E mërkurë, 24 Korrik, 2024

POLITIKOLOGU KROAT: “BALLKANI I HAPUR” FORMË E RREZIKSHME PËR KAOS

“Ashtu si “Bota ruse” nuk është kompatibile me idenë evropiane të bashkëpunimit të barabartë të bazuar në kufij të pandryshueshëm, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, nuk është as “bota serbe””. Kështu ka deklaruar për portalin e pavarur serb Autonomija.info, Davor Gjenero, politikolog i njohur nga Zagrebi. Në një bashkëbisedim me gazetaren Tamara Nikçeviq, ai thotë  se “ politika sunduese në Serbi nuk bën pjesë në vlerat e përbashkëta themelore të integrimit evropian, por pranon paradigmën e Putinit”. Në këtë shtrirje, sikurse transmeton kdpolitik,com, Gjenero komenton edhe idenë për të ashtuquajturin “Ballkan i hapur” të cilin e cilëson si një nga format më të rrezikshme të krijimit të kaosit është projekti që disa besonin me naivitet se ishte hartuar sipas vlerave të integrimit evropian.

AUTONOMIJA: Pse Ballkani i Hapur është një projekt kaq i rrezikshëm?

GJENERO: Sepse, fillimisht, nuk bazohet as në parimin e pandryshueshmërisë së kufijve, as në parimin e bashkëpunimit të barabartë të matricës së shteteve në proces, ndërsa është i lidhur fuqimisht me konceptin që regjimi në Beograd e përgatiti siupas yrnekut të regjimit totalitar të Putinit. Fjala është për një version të projektit të Putinit “Bota ruse”, të cilin trabantët e Vuçiqit e reklamojnë si “Bota serbe”. Ashtu si “Bota ruse” nuk është në përputhje me idenë evropiane të bashkëpunimit të barabartë të bazuar në mosndryshimin e kufijve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, ashtu nuk është as “Bota serbe”. Ky projekt është në përputhje me konceptin e KNER-it të ditëve tona, Këshillin Euroaziatik (EAS), i cili bazohet në konceptin e hegjemonisë ruse në raport me shtetet e tjera në aleancë dhe “korrigjimin e mëkateve” nga periudha e modernizimit të Rusisë, kur Gorbaçovi dhe Jelcini dhe bashkëpunëtorët e tyre hoqën dorë nga koncepti “të gjithë rusët në një shtet” në favor të konceptit të një shoqërie të hapur, ekonomisë konkurruese dhe lirive civile.

AUTONOMIJA: Kohë më parë, presidenti Borut Pahor tha se “do të donte ta shihte Vuçiqin si një shtyllë të stabilitetit në rajon”. Pse liderët perëndimorë po i poshtërojnë në këtë mëynrë qytetarët e Ballkanit Perëndimor?

GJENERO: Pahori fatkeqësisht është shembull i inkompetencës së elitës politike evropiane, i mungesës së një vizioni të qartë, reduktimit të kundrimit sipërfaqësor të proceseve në Ballkan dhe i zhvillimit të politikës në përputhje me interesat minore afatshkurtra ekonomike. Më i suksesshëm në lojën me elitën evropiane ishte Milorad Dodik, i cili çirrej fundjavave nëpër tubimet e partisë së tij në favor të interesave ruse, ndërsa gjatë javës  si shef i pushtetit ekzekutiv favorizonte interesat e imta të Perëndimit dhe kështu fitoi simpatinë e elitave politike perëndimore. Pikërisht “Modeli i Dodikut”  ishte baza që Vuçiq të fitonte besimin e kancelares së fuqishme gjermane Angela Merkel. Kur nuk udhëheqin politika dhe nuk zgjedhin partnerë konform vlerave, por sipas interesave afatshkurtra, liderët evropianë gërryejnë atë pak kulturë politike demokratike që ekziston në Ballkan, duke dëmtuar kështu idenë e integrimit evropian si model të stabilizimit të demokracive shpeshherë jofunksionale të paplota në Ballkan.

