Në qoftë se në hapjen e kaluar të kushtetutës, çështjet të cilat pësonin ndryshime kishin të bëjnë më shumë me problematikën e legalitetit të shtetit, me theks të veçantë në politikën e jashtme, këtë radhë detyrimi për ndryshime kushtetuese si parakusht për hapjen e plotë të negociatave me BE duke përfshirë edhe pjesën e bullgarëve dhe popujve të tjerë në kushtetutë, ka më tepër karakter të brendshëm dhe që merret me rregullimin e marrëdhënieve mes etnive, andaj kërkesa për ndryshimin e definimit “20%” që vjen nga të gjitha subjektet politike shqiptare por edhe e aktorëve tjerë shoqëror është e drejtë, e qëndrueshme dhe do t’i shërbej pozitivisht të gjithëve.
Shkruan: Sefer Selimi Jr.
Pas sagës për hapjen e negociatave me BE-në dhe veton bullgare që ishte e bazuar në kërkesa anakronike mbi identitetin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, e me theks të veçante mbi gjenezën dhe pranimin e gjuhës maqedonase, besoj që debati mbi gjuhën shqipe duhet të jetë më racional dhe bashkëqytetarët tanë ta kuptojnë përgjithmonë se gjuha shqipe nuk është rrezik për identitetin dhe shtetin e Maqedonisë së Veriut, por përkundrazi, është element që e forcon edhe më tej shtetësinë e saj. Besoj që nuk ka pasur ndonjë maqedonas që nuk është ndjerë i fyer kur Sofja zyrtare i referohej gjuhës maqedonase si “gjuha e definuar sipas kushtetutës së shtetit”. As që mendoj se dikush ka mbetur me shpirt të qetë kur me tone shoviniste mundohej të përjashtohej nga komunikimi zyrtar në familjen e madhe të gjuhëve zyrtare në Bashkimin Evropian. Në të gjithë këtë sagë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe ata të Shqipërisë duke përfshirë edhe Tiranën zyrtare, bashkëndjenë dhe u solidarizuan karshi kësaj sjellje agresive dhe retrograde.
Duke u nisur nga kjo përvojë aktuale ma do mendja që opinioni i bashkëqytetarëve tanë maqedonas është pjekur dhe e dinë fyerjen që ndjell definimi i gjuhës shqipe në kushtetutë dhe ligjin për përdorimin e gjuhëve si “…gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve e që është ndryshe nga gjuha maqedonase”. Në qoftë se në hapjen e kaluar të kushtetutës, çështjet të cilat pësonin ndryshime kishin të bëjnë më shumë me problematikën e legalitetit të shtetit, me theks të veçantë në politikën e jashtme, këtë radhë detyrimi për ndryshime kushtetuese si parakusht për hapjen e plotë të negociatave me BE duke përfshirë edhe pjesën e bullgarëve dhe popujve të tjerë në kushtetutë, ka më tepër karakter të brendshëm dhe që merret me rregullimin e marrëdhënieve mes etnive, andaj kërkesa për ndryshimin e definimit “20%” që vjen nga të gjitha subjektet politike shqiptare por edhe e aktorëve tjerë shoqëror është e drejtë, e qëndrueshme dhe do t’i shërbej pozitivisht të gjithëve. Njëzet vite pas konfliktit të armatosur, kjo e drejtë është pjekur për t’u konsumuar e plotë, siç i takon, si ‘’Gjuhë shqipe’’.
Megjithatë opsioni ‘’…gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve…’’ duhet të ngelet, dhe në këtë mënyrë t’iu mundësohet edhe komuniteteve tjera që të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre gjuhësore në pushtetin lokal. Askush nuk humb nga diversiteti, askush nuk humb nga gjuha e tjetrit e më pak humbin qytetarët. Humbës të vetëm nga ndryshimi i këtij definicioni do të jenë politikanët popullist, të cilët ndër vite e kanë shfrytëzuar, mundohen ta shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë edhe në të ardhmen si kalë beteje për të mbledhur vota, ndërkohë që do të vazhdojnë të vjedhin qytetarët dhe votuesit e tyre.
Nëse bashkëqytetarët tanë maqedonas do të kenë nevojë për argumente shtesë, ato nuk ka nevojë t’i kërkojnë askund tjetër, mjafton që të kthehen tre muaj pas në kohë dhe do t’i gjejnë tek argumentet e veta, të përdorura në kohën kur gjuha maqedonase mohoj, fyhej dhe nënçmohej. Ndjej keqardhje që edhe ata u detyruan të kalojnë përmes një eksperience të tillë, por shpresoj që kjo përvojë t’i ketë pjekur më shumë duke u ndihmuar që të kuptojnë ndjesinë tonë, tash e tri dekada me radhë dhe të gjejnë forcën për të kaluar idetë e së shkuarës për të hapur dyert e së ardhmes.