E diel, 27 Prill, 2025

ISLAM ABAZI I PARI SHQIPTAR NË BALLË TË PROKURORISË PËR LUFTIMIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR E TË KORRUPSIONIT

E ka pranuar si sfidë detyrën e Prokurorit për luftimin e krimit të organizuar e të korrupsionit dhe, në paraqitjen e tij të parë para publikut, Islam Abazi (1980) ka lënë të kuptohet se për të, si dhe në të kaluarën, do të flasin punët: ‘Kam filluar si prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike në Kërçovë, pastaj pesë vjet isha prokuror publik në Prokurorinë e Lartë dhe katër vjet isha drejtues i  Prokurorisë në Gostivar ku kemi zgjidhur, besoni, një numër të madh lëndësh serioze për vepra serioze penale”– transmeton kdpolitik.com deklaratën e bërë nga Abazi këtë të martë, menjëherë pas marrjes së detyrës.

“Kurrë nuk kam qenë anëtar i ndonjë partie politike, e as që me punën time kam lënë përshtypje të afrisë me ndonjë prej tyre,”- tha ai duke i cilësuar si të pavërtetë zërat se pas tij qëndron Ali Ahmeti dhe partia Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ai ka vlerësuar, në këtë rrafsh mënyrën e re të zgjedhjes me votën e prokuorëve nga të gjitha prokuroritë e vendit që përjashton ndikimet nga jashtë gjatë zgjedhjes së prokurorit për luftimin e krimit të organizuar.

Në rekomandimet e Raportit të fundit të Komisionit Evropian, kur është fjala për fushën që mbulon  kjo Prokurori, nënvizohet veçmas nevoja e:

“- vazhdimit të ndërmarrjes së masave për luftë kundër korrupsionit  me rritjen e mbështetjes për organet përgjegjëse për zbatimin e strategjisë kombëtare  për pengimin e korrupsionit dhe të konfliktit të interesave dhe zbatimin me efikasitet të rekomandimeve të GREKO-së;

– t’i jepen resurse të mjaftueshme  Prokurorisë Themelore Publike për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë këtu dhe ekspertë financiarë, me qëllim të sigurimit të përgjegjësisë efektive për lëndët e korrupsionit të nivelit të lart;

– të vazhdohet rritja e numrit të aktgjykimeve të plotëfuqishme për lëndët e korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë këtu dhe konfiskimin e mjeteve kriminale, konfiskimin e mbështetur në vlerë, konfiskimin  në bazë të vlerës, konfiskimin e zgjeruar dhe konfiskimin nga pala e tretë…”

Islam Abazi këtë të martë la të kuptohet se është i vetëdijshëm për sfidat që e presin: “Të fillojmë punën!”– tha në takimin е tij të parë me gazetarë.

Abazi  është bërë kështu shqiptari i parë në krye të Prokurorisë për Luftimin e Krimit të organizuar dhe të Korrupsionit. Në zgjedhjet e së hënë ai mori 66 vota nga gjithsej 163 prokurorë. Në vendin e dytë përfundoi prokurori i Shkupit, Ermon Neziri, me 64 vota.

Të fundit