E diel, 27 Prill, 2025

TAKIMI PA EPILOG, PASQYRË E MUNGESËS SË VULLNETIT PËR TË DALË NGA RRUGA QORRE

Pa ndonjë epilog ka përfunduar takimi i liderëve të partive politike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Analistët politikë theksojnë se mungesa e një epilogu të dëshirueshëm është pasqyrë e aktualitetit politik të shoqërisë ku nuk ekziston vullnet për të dalë nga rruga qorre në të cilën gjendet vendi një kohë të gatë. “Procesi i eurointegrimeve është moment i mirë për t’i zgjidhë disa nyje që e ngulfatin ecjen përpara të vendit, por është e qartë se Maqedonia e Veriut nuk ka potencial politik, por as edhe një autoritet politik i cili me ndikimin e vet do t’i tejkalonte interesat e ngushta partiake. Gjithashtu edhe partitë shqiptare e lëshuan rastin të paraqiten me qëndrim të përbashkët me çka qëndrimi i tyre do të fitonte në peshë. Pas gjithë kësaj mbetet të shpresojmë se diplomacia do të vihet në lëvizje dhe se megjithatë do të arrihet një marrëveshje në ditët në vijim”, thekson për KDP analisti politik Ibrahim Mehmeti.


Shkruan: Enis Shaqiri

Ka përfunduar pa epilog takimi i sotëm i liderëve të partive politike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, për ndryshim të Kushtetutës, me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në pjesën e preambulës si popull shtetformues.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në deklaratën e tij për media ka nënvizuar se takimi ka qenë i një rëndësie të veçantë, ku të gjithë liderët e pranishëm i kanë shpalosur qëndrimet e tyre, dhe se në takim sipas tij është folur kryesisht për ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen në raport me hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të vendit në BE.

Sot në takim nuk u morën vendime në bazë të të cilave do të mund të thonim se diçka që ishte propozua ishte pranuar. Megjithatë, arritja më e madhe ishte se të gjithë u ulëm në një tavolinë dhe mund t’i këmbenim mendimet dhe qëndrimet e çdo lideri politik në raport me rrugën evropiane të shtetit tonë”, theksoi pas takimit kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Analisti politik Ibrahim Mehmeti thekson për KDP se mungesa e epilogut është pasqyrë e qartë e aktualitetit politik në RMV. Sipas tij, partitë shqiptare e lëshuan rastin që të paraqiten me një qëndrim të përbashkët.

Kjo që ndodhi në takimin e liderëve dhe mungesa e një epilogu të dëshirueshëm është pasqyrë e aktualitetit politik të shoqërisë ku nuk ekziston vullnet për të dalë nga rruga qorre në të cilën gjendet vendi një kohë të gjatë. Sipas meje, procesi eurointegrativ është moment i mirë për t’i zgjidhë disa nyje që e ngulfatin ecjen përpara të vendit, por është e qartë se Maqedonia e Veriut nuk ka potencial politik, por as edhe një autoritet politik i cili me ndikimin e vet do t’i tejkalonte interesat e ngushta partiake. Gjithashtu edhe partitë shqiptare e lëshuan rastin të paraqiten me qëndrim të përbashkët me çka qëndrimi i tyre do të fitonte në peshë. Pas gjithë kësaj mbetet të shpresojmë se diplomacia do të vihet në lëvizje dhe se megjithatë do të arrihet një marrëveshje në ditët në vijim”, thekson Mehmeti për KDP.

Kreu i Integristëve, Ali Ahmeti e ka vlerësuar si pozitiv takimin e sotëm të liderëve politik, me shpresë se takimet e tilla do të vazhdonin edhe në të ardhmen. Sipas Ahmetit, takimi ishte zhvilluar me debat të hapur, konstruktiv dhe me dallime në qëndrim nga liderët e shumicës parlamentare dhe opozitës.

Mbi të gjitha prioritet i është dhënë ndryshimeve kushtetuese dhe kur të hapet një diskutim i tillë, sigurisht që duhet parë se cili është prioriteti kryesor në situatën ku ne ndodhemi edhe do të ndërtojmë qëndrime rreth kësaj çështjeje”, ka theksuar Ahmeti.

Nga ana tjetër Hristijan Mickoski, nga radhët e VMRO-DPMNE-së ka theksuar se nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese.

Partitë të bisedojnë për krizën ekonomike, vështirësitë e qytetarëve për ta përballuar dimrin, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë elektrike, por që edhe ngjarjet duhet të vijojnë me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare,pasiqë shumicë për ndryshime kushtetuese nuk ka”, tha kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

U.D kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tha se si parti janë pro hapjes së Kushtetutës dhe futjen e komuniteteve të tjera në Kushtetutë, por që me hapjen e saj të hiqet dhe 20% për shqiptarët.

Hapja e kushtetutës duhet të ndodh sepse Maqedonia nuk ka alternativë tjetër. Futja e bullgarëve nuk e cenon identitetin e shtetit. Kjo mundësi e hapjes mundëson edhe hapjen e çështjeve të tjera, siç është heqja e 20 për qindëshit për definicionin e shqiptarëve. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë në krah të maqedonasve kur vjen puna te gjuha, prandaj edhe këta të fundit duhet të na ndihmojnë në mënyrë reciproke.” tha Taravari.

Në takim morën pjesë lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i PDSH-së Menduh Thaçi,i Alternativës Afrim Gashi, i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, liderja e RDM-së Maja Morachanin dhe i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov.

Ndërkaq në takimin e liderëve  nuk morën pjesë Bilall Kasami nga Levizja Besa si dhe Apasiev nga “E Majta”.

Kujtojmë se sipas afateve më të shkurtra, nevojiten së paku tre muaj e gjysmë për finalizimin e tre fazave nga procedura për ndryshim të Kushtetutës.

Në fazën e parë, Kuvendi me 2/3 e shumicës duhet të sjellë vendim për hapjen e Kushtetutës. Në fazën e dytë, duhet që të konfirmohen propozim amandamentet ku për këtë nevojiten vetëm 61 vota, ndërsa faza e tretë përfshinë miratimin e amandamenteve për çka nevojitet së paku 80 vota të deputetëve.

Të fundit