Demokratët arritën të mbajnë kontrollin e Senatit, ndërsa gara për Dhomën e Përfaqësuesve është ende e pasigurt, për shkak se votat janë ende duke u numëruar, kryesisht në Bregun Perëndimor Amerikan. Partia Demokratike i kaloi parashikimet në zgjedhje, pasi partitë në pushtet në dekadat e fundit zakonisht i humbnin vendet në Kongres. Republikanët prisnin të ashtuquajturën “valë e kuqe”, kryesisht për shkak të inflacionit të lartë dhe reitingut të ulët të Presidentit Joe Biden, por kjo nuk ndodhi, megjithëse ata mbeten favorit për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton kdpolitik.com, njoftimin e Zërit të Amerikës.
Presidenti amerikan deklaroi të dielën se ishte “jashtëzakonisht i kënaqur” me daljen e votuesve në në zgjedhje, pasi mediat kryesore amerikane, në batzë të votave deri tani të numëruara në shtetin e Nevadës, shpallën senatoren aktuale demokrate Catherine Cortez Masto fituese në këtë shtetit federal, me çka demokratët e Bidenit do të vazhdojnë të kenë kontrollin mbi Senatin amerikan.
Në zgjedhjet e mes të mandatit presidencial të Joe Bidenit, u zgjodhën të 435 anëtarët e Dhomës Përfaqësuese dhe 35 nga gjithsej 100 anëtarët e Senatit, 36 nga 50 guvernatorët, si dhe zyrtarë të tjerë në nivel të shteteve federale.