E mërkurë, 24 Korrik, 2024

BUXHETI PËR 2023, INVESTIMET NË KORRIDORIN 8 ME RËNDËSI STRATEGJIKE

Ministria e Financave në buxhetin për vitin 2023 ka planifikuar investime të rëndësishme në disa fusha, ndërkohë që paralajmërohet edhe investim në infrastrukturë, sidomos në ndërtimin e Korridorit 8. Eksperti i ekonomisë, Arben Halili thekson se investimet në infrastrukturën rrugore e me theks të veçantë në Korridorin 8-të paraqesin rëndësi strategjike për realizimin jo vetëm të investimeve kapitale në vend, por edhe si katalizator zhvillimor për ekonominë në përgjithësi. Por, sipas tij, duhet të kemi parasysh faktin se sa këta planifikime për realizim të investimeve në infrastrukturë do realizohen. “Kjo vjen si shqetësim logjik, për vetë faktin që tashmë disa vjet jemi dëshmitarë se pikërisht me rebalancët e para të buxheteve që ndodhin, të parat shpenzime që shkurtohen janë ato infrastrukturore.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka paraqitur Propozim Buxhetin e vitit 2023, ku parashihen mjete shtesë për rritjen e pensioneve sipas metodologjisë 50%-50% për harmonizim me pagën mesatare dhe kostot e jetesës për harmonizimin e të gjitha pagave në sektorin shtetëror me rritjen pagës minimale si dhe për përkrahje të ballafaqimit të krizës energjetike. Gjithashtu planifikohen edhe mjete për përkrahjen e kompanive dhe konkurrencës, mjete për përkrahjen e bujqësisë si dhe pothuajse 800 milionë euro për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, projekte për mjedisin jetësor, arsimin dhe shëndetësinë.

Në mjetet shtesë, ku bënë pjesë edhe infrastruktura rrugore, ai është shprehur se janë planifikuar investime të rëndësishme në këtë fushë, veçanërisht në Korridorin Rrugor 8.

“Investime të rëndësishme janë planifikuar në fushën e infrastrukturës rrugore. Këtu përfshihet zgjerimi i autostradës Tetovë – Gostivar, ndërtimi i autostradës së re Trebenisht – Strugë – Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar – Bukojçan dhe pjesës Prilep – Manastir. Gjithashtu, Ndërmarrja Publike e Rrugës Shetërore do të përgatisë studim fizibiliteti për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren. Do të vazhdojë edhe ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit rrugor 8 nëpërmjet pjesës Rankovcë – Kriva Pallankë, pjesës Kriva Pllankë deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i pjesës perëndimore të Korridorit rrugor 8, ndërtimi i autostradës Kërçovë – Bukojçan dhe Kërçovë – Ohër. Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë do të financohet me hua nga BERZH- i”, ka shkruar ministri i financave, Fatmir Besimi.

Në një prononcim për KDP, eksperti i ekonomisë Arben Halili, u shpreh se investimet në infrastrukturën rrugore me theks të veçantë në korridorin e 8-të, paraqesin rëndësi strategjike për realizimin jo vetëm të investimeve kapitale në vend, por edhe si katalizatorë zhvillimorë për ekonominë në përgjithësi. Megjithatë ai tha se ajo që duhet të kemi parasysh është fakti se sa këta planifikime buxhetore për realizim të investimeve në infrastrukturë do të realizohen.

“Investimet në infrastrukturën rrugore e me theks të veçantë në korridorin 8-të paraqesin rëndësi strategjike për realizimin jo vetëm të investimeve kapitale në vend, por edhe si katalizator zhvillimor për ekonominë në përgjithësi. Kjo do nënkuptojë angazhimin e një numri të konsiderueshëm të kompanive vendore, të cilat përmes ofrimit të shërbimeve të tyre do të kontribuojnë në përmirësimin e likuiditetit të tyre financiar, por nga ana tjetër kjo poashtu do të nënkuptojë edhe angazhimin e një fuqie punëtore të konsiderueshme në realizimin e këtij projekti. Megjithatë ajo që duhet të kemi parasysh është fakti se sa këta planifikime për realizim të investimeve në infrastrukturë do realizohen. Kjo vjen si shqetësim logjik, për vetë faktin që tashmë disa vjet jemi dëshmitarë se pikërisht me rebalancet e para të buxheteve që ndodhin, të parat shpenzime që shkurtohen”, janë pikërisht investimet në infrastrukturë, thotë eksperti i ekonomisë, Arben Halili.

Ndër të tjerash, ai shtoi se prandaj, në fund gjykoj që realizimi i këtillë i investimeve siç janë planifikuar, do ishin katalizatorë zhvillimor për ekonominë vendore, ndërsa në të  kundërtën nëse do ndodh që të kemi shkurtim të të njëjtave apo mos realizim efikas të tyre, atëherë do të ishte një dëshpërim për faktin që një buxhet premtues për zhvillim të shëndoshë ekonomik, do kalonte në buxhet popullist.

 

 

Të fundit