E diel, 27 Prill, 2025

MENDJEKTHJELLËTI VLADIMIR GLIGOROV

Këtë javë në Vjenë, në moshën 78 vjeçare, u shua ekonomisti dhe politikologu i njohur, Vladimir Gligorov. Ishte ndër njohësit më të mirë të zhvillimeve ekonomiko-politike në ish-Jugosllavi. Si të këtillë do ta mbaj mend, pikërisht për shkak të kthjelltësisë në gjykim dhe guximit për të vënë pikat mbi I-në. Si i këtillë ishte pikë reference në analizat për atë që ndodhi e po ndodhë tek ne e mes nesh.

Vladimir Gligorov përfundoi studimet universitare dhe master në Beograd dhe doktoroi në vitin 1977 në Universitetin Columbia në Nju – Jork. Ishte pedagog në Universitetin e Beogradit, kurse nga viti 1994  u bë pjesë e Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, ku më së shumti u mor me Ballkanin Perëndimor, veçanërisht Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një bashkëpunëtor i përhershëm i Oxford Analytics, një firmë konsulence ndërkombëtare që ofron analiza strategjike të ngjarjeve botërore, shkruante për Wall Street Journal dhe kishte rubrika të rregullta në disa të përditshme dhe të përjavshme në Evropën Juglindore, përfshirë këtu dhe portalin ku po e lexoni këtë shkrim. Në shenjë përkujtimi, prandaj, më poshtë ju sjellim një fragment nga studimi- libri i tij “Përse shpërbëhen vendet? Rasti i Jugosllavisë”(botues:Peščanik, Beograd, 1994).

PËRGATITI: SELADIN XHEZAIRI

Problemi i Kosovës vështirë se zgjidhet pa pjesëmarrje të qëndrueshme ndërkombëtare

“…Ndonëse Jugosllavia nuk ishte shtet i drejtë, ajo ishte shtet. Garantonte sigurinë e qytetarëve të saj. Etnitë e ndryshme në Jugosllavi kishin ide kontradiktore se si duhet të dukej shteti i tyre dhe në fund nuk ia dolën të arrijnë një konsensus. Por shtetet etnike të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë në shumicën e rasteve madje nuk janë as shtete. Serbia është një shtet pa kufij të përcaktuar qartë. Ajo shtrihet përtej kufijve të saj zyrtarë, jo vetëm në Republikën Federale të Jugosllavisë (federata e Serbisë dhe Malit të Zi), por edhe në territoret e zotëruara nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci, por nuk shtrihet (përveç pranisë së saj ushtarake dhe policore ) në kufijtë e saj zyrtarë në Kosovë. Problemi i Kosovës është vështirë të zgjidhet pa pjesëmarrje të përhershme ndërkombëtare.

Por në fund do të bëhet e qartë se madje edhe problemi serb është i pazgjidhshëm pa pjesëmarrjen e përhershme ndërkombëtare. Serbia është zhvilluar në një forcë pa qëllim. Është e vështirë të pritet që ajo të imagjinojë ndonjëherë ndonjë interes të realizueshëm kombëtar rreth të cilit do të organizonte shtetin e saj. Nëse nuk gjendet zgjidhje për Kosovën, mungesa e drejtimit do të mbetet konstante, bile edhe duke supozuar se të gjitha problemet e tjera disi do të zgjidhen. Po,  çfarë mund të ishte kjo zgjidhje? Kroacia, po ashtu,  është një shtet pa kufij. Ajo shtrihet në Bosnjë dhe Hercegovinën, por jo edhe në të gjithë zonat serbe në Kroaci. Në fakt, gjatë marrjes së disa vendimeve kyçe shtetërore, ajo duhet dhe do të duhet të edhe në të ardhmen sigurojë pëlqimin e serbëve në Kroaci dhe të qeverisë serbe. Rasti i Kroacisë ilustron saktësisht mbizotërimin e interesave politike ndaj atyre ekonomike.

Kostoja e shkëputjes së Kroacisë në planin e pasurisë, të të hyrave, vetë mundësisë së komunikimit (pra siguria) është tejet e lartë dhe afatgjatë. Për sa i përket sovranitetit ekonomik, Kroacia tani duhet të negociojë me një qeveri të pastër serbe në Beograd (në krahasim me atë mëhershmen jugosllave) dhe me qeverinë e Krajinës serbe në Knin. Pozicioni i saj negociues, thënë më but, është përkeqësuar. Ajo duhej të mbështetej në përkrahjen ndërkombëtare për t’u bërë sovrane dhe për të mbijetuar do t’i duhej të mbështetet përgjithmonë në faktorët ndërkombëtarë. Bosnja dhe Hercegovina do të jetë një shtet vetëm nominalisht, ose jo aq. Këtu shohim të njëjtin problem të padrejtësisë thelbore, të përkeqësuar edhe më tepër nga lufta e egër civile që do të vazhdojë duke prodhuar paqëndrueshmëri të përhershme. Shteti nuk do të jetë në gjendje të mbrojë qytetarët e vet pa pjesëmarrjen e përhershme ndërkombëtare. Dhe kjo do të thotë të njëjtën gjë si në Lindjen e Mesme: përfshirjen e të gjithë botës.

Zgjidhjet që do të bëhen në Gjenevë, Nju-Jork, Uashington, Moskë apo në ndonjë vend tjetër, tani ose më vonë, janë zgjidhje fatkeqe, sepse në përpjekje për të zgjidhur problemin akut të luftës civile, ato do të krijojnë një zonë problematike të përhershme që ka për të alarmuar goxha gjatë fuqitë botërore. I vetmi shtet që doli nga Jugosllavia është Sllovenia. Në polin tjetër është Maqedonia, e cila nuk është një shtet plotësisht i njohur, pra ajo është një shtet pa emër. Ajo shihet nga bashkësia ndërkombëtare si një aranzhman i përkohshëm. Ajo gjithashtu do të ketë nevojë për një angazhim ndërkombëtar në rritje. Do të mbështetet në balancën e forcave dhe do të kërkojë një shkallë shumë të lartë  të drejtësisë politike për të shmangur ndarjet e mëtejshme. Është reale të thuhet se kjo është e vështirë të arrihet pa mbështetjen aktive të Komunitetit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Në gjithë këtë, problemi i Kosovës është shtyrë anash tërësisht. Meqenëse ai nuk do të fashitet, ky do të jetë faktor i brendshëm destabilizues. Në vepër do të jenë edhe interesat e jashtme, gjithandej ish-Jugosllavisë, që po ashtu  gajtë gjithë kohës do të veprojnë si një faktor destabilizues. Më e shumta që mund të shpresojmë është një armëpushim i përhershëm në Ballkan, ndërkohë që nuk duhet pritur stabilitet. Për ta përmbledhur, me përjashtim të Sllovenisë, vendet e ish-Jugosllavisë po shkojnë drejt destabilitetit afatgjatë. Nëse burimet e destabilitetit institucionalizohen fort dhe sigurohen ndërkombëtarisht, siç po duket tani ashiqare, ky rajon do të vuajë nga prapambetja ekonomike afatgjatë dhe do të pjellë padrejtësi politike dhe të tjera, siç ka ndodhur edhe gjatë gjithë historisë së Ballkanit…”.

Të fundit