E premte, 19 Korrik, 2024

TË RINJTË QË NUK DUAN TË LARGOHEN, DIMENSIONI SHPIRTËROR VENDIMTAR

Trendi i ikjes së të rinjve ka shënuar rritje dramatike, ndërkohë që në sfond shfaqen faktorë të shumtë që kërkojnë hulumtime më të thella. Sidoqoftë, ka edhe të rinj që nuk duan ta braktisin vendin, pavarësisht vështirësive me të cilat ballafaqohen. Ata thonë se është dimensioni shpirtëror që i mban të lidhur me vendlindjen edhe atëherë kur përballen me sfida të shumta. Sipas tyre, edhe këtu një i ri mund të jetë i suksesshëm.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Dëshira e të rinjve për ta lëshuat vendin dhe për të shkuar në shtetet perëndimore po rritet çdo ditë e më shumë. Disa për jetë më të mirë dhe disa për sistem arsimor e shëndetësor më të mirë, e të tjerët sepse është bërë trend i të rinjve. Mirëpo, jo të gjithë të rinjtë i nënshtrohen kësaj arratie që përcaktohet nga shumë faktorë. Për një grup të të rinjve që mendojnë ndryshe, që të jetuarit në vendlindje dhe të kontributi në vendin ku kanë lindur dhe janë shkolluar është zgjidhja më e mirë.

Ata i vënë në dukje sfidat dhe vështirësitë e shumta në vend, por vlerësojnë se megjithatë edhe këtu një i ri mund të jetë i suksesshëm. Jo gjithçka, ata, e ndërlidhin me gjërat materiale, ndërkohë që i japin rëndësi edhe jetës shpirtërore si një dimension pa të cilin nuk munden.

Juristja e diplomuar Emine Akija nuk e sheh si zgjidhje ikjen në perëndim, por edhe studenti Jahja Abazi ndan mendimin se lidhja shpirtërore është ajo që e mban më të lidhur për vendlindjen. Emine Akija nuk pajtohet që për shkaqe ekonomike të largohemi nga vendi sepse njeriu është qenie që sa ka aq harxhon.  “Kur e ke në rend të parë vendlindjen, aty gjithçka të duket e bukur. Pastaj, kam edhe familjen këtu. Dhe mendoj se atë që është e shkruar do ndodh kudo që shkojmë dhe jemi dhe nuk mendoj se është zgjidhje ta lëshojmë vendlindjen. Mendoj se jashtë vendit asnjëherë nuk do të llogarisin si i vendit, vendlindja është ajo e cila ta jep mundësinë me qenë vetja pavarësisht se vendi jonë ka një ekonomi jo shumë të zhvilluar, është vend ku ti je i lumtur me aq sa punon dhe vepron. Njeriu është qenie e tillë sa ka edhe harxhon. Në çdo vend ka rënie dhe ngritje të standardit jetësor, por varet se si e menaxhon atë. Porosia ime është, shkollohuni dhe veproni më mirë në atdhe se sa ne Perëndim. Edhe këtu ka perspektivë për njerëzit që duan të arrijnë sukses”, thotë juristja Akija. Ndërkaq, studenti Jahja Abazi thotë se arsyeja pse nuk e braktisë  vendin është se ka dëshirë të mbajë balancë midis arsyes dhe shpirtërores. “Nuk është arsyeja, por ajo që më mban mua këtu është shpirtërore. Sepse unë kam dëshirë të bëjë një balancë mes shpirtërores dhe arsyes siç janë paraja, veturat, të mirat materiale.  Nëse nga 10 pikë, do të shfrytëzoja 7 për arsyen dhe 3 për shpirtëroren siç është kombi, feja dhe familja, jo sikur disa 9 për arsyen dhe 1 për shpirtëroren, sepse me një pikë nuk mund ta fusësh kombin, fenë dhe familjen”, thotë studenti Abazi.

Përndryshe, sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë që u realizua nga ESHS-ja në maj të 2022 del që rreth 200 mijë qytetarë janë jo rezident apo thënë ndryshe janë jashtë vendit.

Të fundit