Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MJPH), Naser Nuredini, merr pjesë në Takimin e 27-të të Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), që mbahet në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, përcjell kdpolitik.com.
Në përgjigje të ndikimeve shkatërruese të ndryshimeve klimatike që prekin njerëzit vulnerabël në të gjithë botën, Presidenca e COP27 ka paraqitur Agjendën e Përshtatjes së Sharm-El-Sheikh. Kjo Agjendë përshkruan 30 Rezultatet e Përshtatjes për të rritur qëndrueshmërinë për 4 miliardë njerëz që jetojnë në komunitetet më të cenueshme nga klima deri në vitin 2030.
“Pjesëmarrja në COP 27 është një mundësi e shkëlqyer për të konfirmuar përpjekjet e vendit për të ndërmarrë pjesë të detyrimeve globale për të arritur synimet e Marrëveshjes së Parisit”, thotë Nuredini në një postim në Facebook.
Kjo Agjendë vjen si përgjigjje ndaj hulumtimeve që paralajmërojnë se gati gjysma e popullsisë së botës do të jetë në rrezik të madh të ndikimeve të ndryshimeve klimatike deri në vitin 2030. Së bashku, këto rezultate përfaqësojnë planin e parë gjithëpërfshirës global për të mbledhur aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë pas një grupi të përbashkët veprimesh përshtatëse që kërkohen deri në fund të kësaj dekade në pesë sisteme të ndikimit: ushqimi dhe bujqësia, uji dhe natyra, bregdeti dhe oqeanet, vendbanimet njerëzore dhe infrastrukturën, duke përfshirë zgjidhjet e mundshme për planifikim dhe financim.