Si t’i lexojmë gjigandët rusë pas 24 shkurtit 2022?
Si dikush që e jep mësim letërsinë ruse, nuk mund të mos e kuptoj botën përmes romaneve, tregimeve, poezive dhe teatrove të këtij vendi – edhe në një kohë kur prodhimet kulturore ruse po anulohen në mbarë botën.
Me ushtrinë ruse që ushtron një dhunë shkatërruese mbi Ukrainën – e cila përfshin masakrën e civilëve në Bucha – diskutimi se çfarë duhet të bëhet me letërsinë ruse ka lindur natyrshëm.
Nuk më tremb mundësia se arti me të vërtetë i vlefshëm mund të anulohet ndonjëherë. Veprat e letërsisë brilante janë rezistente, pjesërisht, sepse ato janë mjaftueshëm të fuqishme për t’u lexuar në mënyrë kritike pavarësisht peripecive të së tashmes.
Ju mund ta bëni këtë argument për çdo vepër të madhe të letërsisë ruse, por si studiues i Leo Tolstoit dhe Fjodor Dostojevskit, unë do të qëndroj tek eksportet më të famshme letrare të Rusisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, kritiku gjerman Theodore Adorno e përshkroi Holokaustin si një goditje të thellë ndaj kulturës dhe filozofisë perëndimore, madje duke shkuar aq larg sa të vinte në pikëpyetje vetë aftësinë e qenieve njerëzore për të “jetuar pas Aushvicit”.
Kjo ide, e lindur nga konteksti shumë specifik i Holokaustit, nuk duhet të zbatohet rastësisht në momentin e tanishëm. Por, duke ndjekur drejtimin moral të Adornos, pyes veten nëse – pas bombardimeve brutale të qytetit të Mariupolit, pas tmerreve në rrugët e Buchas, së bashku me mizoritë e kryera në Kharkiv, Mykolaev, Kiev dhe shumë të tjera – dhuna pa dallim duhet të ndryshojë mënyrën se si lexuesit u afrohen autorëve të mëdhenj rusë.
Përballja me vuajtjen me ‘sy të kthjellët’
Pasi mësoi se shkrimtari rus Ivan Turgenev kishte hequr shikimin në minutën e fundit kur ishte dëshmitar i ekzekutimit të një njeriu, Dostoevsky e bëri të qartë pozicionin e tij: “Një qenie njerëzore që jeton mbi sipërfaqen e tokës nuk ka të drejtë të heqë shikimin dhe të injorojë çfarë po ndodh në tokë dhe për këtë, ka imperativa më të larta morale.”
Duke parë rrënojat e një teatri në Mariupol, duke dëgjuar për qytetarët e Mariupolit të uritur për shkak të sulmeve ajrore ruse, pyes veten se çfarë do të bënte Dostojevski – i cili e përqendroi veçanërisht syrin e tij therës moral mbi çështjen e vuajtjeve të fëmijëve në romanin e tij të vitit 1880 “Vëllezërit Karamazov” – në përgjigje të bombardimeve të ushtrisë ruse në një teatër ku strehoheshin fëmijët. Fjala “fëmijë” shkruhej në trotuar jashtë teatrit me shkronja të mëdha në mënyrë që të shihej nga qielli. Nuk kishte asnjë keqkuptim se kush ishte aty.
Ivan Karamazov, protagonisti qendror në “Vëllezërit Karamazov”, është shumë më i fokusuar në çështjet e përgjegjësisë morale sesa faljes apo pajtimit të krishterë. Në bisedë, Ivan sjell në mënyrë të vazhdueshme shembuj të lëndimit të fëmijëve, duke iu lutur personazheve të tjerë që të njohin mizoritë në mesin e tyre. Ai ishte i vendosur të hakmerrej.
Sigurisht që granatimet e qëllimshme të fëmijëve në Mariupol janë diçka nga e cila as Dostojevski nuk mund të hiqte shikimin. A mund ta mbronte ai një vizion të moralit rus duke parë civilë të pafajshëm – burra, gra dhe fëmijë – të shtrirë në rrugët e Buchas?
