E diel, 27 Prill, 2025

MASAT KUNDËR KRIZËS E KANË HUMBUR EFEKTIN

Rënia e thellë ekonomike ka çuar në rritjen e niveleve të varfërisë dhe përjashtimit social. Efektet e krizës duket se janë më të këqija në vitin 2022 se në vitet e mëparshme, pasi ndikimi i krizës dhe masat antikrizë duket se kanë një efekt të fortë të vonesës kohore. Disa masa kundër krizës janë prezantuar në vëllime të vogla, kur ishte plotësisht e mundur rritja e vëllimit dhe segmentit të synuar të këtyre ndihmave.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Vendimet e reja të cilat solli qeveria, u mundësojnë kompanive që prodhojnë produkte ushqimore bazë, si dhe shkollave të mesme dhe atyre fillore, ndërmarrjeve publike të ujësjellësit dhe të largimit të ujërave të zeza, të lidhin kontratë me ESM Sales dhe të kenë energji elektrike më të lirë. Duke u dhënë qasje në energji më të lirë kompanive që prodhojnë produkte ushqimore bazë, kryeministri Dimitar Kovaçevski u shpreh se kjo gjë do të ndikojë përfundimisht në stabilizimin e çmimeve të produkteve finale që prodhohen dhe shiten nga këto kompani.

Në ndihmë të qytetarëve gjithashtu është vendosur edhe masa për ngrirjen e çmimeve të druve të zjarrit të dushkut dhe ahut dhe peletit të druve të zjarrit, dhe njëkohësisht me të u hoq edhe vendimi për ngrirjen e marzhës për dru dhe pelet. Çmimi më i lartë për një metër kub arrin deri në 6.429 denarë, si dhe çmimi për pelet është caktuar deri në 27 denarë për kilogram.

Në lidhje me propozim buxhetin për vitin 2023 Ministri i Financave Fatmir Besimi u shpreh, se nga një deficit prej 700 milionë eurosh, 250 milionë janë për përballimin e pasojave të krizës energjetike, të cilat në varësi të nevojave do të përdoren për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët, 220 milionë janë për pagesat e interesit, dhe 250 milionë për ndërtimin e Korridorit 8. Ministri gjithashtu theksoi se rritja ekonomike e parashikuar për vitin e ardhshëm pritet të jetë 2.9 për qind, ndërsa për sa i përket inflacionit, parashikimet janë 7.1 për qind.

Inspektori Afrim Osmani, nga Inspektorati Shtetëror i Ushqimit dhe Veterinarisë u shpreh, se qeveria duhet të ketë angazhime të qarta dhe specifike për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe ushqimin, të cilat nuk duhet të neglizhohen në periudhën e trazirave që po kalojmë.

“Unë mendoj se kriza e ka bërë të qartë se ne kemi nevojë urgjente për të siguruar akses në ushqim të përballueshëm, të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm për njerëzit në Maqedoninë e Veriut. Ne si inspektorat bëjmë thirrje që të mbështeten zgjidhje të reja dhe të qëndrueshme, për transformimin e sistemeve ushqimore, si dhe duhet theksuar nevoja për zgjidhjen ndërsektoriale për sfidat e ndërlidhura të sigurisë ushqimore, sigurisë, dhe të ushqyerit. Pra duhet të identifikohen objektet për realizimin e këtyre zgjidhjeve. Ne momentalisht dëshirojmë të realizojmë një projekt, i cili do të marrë në konsideratë ndryshimet që po ndodhin, si dhe do të trajtojë shqetësimet se konflikti global, paqëndrueshmëria ekonomike dhe pasiguria ushqimore do ta largojnë vëmendjen nga transformimi i sistemeve ushqimore dhe ekskluzivisht drejt menaxhimit të krizave”, tha Osmani.

Sa i përket rritjes së çmimeve, Osmani u shpreh se është e nevojshme që qytetarët të kenë qasje në çmime të drejta të produkteve, si dhe t’u jepen ndihma shtesë kur bëhet fjalë për tregjet e energjisë.

“Ajo që është më e rëndësishme do të thosha unë në këtë periudhë që po kalojmë, është që qytetarëve t’u sigurohet akses në çmime të drejta ushqimore dhe të mbrohen nga rritja e çmimeve të tepërta dhe të pajustifikuara të ushqimit dhe duhet të mbrohen nga pasiguria ushqimore. Ndërsa kostot në rritje i vendosin qytetarët në skajin e mprehtë të forcave të tregut dhe pasojave gjeopolitike, dhe me nevojën urgjente për të shmangur ndryshimet katastrofike klimatike, thirrjet për të përshpejtuar një tranzicion të gjelbër dhe të barabartë të energjisë po bëhen gjithnjë e më të forta. Kjo do të ndihmonte për mbrojtjen shtesë të qytetarëve, ndërsa lundrojnë në teknologjitë e reja dhe tregjet e energjisë”, tha Osmani.

 

 

 

 

 

Të fundit