Ideja kryesore e Vuçiqit është ndarja e Kosovës. Qëllimi i tij është të krijojë diçka që në terminologjinë e Milosheviqit quhej “SAO KOSMET”, ndërsa në zhargonin stalinist të Putinit do të ishte “Republika Popullore e KOSMET”. Krahas kësaj, përveç se në Serbi, askund në Evropë figura që shfaqet me uniformën e paradës së Stalinit dhe që përfaqëson simbolikisht edhe formacionin ushtarak të Putinit – sepse diplomacia për Putinin, si dikur për Stalinin, është vetëm një departament zbulues-spiunnazhi i formacionit të tij të fuqishëm ushtarako-policore – nuk ka akses tek hartuesit e politikave publike.

AUTONOMIJA: E keni fjalën për ambasadorin Bocan-Kharchenko?

GJENERO: Natyrisht. Është e paimagjinueshme që dikush që luan rolin e njeriut të parë të pushtetit përfaqësues të konsultohet me komandantin rus të togës së pavarur të zbulimit.

AUTONOMIJA: Ashiqare gjithë kjo Perëndimit nuk i pengon shumë.

GJENERO: Është e pabesueshme që BE-ja, madje edhe SHBA-ja, pas përvojës që patën me regjimin e Milosheviqit, të cilit gjatë kohë i atribuan fuqimisht rolin stabilizues në Ballkan, duke e shtyrë dënimin e krimit të tij në raport me shtetet  fqinje, tash dhjetë vje tolerojnë politikën e sundimtarit autoritar në Beograd, që është vetëm derivat i politikës së Milosheviqit. Politika mbisunduese në Serbi nuk merr pjesë në vlerat themelore të përbashkëta të integrimit evropian, por pranon paradigmën e Putinit.

AUTONOMIJA: Cilën?

GJENERO: Ideja e ekspansionit të shtetit përtej kufijve të tij, paaftësia që të pranohet parimi  “The State is the Nation  –  që kombi të territorializohet brenda kufijve shtetërorë, çon domosdoshmërisht në politikën e destabilizimit të rajonit çfarë po e zbaton regjimi i Vuçiqit. Është e pabesueshme, them unë, që midis krijuesve të politikës globale  vazhdimisht ekziston një besim se pavarësisht vlerave të tilla dominuese, është e mundur të arrihet një konsensus pragmatik me një regjim të tillë dhe të mbështetet tek ai si tek hegjemoni rajonal i cili ka për të  garantuar stabilitetin. Këtë e bëri sistematikisht politika e Angela Markelit, e cila, meqë ra fjala, i bëri edhe favore të pabesueshme regjimit totalitar të Putinit, duke i mundësuar atij t’i vërë në qafë Evropës dhe mbi të gjitha Gjermanisë lakun energjetik.Kjo është mungesa e kapaciteteve dhe paaftësia për të formuar politika publike afatgjata, që është edhe dobësia më e madhe e BE-së së sotme.

AUTONOMIJA: A shihni  në Serbi një forcë politike të gatshme t’i kundërvihet “

ndikimit malinj” të Moskës?

GJENERO: Në publikun në Serbi gjithmonë janë shquar individë të fuqishëm, me një distancë të guximshme ndaj regjimit dominues jodemokratik. Të tillë ka edhe sot, megjithëse vërehet se edhe ata goxha janë zhgënjyer. Pa një shoqëri të fortë civile, pa lirinë e medias, është e pamundur të imponohen koncepte alternative politike nga sfera e shoqërisë civile, dhe pa parlamentarizëm në kuptimin e plotë të fjalës, pa kushte për pluralizëm politik, është e pamundur të pritet që të ekzistojë alternativë relevante politike, partiake ndaj pushtetit ekzistues. Kjo, nga ana tjetër, ndikon detyrimisht që “pragmatistët” në politikën ndërkombëtare të pranojnë bashkëpunimin me qeverinë antidemokratike, sepse nuk ekziston një alternativë relevante.

Të fundit