E premte, 12 Korrik, 2024

IKJA E TË RINJVE, FAJIN E KANË ELITAT POLITIKE?!

Të mërkurave dhe veçanërisht gjatë të shtunave, Stacioni i Autobusëve në Tetovë, padashur shndërrohet në barometër për përmasat e largimit të të rinjve drejt vendeve të perëndimit.Ndërkohë gati gjysma e të gjithë refugjatëve që në Gjermani kërkojnë azil politik, vijnë nga Ballkani Perëndimor. Nga vijnë dhe përse largohen? Përgjegjësia për ekzodin u takon politikanëve. Në vendet e rajonit nuk ka luftë, nuk ka uri, nuk ka tortura sikurse në Siri, Irak apo Afganistan.  Ata largohen për shkak të varfërisë dhe mungesës së perspektivës jetësore, të zhgënjyer dhe të frustruar me status quo-në politike dhe ekonomike nëpër vendet e tyre dhe për këtë fajin e kanë elitat politike të Ballkanit.

Shkruan: Rean Saiti

Gazeta prestigjioze britanike “The Economist” në vitin 2020 në profilin e saj në Instagram publikoi një grafikon për “largimin e trurit” në botë.

Në vendin e parë në listën e “largimit të trurit”, që paraqet një metaforë për largimin masiv të njerëzve të talentuar dhe me arsimim të lartë, në vende më të zhvilluara për të kapitalizuar më mirë njohuritë e tyre, pas Haitit që ishte renditur në vendin e parë, në mesin e dhjetë vendeve renditen edhe Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Edhe pse nuk ekzistojnë të dhëna të sakta zyrtare nga institucionet shtetërore për këtë problematikë kruciale, që moti është bërë e qartë se bëhet fjalë për një trend shqetësues demografik.

Sikurse në shumë vende të Evropës Juglindore edhe Maqedonia e Veriut është nën kërcënim të vazhdueshëm të “bombës demografike”.

Të mërkurave dhe veçanërisht gjatë të shtunave, Stacioni i Autobusëve në Tetovë, padashur shndërrohet në barometër për përmasat e largimit të të rinjve drejt vendeve të perëndimit.

Me dhjetëra autobusë me destinacione drejt Gjermanisë, Italisë e Zvicrës vetëm brenda një jave bartin me mijëra njerëz që largohen nga vendi. Natyrisht në mesin e tyre mund edhe të ketë ndonjë mërgimtar që ka ardhur për pushime në vendlindje, por duke marrë parasysh se nuk është sezoni i pushimeve, konsiderohet se mbi 90% e udhëtarëve përbëjnë atë që quhet kategori e re e mërgimtarëve, që shkojnë për të punuar në vendet e perëndimit për tre muaj.

Të rinj e të reja dhe tek-tuk ndonjë i moshuar që ka ardhur për t`i përcjellë më të dashurit, është fotografia që haset gati për çdo javë në Tetovë. Autobusët nisen nga Struga për të përfunduar në Kumanovë me destinacion vendet e Perëndimit.

Rreth 700.000 qytetarë të RMV-së ose rreth një e katërta e popullsisë aktualisht jeton jashtë vendit. Migrimi nga RMV-ja drejt BE-së, në dekadën e fundit është rritur për pesë herë dhe rreth një e katërta e qytetarëve të aftë për punë largohen nga vendi, që ndikon në produktivitetin e vendit.

Paralajmërimi erdhi nga Anita Rihter, udhëheqëse e Departamentit për Evropën Juglindore të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim gjatë prezantimit të Raportit “Migrimi i punës në Ballkanin Perëndimor”.

Sipas një statistike të OKB-së, vlerësohet se gjatë periudhës midis viteve 1990 dhe 2019 më shumë se 200.000 qytetarë të RMV-së janë larguar nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, me çka migrimi i përgjithshëm ka mbërritur në shifra të pabesueshme prej 32% nga popullata e përgjithshme.

Trendet aktuale demografike në RMV nuk janë të volitshme. Vendi përballet me lëvizje negative demografike dhe kjo manifestohet në rritjen e migrimit në vendet e huaja” – thotë Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Izet Zeqiri.

“Sot në RMV ka vende ku grupmosha mbi 65 vjeç merr pjesë me mbi 20% në popullsinë e përgjithshme, kurse të rinjtë deri në 20%, që paraqet situatë alarmante” – tha Zeqiri.

Të rinjtë janë të pakënaqur dhe shumë prej tyre dëshirojnë të largohen nga RMV-ja. Hulumtimi i muajit mars 2022 të Fondacionit për Demokraci të Uestminsterit, ku kanë marrë pjesë rreth 1.000 anketues, tregon se 58% e të rinjve thonë se do të largohen nga vendi, kurse 64.8% janë të pakënaqur me vendin e tyre në shoqëri.

Shumë të rinj vendosin të emigrojnë për shkak të mundësive që i kanë në vendet tjera nga aspekti i jetës sociale, ngjarjeve kulturore, mundësive arsimore e të ngjashme. Për këtë shkak, vlerësohet se autoritetet pikërisht në këto fusha duhet të bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje që do t`i tërheqin të rinjtë për të mbetur në vend. Shpeshherë largohen edhe kuadro me arsim të lartë nga fusha e profesioneve mjekësore, inxhinierisë, që largohen drejt vendeve të BE-së, në Skandinavi, Gjermani, Britani të Madhe.

