Me ringjalljen e paradokohshme të Procesit të Berlinit u konfirmua roli kyç i këtij forumi për bashkëpunim në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, dhe në të njëjtën kohë u nënvizua rëndësia e integrimeve evropiane, deklaroi të mërkurën kreu i Qendrës serbe për Politikë të Jashtme, Dragan Gjukanoviq. Sipas tij, kjo paraqet një nxitje për përgjigjen gjeopolitike ndaj ngjarjeve në këtë pjesë të Evropës. Sikurse transmeton kdpolitik.com njoftimin e seksionit serb të Zërit të Amerikës, publicisti Veton Surroi ka deklaruar se përkundër luftës dhe agresionit rus në Ukrainë, ringjallja e Procesit të është mundësi që Ballkani braktisë kulturën e luftës.
Duke hapur konferencën “Ringjallja e procesit ballkanik në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike evropiane”, Gjukanoviq vlerësoi se ri-inicimi i Procesit të Berlinit pas një pauze dyvjeçare është komplementar me përgjigjen panevropiane ndaj krizës në Ukrainë.
Siç tha ai, hiq më pak të rëndësishme nuk janë as konkluzionet nga tubimi i javës së kaluar në Berlin për vazhdimin e aktiviteteve për formimin e tregut të përbashkët rajonal, për sigurinë energjetike të Ballkanit Perëndimor, vazhdimin e aktiviteteve për axhendën e gjelbër dhe sigurinë e rajonit, ose rolin e tij në vazhdimin e procesit të pajtimit në rajon.
“Me riafirmimin e procesit të Berlinit u konfirmua vazhdimësia e përpjekjeve të Gjermanisë për ta afruar rajonin me Bashkimin Evropian dhe se ekziston një kanal i mirëkuptimit më të mirë mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”, – tha Gjukanoviq, ndërsa ambasadorja e Gjermanisë në Serbi, Anke Konred, theksoi se Procesi i Berlinit shërben për të krijuar një të ardhme më të mirë për miliona njerëz në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, arritjet e deritanishme në kuadër të Procesit të Berlinit nuk janë të vogla. Me mesazhin se Procesi i Berlinit mbështetet nga shumë vende të BE-së, Konred nënvizoi se çështja kryesore është se si të shfrytëzohet Procesi i Berlinit për njerëzit që jetojnë në rajon:
“Pa ju, qeveritë, shoqërinë civile, parlamentet në të gjitha shtetet, këto procese nuk do të ishin të mundshme. Do të dëshiroja që të mblidheni rreth rezultateve pozitive dhe të zgjeroni procesin e bashkëpunimit. Dhe të punoni për të ardhmen e rajonit, të njerëzve, por edhe për të ardhmen në kuadrin e së cilës shpresoj t’i pranojmë të gjashtë vendet”.
Siç tha ajo, pas Berlinit, Vjenës, Parisit, Triestes, Londrës, Poznanit dhe Sofjes, takimi i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë, si samiti i parë i tillë në rajon.
Publicisti nga Prishtina, Veton Surroi, theksoi se përkundër luftës dhe agresionit rus në Ukrainë, ekziston edhe Procesi i Berlinit si proces paqësor ku vendet diskutojnë për bashkëpunim:
“Dhe ky është një komponent tejet i rëndësishëm, sepse vë në dukje mundësinë që rajoni të dalë nga kultura e luftës ku jeton tash 30 vite. Dhe kjo është një nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballet procesi i Berlinit dhe i gjithë rajoni”,- tha Surroi duke shtuar se procesi i Berlinit përballet me dy sfida kyçe që nuk i ka asnjë proces tjetër rajonal i integrimit në Evropë.
Së pari, thotë Surroi, ky është një rajon i konflikteve të pazgjidhura dhe konfliktet e çintegrimit të ish-Jugosllavisë ende nuk kanë përfunduar. Një sfidë tjetër është siguria, sepse të gjitha vendet e rajonit nuk janë anëtarë të NATO-s, por këtu janë të përfshira edhe shtete të tjera jo-evropiane, jo anëtare të NATO-s:
“Kemi pasojat e fërkimeve gjeopolitike në rajonin tonë dhe kjo natyrisht reflektohet negativisht në procesin e integrimeve”, – tha Surroi.
Sipas Gordana Paunoviqit, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik nga Podgorica, në samitin e fundit janë nënshkruar tri marrëveshje me të cilat ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës hiqen vizat, por edhe njihen reciprokisht diplomat e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe aplikohen lehtësira plotësuese për mjekët, stomatologët dhe arkitektët.
Kjo ka ekzistuar edhe me marrëveshjen e CEFTA-s, por tani kryesorja është se marrëveshja është nënshkruar nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – që në të njëjtën kohë ushqen shpresën se situata do të qetësohet pak.
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi, Jelica Miniq, theksoi se për tetë vjet konteksti i Procesit të Berlinit ka ndryshuar shumë dhe se dikur qëllimi ishte ruajtja e rrugës evropiane të rajonit, ngushtimi i hendekut ekonomik ndërmjet Ballkanin Perëndimor dhe BE-së dhe nxitja e bashkëpunimit.
Pas luftës në Ukrainë, situata është krejtësisht tjetër, tani ekziston edhe Bashkësia politike Evropiane, ka një valë të re migrimi nga Ukraina dhe Rusia, të cilën po e ndjejnë edhe Serbia dhe Mali i Zi, – tha Miniq duke vënë në dukje edhe rënie e shpresës së qytetarëve në rajon se do të bëhen ndonjëherë pjesë e BE-së.
Sipas të dhënave që prezantoi ajo, 28 për qind e qytetarëve të rajonit besojnë se kjo nuk do të ndodhë kurrë, në Shqipëri dhe Kosovë ka ende optimizëm, ndërsa Serbia kryeson për nga pesimizmi./VOA/