atë që diplomatët e quajnë “një hap konstruktiv”. Por gjithsesi, ka mundësi që kriza e radhës, e cila ka të ngjarë të jetë e pashmangshme, është duke e kërcënuar vazhdimisht sigurinë e banorëve të Ballkanit Perëndimor.

 

Të fundit