Në të njëjtën kohë, as lexuesit nuk duhet t’i kthejnë sytë nga mendjemadhësia e Dostojevskit dhe ndjenja e tij e ‘ekskluzivitetit’ rus. Këto ide dogmatike për madhështinë ruse dhe misionin mesianik të Rusisë janë të lidhura me ideologjinë më të gjerë që ka nxitur misionin e kaluar kolonial të Rusisë dhe politikën e jashtme aktuale ruse në shfaqjet e dhunshme në Ukrainë.
Megjithatë Dostojevski ishte gjithashtu një mendimtar i madh humanist që e lidhi këtë vizion të madhështisë ruse me vuajtjet dhe besimin rus. Duke parë vlerën shpirtërore të vuajtjes njerëzore ishte ndoshta një rezultat i natyrshëm për një njeri të dërguar në një kamp pune në Siberi për pesë vjet thjesht për pjesëmarrjen në një klub progresist të librit. Dostojevski u rrit nga vuajtjet e tij, por, ndoshta, jo në një vend ku ai mund të pranonte terrorin e sponsorizuar nga shteti.
A do ta pranonte vizionin e Rusisë së Putinit, një autor, i cili në romanin e tij të vitit 1866 “Krim dhe Ndëshkim”, shpjegon me detaje torturuese barrën e vrasjes mbi vrasësin – i cili shpjegon deri në detaj se si kur dikush merr një jetë, ai vret në të njëjtën kohë një pjesë të vetes? A do të kishte reaguar dhe rebeluar rebeli më i madh metafizik i historisë ruse kundër dhunës së Rusisë në Ukrainë?
Shpresoj se do ta bënte, siç kanë bërë shumë shkrimtarë bashkëkohorë rusë. Por dogmat e Kremlinit janë të përhapura dhe shumë rusë i pranojnë ato. Shumë rusë heqin shikimin.
Rruga e Tolstoit drejt pacifizmit
Asnjë shkrimtar nuk e interpreton luftën në Rusi më ashpër se Tolstoi, një ish-ushtar i kthyer në pacifistin më të famshëm të Rusisë. Në veprën e tij të fundit, “Haxhi Murat”, e cila shqyrton shfrytëzimet koloniale të Rusisë në Kaukazin e Veriut, Tolstoi tregoi se si dhuna e pakuptimtë ruse ndaj një fshati çeçen shkaktoi urrejtje të menjëhershme kundrejt rusëve.
Vepra më e madhe e Tolstoit për luftën ruse, “Lufta dhe Paqja”, është një roman që rusët e kanë lexuar tradicionalisht gjatë luftërave të mëdha, duke përfshirë Luftën e Dytë Botërore. Në “Lufta dhe Paqja”, Tolstoi pretendon se morali i ushtrisë ruse është çelësi i fitores. Betejat që kanë më shumë gjasa të kenë sukses janë ato mbrojtëse, në të cilat ushtarët kuptojnë pse po luftojnë dhe çfarë po luftojnë për të mbrojtur: shtëpinë e tyre.
Edhe atëherë, ai është në gjendje të përcjellë përvojat e tmerrshme të ushtarëve të rinj rusë që vijnë në konfrontim të drejtpërdrejtë me instrumentet e vdekjes dhe të shkatërrimit në fushën e betejës. Ata zhduken në turmën e batalionit të tyre, por edhe një humbje e vetme është shkatërruese për familjet që presin me frikë kthimin e tyre.
Pasi botoi “Lufta dhe Paqja”, Tolstoi denoncoi publikisht shumë fushata ushtarake ruse. Pjesa e fundit e romanit të tij të vitit 1878 “Anna Karenina” fillimisht nuk u botua sepse kritikonte veprimet e Rusisë në luftën ruso-turke. Alter-egoja e Tolstoit në atë roman, Konstantin Levin, e quan ndërhyrjen ruse në luftë “vrasje” dhe mendon se është e papërshtatshme që populli rus të tërhiqet zvarrë në të.
“Njerëzit sakrifikojnë dhe janë gjithmonë të përgatitur të sakrifikojnë veten për shpirtin e tyre, jo për vrasje,” thotë ai.
