Autor: Xhelal Neziri
DY PROCESE KONKURRENTE?
Procesi i Berlinit u ringjall aty ku filloi – në kryeqendrën gjermane. Ky Proces, i nisur nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014, ishte ndër nismat më serioze për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian (BE). Samiti i 3 nëntorit dha një përgjigje të qartë ndaj dilemës për fatin e kësaj iniciative pas pensionimit të Merkelit nga politika – Procesi i Berlinit do të vazhdojë edhe nën udhëheqjen e kancelarit të ri, socialdemokratit Olaf Scholz. Nënshkrimi i tri marrëveshjeve për lëvizje të lirë të njerëzve me letërnjoftime dhe për njohje të ndërsjellë të diplomave midis gjashtë shteteve të BP-së rikthen Procesin e Berlinit sërish në nismën më serioze dhe më shpresëdhënëse të rajonit.
A do të thotë kjo se me këtë i është dhënë fund nismës Open Ballkan, i nisur në vitin 2019 nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut? Përgjigjja është JO. Open Ballkan do të vazhdojë të jetë nisma paralele për arritjen e të njëjtave qëllime me Procesin e Berlinit: lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, kapitalit dhe mallrave.
Këto dy iniciativa duket se e konkurrojnë njëra-tjetrën. Samiti i fundit në kuadër të Procesit të Berlinit u mbajt në vitin 2020 në Sofje, ndërkohë që boshllëku i krijuar pas tërheqjes së Merkelit nga politika dhe nga ngërçi i zgjerimit të BE-së u përmbush nga nisma e Open Ballkan. Në këto dy vite ka pasur një komunikim të ngjeshur në relacionin Beograd-Tiranë-Shkup dhe janë mbajtur tri samite, që kanë prodhuar marrëveshje për lëvizje të mallrave pa pritje në kufi, për ndihmë të ndërsjellë në rast fatkeqësish dhe për tejkalim të krizës energjetike. Njohja e diplomave, mënjanimi i barrierave administrative për kompanitë, agjencia e përbashkët për investime, fondi i përbashkët i filmit dhe organizimi i ngjarjeve të përbashkëta kulturore, janë projekte të marrëveshura por që s’kanë dhënë ende rezultate.
PROBLEMI I TARGAVE
Mangësia e Open Ballkan është mungesa e një përfshirjeje të plotë të gjatë vendeve të BP-së. Kosova është kundër, ndërkohë që Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë një qëndrim të qartë për ose kundër kësaj nisme. Në këtë segment është përparësia e Procesit të Berlinit, i cili është gjithëpërfshirës dhe me autoritet të lehtësojë kapërcimin e problemeve të mëdha në rajon, sidomos atij midis Prishtinës dhe Beogradit.
Propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e problemit Prishtinë-Beograd parasheh që vitin e ardhshëm të nënshkruhet një marrëveshje tjetër për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, njëjtë si ajo e vitit 2013. Në këtë marrëveshje propozohet që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare kurse pas 10 vitesh, kur ajo të jetë në prag të anëtarësimit në BE, edhe faktikisht ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. Ky propozim u prit me rezerva nga Prishtina, por u kundërshtua nga Beogradi, sidomos nga rryma pro-ruse në qeverinë serbe, e përfaqësuar nga Ivica Daçiq, kryetar i Parisë Socialiste të Serbisë dhe zv/kryeministër.
Mungesa e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Samitin e Procesit të Berlinit javën e kaluar ishte përgjigjja e tij ndaj Olaf Scholz-it dhe Emmanuel Macron-it ndaj propozimit të tyre për zgjidhje të nyjës kryesore ballkanike. Problematizimi i targave të Kosovës deri në kufi të një konflikti të ri të armatosur, ndërkohë, është rezultat i aktiviteteve të rrymave pro-ruse që dëshirojnë të minojnë çdo normalizim të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Serbia është pajtuar me këto zgjidhje që në vitin 2011, kur në Bruksel është arritur Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me Kosovën. Kjo marrëveshje përcakton heqjen e targave serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), dhe zëvendësimin e tyre me RKS (Republika e Kosovës). Këto tabela nuk vlejnë nëse qytetarët e Kosovës hyjnë në territorin e Serbisë dhe të njëjtat zëvendësohen me targa të përkohshme. Për të evituar këtë pengesë, në marrëveshje Kosova është obliguar që në vend të targave RKS, për pesë vite të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar. Pas pesë viteve, pra në vitin 2016, Kosova është pajtuar që vazhdojë lëshimin e targave KS edhe për pesë vjet. Në shtator të vitit 2021 skadon edhe ky afat, ndërkohë që tentimet e qeverisë së Ksoovës për të zbatuar marrëveshjen kanë dështuar shkaku i refuzimit të serbëve etnikë. Refuzimi lidhet me moszbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një zgjidhje e arritur në kuadër marrëveshjes së arritur në vitin 2013, e harmonizuar në Bruksel në vitin 2015. Në dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte konstatuar se parimet e Asociacionit nuk janë harmonizuar plotësisht me Kushtetutën e Kosovës, duke e ndalur kështu zbatimin e Marrëveshjes. Problem, sipas Gjykatës Kushtetuese, është fakti se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet por se bashkon komuna të një etnie.
Tërheqja e ministrave, gjykatësve, policëve, doganierëve dhe administratorëve serbë nga institucionet e Kosovës kushtëzohet pikërisht me zbatimin e Asociacionit.
PRAPAVIJA
Mungesa e Vuçiqit në Berlin dhe dërgimin e kryeministres Ana Bërnabiq në Samit ka hapur shumë dilema në opinion. Tërheqja e serbëve etnikë nga institucionet e Kosovës është hapi më radikal që deri më tani është ndërmarrë për të refuzuar sovranitetin e shtetit kosovar. Informacionet për operim të personave të armatosur në Veri kanë shtuar shqetësimet për mundësinë e përplasjeve të armatosura, të cilat mund të rikthenin luftën e vitit 1999.
Çfarë dëshiron Vuçiq të arrijë me këtë? Ka dy qëllime: e para, të varrosë propozimin Franko-Gjerman dhe e dyta – të krijojë ambient të përshtatshëm për zbatimin e Asociacionit.
Në tërë këtë periudhë nuk përjashtohen as interesat e Rusisë, e cila që nga viti 1999 dëshiron që të konservojë status quo-në që i jep më shumë hapësirë për ndikim në rajon. Të shtunën Vuçiq ka takuar ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd, të cilët i kanë dhënë mbështetje në “mbrojtjen e sovranitetit të Serbisë” në Kosovë. Ndërkohë që ka realizuar një bisedë telefonike dhe me ambasadorin e SHBA-ve, i cili ka mbështetur propozimin franko-gjerman.