E shtunë, 13 Korrik, 2024

NGËRÇI POLITIK, A MUND TË SHKOHET NË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME?

Pas takimit pa epilog të liderëve, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski edhe njëherë ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Analisti Destan Jonuzi thotë se një nga kompromiset që mund të arrihet është që përmes një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare opozitarja VMRO-DPMNE të japë dritën jeshile për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, opsioni tjetër është kushtëzimi gjegjësisht presioni i liderëve të BE-së dhe miqve ndërkombëtar, SHBA-së që kjo çështje të zgjidhet në frymën e normativave evropiane. Në këtë rast nuk do të shkaktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qeveria do të vazhdojë të qeverisë deri në fund të mandatit të saj.

Shkruan: Enis Shaqiri

Pak ditë pas takimit të liderëve të partive parlamentare me fokus “Ardhmëria Evropiane e RMV-së,” partia opozitare, VMRO-DPMNE thekson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend janë të nevojshme, pasi që çdo zgjidhje tjetër sipas kësaj partie do të ishte vazhdim i krimit, korrupsionit, cilësisë së dobët në arsim, ekonomisë së dobët, krizës ekonomike, inflacionit etj.

Kryetatri i kësaj partie Hristijan Mickovski thotë se ekzekutivi po i përdor ndryshimet kushtetuese për të spostuar vëmendjen nga këto probleme.

Çdo zgjidhje tjetër nënkupton vazhdim të agonisë. Sepse çdo zgjidhje tjetër do të thotë se nuk kemi plan, do të thotë më shumë krim, më shumë korrupsion, shëndetësi më të dobët, katastrofë më e madhe në arsim, ekonomi më e dobët, inflacion më i lartë dhe prandaj themi se duhen zgjedhje që Maqedonia dhe qytetarët e saj të mos humbasin, që qytetarët të fillojnë të marrin dhe prandaj themi të shkojmë në zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare për ta shpëtuar Maqedoninë tonë nga agonia. Ky është thelbi, prandaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk ka arsye tjetër që kjo qeveri të qëndrojë sepse shohim se jemi më të këqijtë në Evropë”, thotë Mickoski.

Sipas tij, qeveria nuk ka shumicë për ndryshimet kushtetuese.

Është e qartë se nuk ka shumicë prej 80 deputetëve. Kjo është edhe një arsye për të shkuar më shumë në zgjedhje të parakohshme sepse politika e vetme e LSDM-së dhe BDI-së po dështon në këtë moment. A do të ndryshojnë metodën e Prespës që të mbajnë për vesh deputetë, pra të provojnë metoda jokonvencionale, me ryshfet, me kërcënime, me shantazhe, nuk e di dhe nuk dua ta besoj. Por duke pasur parasysh karakterin e këtyre njerëzve, gjithçka është e mundur”, vlerëson Mickoski.

Gazetari Destan Jonuzi në një prononcim për KDP thotë se presioni politik mes pushtetit dhe opozitës me kalimin e kohës sa vjen dhe rritet, ndërkaq zgjidhja e vetme sipas tij për ndryshimet kushtetuese janë presioni i liderëve të BE-së si dhe miqve ndërkombëtar, gjegjësisht SHBA-së.

Takimi i liderëve të partive politike parlamentar edhe pse në rend dite kishte tema të rëndësishme politike, përfundoi pa ndonjë epliog. Duke pasur parasysh antagonizmat e theksuar mes pushtetit dhe opozitës maqedonase rreth propozimit francez dhe ndryshimeve kushtetuese, madje edhe nuk pritej ndonjë rezultat apo zgjidhje. Ndaj mendimin se kjo pasiguri do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim. Pres që me tejkalimin e kohës të rritet presioni politik për të gjetur një kompromis për këtë çështje. Një nga kompromiset që mund të arrihet është përmes një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare që opozitarja VMRO-DPMNE të japë dritën jeshile për ndryshimet kushtetuese, dhe opsioni tjetër është kushtëzimi gjegjësisht presioni i liderëve të BE-së dhe miqve ndërkombëtar, SHBA-së që kjo çështje të zgjidhet në frymën e normativave evropiane. Në këtë rast nuk do të shkaktohen zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qeveria do të vazhdojë të qeverisë deri në fund të mandatit të saj,” thekson Destani Jonuzi.

Destani  mes tjerash thekson se edhe pse VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit nuk është pajtuar me pushtetin për ndryshimet kushtetuese, ajo përsëri ishte pjesë e takimit të liderëve të partive parlamentare duke treguar se është e gatshme të diskutojë për agjenda evropiane.

“Por, në plan afat shkurtër nëse realizohet ky skenarë, opozitarja VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski do të humbin në planin afatshkurtër, për arsye se pushteti do të ketë alibi që ta atakojë politikisht, por në planin afatgjatë e rikthen partinë në binare të partneritet të humbur me faktorin ndërkombëtar, por edhe mundësinë për një partneritet më të fuqishëm me partitë shqiptare. Megjithatë, VMRO-DPMNE u ul në tavolinë me Qeverinë dhe pavarësisht deklaratave dhe retorikës tregoi se është e gatshme të diskutojë për agjendën evropiane, ” thekson për KDP Jonuzi.

Nga ana tjetër Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ditë më parë theksoj se të gjithë deputetët dhe subjektet politike në Kuvend duhet t’i shikojnë ndryshimet kushtetuese si diçka që është me interes të veçantë për shtetin dhe qytetarët në përgjithësi, duke nënvizuar këtu se pushteti momentalisht nuk ka shumicë për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Për momentin nuk mund të themi se kemi numër të mjaftueshëm të deputetëve për të hapur Kushtetutën për ta futur bashkësinë etnike bullgare. Kjo është, të tilla janë shifrat”, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Xhaferi mes tjerash u bëri thirrje partive në Kuvend, duke qenë se deklarativisht janë pro anëtarësimit të vendit në BE, së pari të punojnë për interesat e shtetit.

Të fundit