Në vitin 1904, Tolstoi shkroi një letër publike duke denoncuar Luftën Ruso-Japoneze, e cila ndonjëherë është krahasuar me luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Përsëri luftë,” shkroi ai. “Përsëri vuajtje, të nevojshme për askënd, krejtësisht të panevojshme; përsëri mashtrimi, përsëri trullosja universale dhe brutalizimi i njerëzve.”
Pothuajse mund ta dëgjosh atë duke u bërtitur bashkëkombësve të tij sot: “Bethink Yourselves”/ ’Kujtohuni se kush jeni’, titulli i asaj eseje.
Në një nga shkrimet e tij më të famshme pacifiste, “Ti nuk do të vrasësh” të viteve 1900, Tolstoi diagnostikoi me urtësi problemin e Rusisë së sotme.
“Mjerimi i kombeve nuk shkaktohet nga persona të veçantë, por nga rendi i veçantë i shoqërisë, nën të cilin njerëzit janë aq të lidhur së bashku sa e gjejnë veten të gjithë nën pushtetin e disa njerëzve, ose më shpesh nën pushtetin e një njeriu të vetëm: një njeri kaq i çoroditur nga pozicioni i tij i panatyrshëm si arbitër i fatit dhe i jetës së miliona njerëzve, sa është gjithmonë në një gjendje jo të shëndetshme dhe gjithmonë vuan dikur më pak dikur më shumë nga një mani e vetë-madhërimit”.
Rëndësia e veprimit
Nëse Dostojevski do të këmbëngulte që njeriu të mos heqë shikimin, është e drejtë të thuhet se Tolstoi do të pretendonte se njerëzit duhet të veprojnë sipas asaj që shohin.
Gjatë zisë ruse të urisë nga 1891 deri në 1892, ai hapi një mensë të varfërish, për të ndihmuar bashkatdhetarët e tij që ishin të uritur dhe ishin braktisur nga qeveria ruse. Ai punoi për të ndihmuar ushtarët rusë që t’i shmangeshin draftit nga perandoria ruse, duke vizituar dhe mbështetur ushtarët e burgosur që nuk dëshironin të luftonin.
Në 1899 ai shiti romanin e tij të fundit, “Ringjallja”, për të ndihmuar një sekt të krishterë rus, Doukhobors, të emigronte në Kanada, në mënyrë që ata të mos kishin nevojë të luftonin në ushtrinë ruse.
Këta shkrimtarë kanë pak të bëjnë me luftën aktuale. Ata nuk mund të shlyejnë apo zbutin veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë. Por ata janë të ngulitur në njëfarë niveli brenda strukturës kulturore ruse, dhe mënyra se si lexohen librat e tyre ende ka rëndësi.
Jo sepse letërsia ruse mund të shpjegojë ndonjë nga ato që po ndodhin sot, sepse nuk mundet.
Por sepse, siç shkroi shkrimtari ukrainas Serhiy Zhadan në mars 2022, lufta e Rusisë në Ukrainë shënoi një disfatë për traditën e madhe humaniste të Rusisë.
Ndërsa kjo kulturë përballet me një ushtri ruse që ka bombarduar dhe masakruar pa dallim ukrainasit, autorët e mëdhenj rus mundet dhe duhet të lexohen në mënyrë kritike, me një pyetje urgjente në mendje: si ndalohet dhuna?
Udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny vuri në dukje gjatë gjyqit të tij të marsit 2022 se Tolstoi u kërkoi bashkatdhetarëve të tij të luftonin si despotizmin ashtu edhe luftën, sepse njëri mundëson tjetrin. Ndërsa artistja ukrainase Alevtina Kakhidze citoi “Lufta dhe Paqja” në hyrjen e ditarit të saj grafik të shkurtit 2022.
“Kam lexuar literaturën tuaj të mallkuar,” shkroi ajo. “Por me sa duket Putini nuk e ka bërë këtë, ndërsa ju e keni harruar!” / The Conversation
Autore:
, profesore e letërsisë ruse në Universitetin e Kansasit, SHBA.Opinionet e autorit në këtë shkrim janë vetëm të tij.