Në Programin e ri të Qeverisë 2022 – 2024, parashihet mbështetje për çdo të punësuar deri në 29 vjeç që do të punësohet për herë të parë, për aftësimin e punëtorëve parashihet kthimi i tatimit personal për të punësuarit nën 30 vjeç, parashihet mbështetje për hapjen e qendrave rinore dhe këshillave lokale rinore, me qëllim të kyçjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes dhe rritjes së kapaciteteve.

GJERMANIA SI “ELDORADO” PËR VENDE PUNE

Banka Botërore vlerëson se gjatë viteve 1990 – 2015 nga Ballkani kanë migruar 4.4 milion njerëz, respektivisht gati se 1/3 e popullsisë së Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Gjysma prej tyre kanë shkuar në Evropën Perëndimore, për shkak se gjigandët ekonomik, sikurse Gjermania, po bëjnë përpjekje për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore.

Me rreth 1.3 milion vende të lira pune dhe plakjes së popullsisë, Gjermania në vitin 2020 miratoi ligjin me të cilin lehtësohet punësimi i migrantëve të kualifikuar që vijnë nga vende jashtë BE-së.

Parakusht është njohja e gjuhës gjermane dhe ekuivalenca e kualifikimit me të cilën favorizohen punëtorët që vijnë nga Ballkani Perëndimor, ekonomitë e të cilëve tashmë janë kthyer drejt Gjermanisë.

Me problemin e largimit të të rinjve përballet i gjithë rajoni dhe situata që moti është alarmante. Nga Serbia, për çdo vit largohen nga 40.000 deri në 69.000 njerëz dhe nëse kësaj i shtohet edhe rritja natyrore negative, Serbia brenda vitit mbetet pa 100.000 njerëz apo pa një qytet.

Në Serbi jetojnë mbi 7 milionë banorë. Nga viti 2000 pas rënies së regjimit të Sllobodan Milosheviqit, rreth 655.000 njerëz janë larguar nga vendi – thonë statistikat e OSBE-së.

Mali i Zi ka të njëjtat problem. Sipas EUROSTAT-it, 17.350 njerëz kanë gjetur punë në BE gjatë periudhës 2008-2018.

Bosnja e Hercegovina është një nga vendet më të goditura të Ballkanit. Disa studime tregojnë se thuajse gjysma e popullatës që ka lindur në këtë vend, tashmë nuk jeton aty. Nga viti 2013 kur BE-ja mban evidencën, nga BeH janë larguar 200.000 njerëz.

Kroacia mbase paraqet paralajmërim për vendet e Ballkanit Perëndimor se anëtarësimi në BE nuk do ta ndryshojë trendin e migrimit.

Kroacia që nga anëtarësimi në BE kur kishte diç më tepër se katër milionë banorë, ka humbur gati 10% të popullsisë – tregojnë të dhënat e Regjistrimit. OKB-ja vlerëson se deri në fund të shekullit Kroacia do të ketë vetëm 2.5 milion banorë.

Nga Shqipëria, gjatë tri dekadave të fundit, të dhënat e qeverisë tregojnë se janë larguar 1.7 milion njerëz që paraqet rreth 37% nga popullsia e përgjithshme.

Kosova nga viti 2007 deri në 2018 ka humbur 15% të popullsisë. Sipas mediave të Prishtinës, vetëm gjatë katër muajve, janë dorëzuar 200.000 kërkesa për viza për në Gjermani apo 11% të popullsisë së përgjithshme. Nga Ambasada gjermane, sipas praktikës, japin deri në 5.000 viza gjatë një viti.

FAJIN E KA EDHE BE-ja

Ballkani Perëndimor për çdo vit humb disa miliardë euro për shkak të migrimit të të rinjve. Një studim i Fondacionit Vetsminster tregon se brenda një viti, humbjet në fushën e arsimit kapin shifrën nga 840 milionë deri në 2.46 miliardë euro.

Ballkani Perëndimor, për shkak të largimit të të rinjve, gjithashtu humb rreth 3.08 miliardë nga rritja e BPV-së, që gjithsej janë 5.5 miliardë euro gjatë një viti.

Studimi vlerëson se arsimimi i individit, duke llogaritur arsimin fillor, të mesëm dhe fakultetin, kushton 25.000 euro.

Për trendin negativ demografik në Ballkanin Perëndimor, akuza janë drejtuar edhe ndaj BE-së.

“Nëse BE-ja zgjerimin e ka qëllim të vërtetë, duhet të marrë përgjegjësinë si shfrytëzuesi kyç i “largimit të trurit” nga Ballkani Perëndimor. Derisa Evropa Perëndimore nuk e pranon rolin e saj edhe si destinim edhe si shfrytëzues të “largimit të trurit”, BE-ja nuk mund të llogaritet si ndërmjetës i ndershëm në demografinë e Ballkanit Perëndimor” – thuhet në një tekst të publikuar në ueb-faqen e Carnegie Europe.

Ndërkohë gati gjysma e të gjithë refugjatëve që në Gjermani kërkojnë azil politik, vijnë nga Ballkani Perëndimor. Nga vijnë dhe përse largohen? Përgjegjësia për ekzodin u takon politikanëve. Në vendet e rajonit nuk ka luftë, nuk ka uri, nuk ka tortura sikurse në Siri, Irak apo Afganistan.  Ata largohen për shkak të varfërisë dhe mungesës së perspektivës jetësore, të zhgënjyer dhe të frustruar me status quo-në politike dhe ekonomike nëpër vendet e tyre dhe për këtë fajin e kanë elitat politike të Ballkanit.

Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit.

 

Të fundit