E hënë, 21 Prill, 2025

SHTETASI RUS MERR SHTETËSINË MAQEDONASE, ANI SE ËSHTË NË LISTËN E ZEZË AMERIKANE

Shtetasi rus Oleksandr Onishchenko ka marrë dritë jeshile nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të fituar shtetësinë maqedonase, edhe pse në Ukrainë është i dënuar për larje parash ndërkohë që figuron edhe në listën e zezë amerikanë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Një hulumtim i BIRN-it ka zbuluar se vendimi është marrë në seancën qeveritare të mbajtur më 31 maj 2022, përcjell kdpolitik.com.

Përveç shtetësisë maqedonase dhe ruse, Onishchenko ka edhe shtetësi ukrainase, vend nga i cili në vitin 2016 iku për shkak të hetimeve për larje parash. Në momentin kur u arratis ai ishte deputet i zgjedhur në Parlamentin Ukrainas.

Sipas hulumtimit, të martën e fundit të majit, ditë në të cilën zakonisht ulet qeveria, seancën në mesditë e kishte hapur kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ajo ka zgjatur rreth dy orë dhe në mbrëmje njoftimi i qeverisë arrin në publik. Aty thuhet se ministrat dhe kryeministri vendosën të zgjerojnë hapësirën e përfituesve të subvencionimit të fermerëve dhe miratuan masa të tjera.

Emri i Onishchenkos, në lajmet e shkurtra të mediave për seancën e qeverisë së asaj dite nuk u përmend askund. Por është në procesverbalin e seancës që është publikuar më pas dhe gjendet në faqen e qeverisë. Në të thuhet: “Qeveria e shqyrtoi kërkesën e Oleksandr Onishchenkos për pranim në shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe “përcaktoi mendim pozitiv për kërkesën, duke marrë parasysh mendimin pozitiv të Agjencisë për Rini dhe Sport”.

Pas këtij formulimi, i cili thuhet në pikën 44 të seancës së qeverisë, qëndron “dosja e pastër” e Onishçenkos, e cila është përgatitur nga institucionet maqedonase. Qeveria nuk është përgjigjur ende në pyetjen e gazetarëve se cila është baza e vendimit se promovimi i aftësive të kalërimit është më i rëndësishëm për vendin sesa bagazhi politik i Onishchenkos në Ukrainë dhe SHBA.

Vendimi i Qeverisë për t’i dhënë dritë jeshile Onischenkos që të marrë shtetësinë është bazuar në mendimet pozitive të katër institucioneve: Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (ANB), Agjencisë për Rini dhe Sporte, Federatës së Sporteve të Kuajve dhe Komitetit Olimpik.

Të katër për Onishchenko japin një opinion pozitiv, ndërsa ANB-ja është e detyruar të kontrollojë se për çfarë personi bëhet fjalë. Agjencia, në fakt, ka dhënë opinionin e saj të fundit pozitiv më 3 maj 2022, që do të thotë se e kanë kontrolluar për më shumë se një vit. Për marrjen e nënshtetësisë, nisma drejtohet nga Federata për Sportet e Kuajve.

Në skenën politike të Ukrainës, emri i Onishchenkos përmendet si një ish-deputet i cili u largua nga vendi në vitin 2016 pasi Komisioni Kundër Korrupsionit hapi një hetim ndaj tij për pastrim parash dhe korrupsion.

Pesë muaj pas marrjes së shtetësisë maqedonase, ai po garon nën flamurin maqedonas në një garë kërcimi me kalë në Saint-Tropez. Ai ka publikuar videon e ndeshjes në profilin e tij në Instagram më 15 tetor. Profili dëshmon për jetën magjepsëse të shtetasit të ri maqedonas, i cili shpesh udhëton nga Monte Karlo në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe destinacione të tjera të njohura turistike evropiane.

Jeta private e kalorësit është njëra anë e historisë së tij, dhe tjetra është përfshirja e tij politike në Ukrainë, si deputet nga partia e ish-kryeministrit pro-rus Viktor Janukoviç. Përfshirja e tij ndërkombëtare, nga ana tjetër, e vendos atë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çështja e Onishchenkos nisi në janar 2021, kur Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij për shkak se ai është “anëtar i rrjetit rus për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2020”.

 

 

Të fundit