E diel, 27 Prill, 2025

FORMULIMI “20%” ABSURD, HEQJA NËNKUPTON DALJE NGA “ANONIMITETI” KUSHTETUES

Është hapur debati mes partive shqiptare për heqjen e “20-përqindëshit” në kushtetutë. Njohësit e rrethanave politike janë pro këtij vendimi, ndërkohë që theksojnë se ky formulim është dashur të hiqet që moti. Publicisti Daut Dauti thotë se nuk është kurrfarë humbje apo fitore e madhe për dy komunitetet më të mëdha etnike që ta fshijnë atë. “Fundja, nëse shikojmë mbrapa, do të shohim se në kushtetutën tejet të avancuar të vitit 1974, këso kategorizimesh me përqindje nuk ka pasur”, thotë ai. Ndërkohë, analisti Besim Nebiu thekson se “20 përqindëshi” është formulim absurd, kompromis i vitit 2001 për të adresuar aversionin e nacionalizmit maqedonas ndaj çdo përmendjeje të drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Si i tillë, nuk duhet të ekzistojë sa më shpejt.

 Shkruan: Gentuar Ismaili

Etnia e dytë më e madhe në RMV, shqiptarët, në Kushtetutë ende figurojnë si 20%, pavarësisht që me regjistrimin më të ri të popullsisë figurojnë se janë rreth 30%.

Ndër vite ka pasur iniciativa të ndryshme për ndryshimin e së njëjtës, por ato kanë mbetur në nivel të deklaratave politike por jo edhe veprime konkrete. Pasi që u hap debati për ndryshimin e Kushtetutës për përfshirje të disa komuniteteve të caktuara, politikanët shqiptarë kanë dalë me një qëndrim të përbashkët, se janë pro heqjes së formulimit “20”. Njohësit e rrethanave politike, thonë se janë pro këtij vendimi pasi sipas tyre, kjo është dashur të hiqet që moti.

Publicisti Daut Dauti thotë se heqja e “20%” është në interes të shqiptarëve që të dalin nga “anonimiteti” kushtetues.

“Nuk është kurrfarë humbje apo fitore e madhe për dy komunitetet më të mëdha etnike që ta fshijnë atë. Fundja, nëse shikojmë mbrapa, do të shohim se në kushtetutën tejet të avancuar të vitit 1974, këso kategorizimesh me përqindje nuk ka pasur. Këtë e rikujtoj për ata që kanë krijuar paragjykime dhe mendojnë se nëse hiqet 20-përqindëshi, do të humbë dikush. Jo, vetëm vendosen gjërat në suaza normale. Kuptohet se është interes i shqiptarëve, që të dalin nga ‘anonimiteti’ kushtetues, edhe pse vetë emri mund të mos ndryshojë gjë të madhe në esencë, pasi esenca është siguruar në nivel shumë të lartë edhe përmes ’20-përqindëshit'”, u shpreh publicisti Dauti.

Ndërkaq, analisti politik Besim Nebiu thekson se “20%” është formulim absurd.

“20 përqindëshi është formulacion absurd, kompromis i vitit 2001 për të adresuar aversionin e nacionalizmit maqedonas ndaj çdo përmendjeje të drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Si i tillë, nuk duhet të ekzistojë sa më shpejt. Kërkesa e partive shqiptare është me vend, dhe si e tillë duhet sa më shpejt të kalojë në procedurë parlamentare. Besoj se edhe partitë maqedonase kanë evoluar nga nacionalizmat e viteve të 90, dhe e shohin këtë korrigjim si një gjë normale”, u shpreh Nebiu.

Përndryshe, Lëvizja Besa njoftoi se në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore ka vendosur që të organizojë tryezë me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim që të dalin me një qëndrim unifikues në rast të votimit të ndryshimeve kushtetuese.

Të fundit