E shtunë, 13 Korrik, 2024

REFORMA (E MUNGUAR) E ARSIMIT TË LARTË NË SHQIPËRI

Prandaj pika nga ku duhet të fillojmë është financimi i arsimit të lartë. Një ish-ministër gjerman i Financave para disa kohësh thoshte se “stabiliteti makroekonomik është asgjë; por pa stabilitetin makroekonomik, çdo gjë është asgjë”. Edhe në rastin konkret: rritja e pagave mund të mos jetë gjithçka për adresimin e problemeve të arsimit të lartë; por pa rritjen e pagave, çfarëdo investimi që do kryhej në këtë sistem nuk do të arrinte dobinë dhe efikasitetin e duhur. Prandaj edhe rritja e të ardhurave për punonjësit shkencorë është domosdoshmëri.

Shkruan: SELAMI XHEPA/TIRANË

Greva e pedagogëve dhe e punonjësve shkencorë të sistemit universitar na jep sërish rastin për të rihapur diskutimet për arsimin e lartë në Shqipëri. Edhe pse u konsiderua si “kryereforma” e mandatit të parë të qeverisë aktuale, duke shkuar gati në mesin e mandatit të tretë ligji vazhdon të mos jetë tërësisht funksional dhe ndryshimet ligjore që kërkoheshin në zbatim të tij vazhduan të zvarriten me vite. Pakti për universitetin që mbylli protestën studentore, shënoi njëherësh një kthim mbrapa nga parimet e ligjit.

Autonomia universitare dhe barazia e institucioneve të arsimit të lartë, pavarësisht pronësisë, vazhdojnë të jenë të cenuara rëndë. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të bëjë analizë të thelluar të gjendjes; të gjithë që punojmë në këtë sektor jemi mjaft koshientë rreth saj.

Çështja është se çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar gjendjen dhe për të krijuar një sistem të arsimit të lartë që është i hapur, kompetitiv dhe dobiprurës për ekonominë dhe shoqërinë, një sistem që qendërzon studentin si produkt i bartjes së dijes më të fundit në fushat përkatëse.

Universitetet nuk janë thjesht qendra të transmetimit të dijes, por para së gjithash të krijimit të saj. Prandaj edhe kërkimi shkencor është themelor për punën e një profesori. Dhe që kërkimi shkencor të jetë prioritar, duhet të ofrohen mjetet e duhura për këtë qëllim, duke filluar nga siguria ekonomike e kërkuesit shkencor, te baza laboratorike dhe mjetet e nevojshme të analizës dhe kërkimit shkencor.

Prandaj pika nga ku duhet të fillojmë është financimi i arsimit të lartë. Një ish-ministër gjerman i Financave para disa kohësh thoshte se “stabiliteti makroekonomik është asgjë; por pa stabilitetin makroekonomik, çdo gjë është asgjë”. Edhe në rastin konkret: rritja e pagave mund të mos jetë gjithçka për adresimin e problemeve të arsimit të lartë; por pa rritjen e pagave, çfarëdo investimi që do kryhej në këtë sistem nuk do të arrinte dobinë dhe efikasitetin e duhur. Prandaj edhe rritja e të ardhurave për punonjësit shkencorë është domosdoshmëri.

Pak ka ndryshuar në mbështetjen buxhetore për arsimin në përgjithësi, përfshirë dhe atë të lartë. Shpenzimet buxhetore nuk kapin as 10% të shpenzimeve totale të buxhetit të shtetit (në fakt janë rreth 8%), ndërkohë që në të gjithë vendet e rajonit ato janë rreth 10-15% të shpenzimeve totale buxhetore. Kjo do të thotë se raporti i prioriteteve të alokimit të fondeve të buxhetit duhet të zhvendoset nga infrastruktura fizike ku vazhdon të jetë e përqendruar prej dekadash, drejt infrastrukturës sociale, ku përfshihen arsimi dhe shëndetësia, bashkë me programet e tjera të mirëqenies sociale.

Orientimi i fondeve buxhetore brenda arsimit të lartë duhet të prioritarizojë modernizimin e infrastrukturës mësimore, më së pari, pajisjen me laboratorë dhe bazën e nevojshme mësimore sipas kërkesave të programeve mësimore që ofrojnë universitetet. Ato janë të nevojshme si për zhvillimin e studentit dhe sensin aplikativ të dijes, ashtu dhe për punën shkencore të stafeve akademike. Pakti për universitetin ka filluar të japë disa produkte konkrete. Sipas raportit që publikon Ministria e Arsimit dhe një vëzhgimi në faqen online të Universitetit të Tiranës, rezulton për shembull se janë krijuar bibliotekat dixhitale dhe online duke krijuar akses për studentët dhe profesorët në revistat serioze shkencore sipas fushave dhe në bazat e të dhënave që nevojiten për kërkime dhe punë shkencore; janë financuar disa laboratorë etj. Por duhet thënë se janë shumë pak në raport me rritjen masive të programeve mësimore dhe masivizimin e arsimit.

