E premte, 12 Korrik, 2024

TENSIONE NË KOSOVË, SERBËT BRAKTISIN INSTITUCIONET

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit, njoftoi REL, përcjell kdpolitik.com.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Rakiq ka thënë të shtunën se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.

Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.

Ai ka mbajtur pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion.

Në emër të punonjësve në sistemin gjyqësor, dorëheqje ka dhënë Nikolla Kabashiq, kryetar i Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar të shtunën të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.

“Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur të shqetësuara për situatën në veri dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë për reflektim.

Ndërkohë Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një mbledhje të shtunën për të diskutuar, siç është thënë, rreth situatës në Kosovë.

Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një postim në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë për të informuar Qeverinë për “situatën në të cilën është Serbia”.

Edhe pas takimit me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, Vuçiq ka përsëritur se “Serbia vazhdon të zbatojë politikën e paqes dhe stabilitetit” dhe se “vazhdon të jetë e përkushtuar në respektim të ligjit ndërkombëtar”.

Serbia llogarit në Kinën kur është fjala për statusin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.

As Serbia, as Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, zyrtarët serbë tentojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me ambasadorin rus në Beograd, Bocan Harchenko dhe me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

Ndryshe, në javët e fundit në veri të Kosovës janë regjistruar katër raste të djegies së makinave të pronarëve serbë, të cilët i kanë regjistruar ato në targa RKS.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se këto raste paraqesin “frikësim” për qytetarët që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

 

Të fundit