Gjuha ruan të gjallë historinë, historinë të cilën jo gjithmonë kemi ditur ta ruajmë, duke na bërë të besojmë se nuk kemi histori, apo se historia jonë nuk vlen.Kështu kemi jetuar gjithmonë, me pyetjen e përhershme, a vlejmë? A vlen gjuha?Përse gjithë ky dyshim është dashur gjithmonë të na shoqërojë tash e sa vite.Ne si shqiptarë të Maqedonisë, gjithnjë e kemi pasur urdhër që gjuhën tonë mos e flasim. Të mos e njohim, madje të mos llogaritemi si pjesë e saj. Kjo gjë na ka bërë shumë të vuajtur. Sepse na ka munguar shkollimi, na ka munguar liria e mendimit dhe si rrjedhojë e kësaj na ka munguar dhe liria e të jetuarit. Gjuha mbetet identiteti ynë ngase ajo është liria e vetme që kemi
Shkruan:Nurie Emrullai
Gjuha është subjekt politik, e cila ia fal lirinë një populli. Për ne si popull, me kufij të cilët na ndajnë nga toka jonë, është shumë me rëndësi mbajtja gjallë e gjuhës dhe njohjes së rëndësisë së saj. Gjuha ruan të gjallë historinë, historinë të cilën jo gjithmonë kemi ditur ta ruajmë, duke na bërë të besojmë se nuk kemi histori, apo se historia jonë nuk vlen.
Kështu kemi jetuar gjithmonë, me pyetjen e përhershme, a vlejmë? A vlen gjuha?Përse gjithë ky dyshim është dashur gjithmonë të na shoqërojë tash e sa vite. Ne si shqiptarë të Maqedonisë, gjithnjë e kemi pasur urdhër që gjuhën tonë mos e flasim. Të mos e njohim, madje të mos llogaritemi si pjesë e saj. Kjo gjë na ka bërë shumë të vuajtur. Sepse na ka munguar shkollimi, na ka munguar liria e mendimit dhe si rrjedhojë e kësaj na ka munguar dhe liria e të jetuarit.
Gjuha është ajo e cila ka mbajtur lidhjen tonë midis kufijve. Sikur gjuha të mos ishte midis nesh, mungesa e iformacionit të madh nga ana e vëllezërve tanë matanë kufirit do të na privonte të drejtën që ata të na njihnin ne, përkundër kësaj që ne nuk rreshtëm kurrë së qenuri pjesë e tyre dhe duke u llogaritur përherë pjesë e tyre identitare, kulturore dhe gjuhësore, ashtu siç ka qenë gjithmonë.
Gjuha mbetet identiteti ynë ngase ajo është liria e vetme që kemi. Pushtimi i vetëm që të tjerët na kanë bërë është tentative për të na asimiluar përmes gjuhës. Lufta jonë ka qenë luftë trojesh dhe jo gjuhësh, ndërsa ne shqiptarët, si gjaknxehtë që jemi, kemi luftuar me forcë dhe kurrë më gjuhë. A kemi qenë të vetëdijshëm aq sa duhet, ndaj asaj që kanë dashur të na e zhdukin? Përmes mbrojtjes së territorit, ne kemi lënë pasdore gjuhën.
Çështja e identitetit është në krizë atëherë kur populli apo vendi kalon nëpër kriza politike, gjuhësore, ndarje territoresh, apo ndarje besimesh. Gjithashtu kërkimi për një identitet ndodh atëherë kur ndërron sistemi i një shteti, popujt që kalojnë nëpër tranzicione përjetojnë kohë krizash dhe shfaqen kërkimet e para mbi vete, ndonëse gjetja e një përgjigjeje nuk shfaqet në asnjë derë.
Për këtë, njerëzit që mundohen të mbeten në modelin tradicional të sjelljes, në trashëgiminë dhe përcjelljen e traditave dhe ruajtjen e tyre, shpesh herë shfaqen nën hijen e – ndonjë familjari që e përfaqëson atë, zakonisht të babait, ndonjë heroi kombëtar apo sundimtarit që e idealizojnë në formën e idhullit. Identiteti ka të bëjë midis formimit të një Unë dhe të asaj që na servohet. Varësisht me çfarë modelesh jemi rritur, nga e gjithë kjo lind dilema, a arrin njeriu të ketë të formuar një identitet personal? Nëse i analizojmë personazhet e Kunderës, te veprat: Shakaja, Identiteti, Mosdija, Lehtësia e padurueshme e qenies, vërejmë se ata të gjithë përbëhen nga elemente të përbashkëta dhe të njëtrajtshme. E vërtetë, ata të gjithë vinin nga vendi i njëjtë, të gjithë kishin kaluar nëpër traumat dhe pushtimet e njëjta, a kjo i bën dhe të kenë ëndrrat e njëjta? Dalim në përfundim se, Kundera nuk merret me identitetin personal po ai merret dhe analizon në thelb identitetit kolektiv. Se si formohet një komb gjatë një pushtimi dhe nëpër çfarë traumash kalon kur del prej asaj ideologjie. Kundera në njëfarë mënyre krijoi qartësisht idenë e vërtetë të identiteti kolektiv të një shoqërie e cila është gjithashtu e dalë nga identiteti kolektiv i një vendi- në të cilën nuk ka të përbashkët, vendin, gjuhën, besimin, kohën, por krijoi një identitet të ri kolektiv jashtë Laboratorit- Shtet.
Nëpër tokën e huaj ku janë derdhur njerëzit ai arriti që t’i gjejë pikat e përbashkëta të tyre dhe të krijojë gjithashtu një popull fluid, që jeton dhe rron në përgjumje dhe nëpër re ‒ sepse vihet pas një identiteti të rrejshëm, pas një gjuhe që nuk është kurrë e tyre dhe pas kujtimeve- të cilat përpunohen dhe kthehen në pikënisje të rikrijimit të një malli joreal.
Imazhologjia dhe studimet ndërkulturore, për shkak të aftësisë së tyre për të drejtuar çështjet historike-kulturore, politike dhe sociale që lidhen me kontaktin midis popujve dhe kulturave të ndryshme, sot mund të kenë domethënie të madhe dhe zbatim interesant si në praktikën arsimore ashtu edhe në shkollë, sepse ato ndihmojnë për të interpretuar në një mënyrë “më të dobishme dhe më të arritshme” kuptimin civilizues të teksteve letrare, si dhe për të zgjeruar pikëpamjet tona për botën sa më shumë që të jetë e mundur.