Mbështetja për zhvillimin e stafeve akademike dhe përmirësimin e aftësive të tyre për mësimdhënie dhe kërkim shkencor janë një fushë tjetër prioritare. Këtu unë shikoj dhe burimin kryesor të rritjes së të ardhurave të stafeve akademike, përtej rritjes së pagës mujore, që gjithsesi duhet të shikohet me prioritet në hierarkinë e strukturës së shpërblimeve në sektorin publik. Kompensimi i të ardhurave të stafeve akademike mund të realizohet përmes skemës së granteve të kërkimit shkencor. Këto skema minigrantesh mendoj se duhen liberalizuar dhe i duhen alokuar secilit fakultet, bazuar në një proces përzgjedhjeje që duhet të kryejë vetë trupa akademike e fakulteteve dhe departamenteve. Rezultatet e projekteve duhen kondicionuar me botime artikujsh në revista shkencore brenda vendit. Qëllimi këtu duhet të jetë fuqizimi i botimeve të brendshme në mënyrë që të zgjerohet dija e shoqërisë dhe gradualisht të rrisim standardet e botimeve tona që ato pastaj të rankohen jashtë vendit.

Në diskursin e tij me rektorët, Kryeministri ngriti disa teza që janë të drejta, por zgjidhja e tyre kërkon kohë dhe burime financiare. Për shembull, Kryeministri tha me të drejtë se duam të nisim me rankimin e universiteteve me objektivin që universitetet tona të rankohen në shkallë botërore. Atëherë, qeveria mund të iniciojë një program të posaçëm për këtë objektiv: çdo studiues që boton një artikull në një revistë me faktor impakti sipas kërkesave që ka vendosur qeveria për gradat dhe titujt akademikë, të jetë përfitues automatikisht i një granti prej 5,000 Euro nga agjencia e kërkimit shkencor. Edhe ideja e ndërkombëtarizimit të universiteteve duke tërhequr studentë të huaj është urgjente, por kjo nuk bëhet vetiu. Universitetet publike nuk ofrojnë asnjë program studimi në gjuhë të huaj dhe nuk kanë asnjë staf të huaj akademik.

Që të arrihet ky objektiv duhen filluar përgatitjet duke hapur universitetet ndaj prurjeve të stafeve të huaja akademike, por më së pari duke synuar të rinjtë shqipfolës që kanë arritur performancë të lartë akademike jashtë vendit. Sigurisht që ata nuk do të motivohesin të riktheheshin në departamentet dhe katedrat tona me paga 1,000 euro. Ja përse rritja e pagave është thelbësore për të ndryshuar cilësinë e universiteteve tona. Për të arritur objektivin e duhur që kërkon Kryeministri, duhen vendosur instrumentet e nevojshme financiare e materiale si dhe duhet dhënë autonomia e plotë dhe fleksibiliteti i duhur për hartimin e kurrikulave mësimore dhe shmangur burokracitë që po na shpenzojnë kohë dhe para thjesht për të mbajtur në punë disa burokrat të panevojshëm.

Teza e artikuluar e profilizimit të universiteteve besoj se nënkupton një rikonceptim të zgjerimit të universiteteve publike që ka ndodhur në këto dekada. Mendoj se kjo tezë gjithashtu është e dobishme pasi ndryshimet e forta demografike po ndikojnë në rishikimin tërësor të organizimit të sistemit arsimor në të gjithë nivelet, prandaj kjo duhet parë edhe në raport me universitetet. Kostot fikse të mbajtjes së institucioneve janë të larta dhe ndoshta dobia e tyre publike është e dyshueshme.

Shkurt, sistemi i arsimit të lartë ka nevojë për standarde, mbështetje financiare dhe një menaxhim të sistemit bazuar në performancë. Universitetet duhet të zhvillojnë sistemet e vlerësimit të performancës deri në nivel individual, në mënyrë që paratë publike të shpenzohen siç duhet. Rritja e financimit, përfshirë edhe pagat e punonjësve të sistemit, duhet shoqëruar me arritjen e objektivave të përmirësimit të sistemit tonë arsimor që me të drejtë pretendohet jo thjesht nga qeveria, por nga e gjithë shoqëria shqiptare. Ndërkohë, institucionet private të arsimit të lartë që gjatë këtyre gati dy dekadave kanë fituar eksperiencë dhe janë konsoliduar tashmë edhe me standarde të certifikuara nga agjencitë europiane të akreditimit, mund të ndihmojnë në plotësimin e nevojave të tregut të punës. Qëllimi i reformave duhet të jetë arritja e standardeve nga të gjithë institucionet dhe shteti në këtë rast duhet ti shoh ato si partnere që synojnë të njëjtin qëllim./panorama.com.al/

 

Të fundit