Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dalë sot me një porosi të qartë për Qeverinë e Kosovës, duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai njëkohësisht ka kërkuar të ndalen gjobat për qytetarët serbë në veri dhe të vazhdohet afati për riregjistrimin e makinave, përcjell kdpolitik.com.
“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”, ka deklaruar Hovenier në një takim me gazetarë në Prishtinë, raporton REL.
Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë disa ditë pasi zyrtarët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – njoftuan se serbët e veriut do të largohen nga institucionet e drejtësisë, të rendit, komunale, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.
Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor zbatimin e një plani për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe – gjë që u kundërshtua nga shumica e serbëve lokalë dhe nga Beogradi zyrtar.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ky plan të shtyhet për dhjetë muaj, por kjo kërkesë u refuzua.
BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e këtij asociacioni në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni njëetnik.
Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.