E premte, 12 Korrik, 2024

BREGU: BALLKANI VUAN NGA MUNGESA E INVESTIMIT AFATGJATË NË SISTEMIN ENERGJETIK

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perendimor kanë rënë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale. Po ashtu, përfundim të njëzëshëm kanë edhe ministrat rajonalë të Energjisë dhe partnerët e tyre në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga qeveria gjermane se kriza energjetike mund të tejkalohet vetëm përmes bashkëpunimit më të ngushtë rajonal, transmeton kdpolitik.com.

Në Tryezën e Rrumbullakët të Ministrave të Energjisë të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, të organizuar nga Ministria Federale Gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin për Klimën, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu ka nënvizuar domosdonë e gjetjes së zgjidhjeve të pranueshme për krizën energjetike që po pasqyrohet edhe me rritje të çmimeve.

“Të mbash ndezur dritën jeshile në zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, kërkon të gjesh zgjidhje të mençura në këto kohë vështirësish që erdhën më pas. Sepse mbeti qartësisht në hije, në kohën e luftës dhe nga rritja evropiane e çmimit të energjisë. Ndaj nuk presim të ketë zgjidhje të shpejta dhe të arta, për këtë sfidë kolosale që gjendet përpara nesh. Ajo që dimë me siguri është se nuk mund të ketë asnjë kthesë, as kthim prapa, për një tranzicion të qëndrueshëm dhe të gjelbër, veçanërisht në një rajon të tillë të cenueshëm nga ndryshimet klimatike si ky i yni”, – tha kreu i RCC-së, Majlinda Bregu.

Pjesëmarrësit e takimit pajtohen në një pikë: se kriza energjetike mund të tejkalohet dhe tranzicioni energjetik mund të zbatohet vetëm përmes bashkëpunimit më të fortë e të ngushtë rajonal, të gjetjes së mënyrave të reja të sigurimit të energjesë dhe diversifikimit të furnizimit, por edhe intensifikimit të bashkëpunimit në integrimin e tregut rajonal të energjisë elektrike dhe zgjerimit të energjive të rinovueshme. Gjermania shprehu gadishmërinë për të mbështetur tranzicionin rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor përmes një partneriteti energjetik me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Zgjidhjet qëndrojnë në një qasje rajonale dhe evropiane, solidaritet, reduktim të varësisë nga importet e energjisë dhe lëndëve djegëse fosile përmes shfrytëzimit të potencialit të madh të energjisë së rinovueshme. Si dhe një ndërhyrje në treg në nivel europian! Secili prej nesh ka një rol për të luajtur në rrugën drejt së ardhmes së gjelbër. Rajoni ynë vuan nga një investim afatgjatë në sistemin energjetik. Ndryshimi do të kërkojë financa të mëdha dhe kohë. Do të kalojnë vite para se të diversifikojmë! Energjia dhe tranzicioni i gjelbër kanë një fytyrë njerëzore dhe nevojiten masa të forta mbështetëse për ata që cënohen më shumë, për bizneset tona në vështirësi, rajonet tona të varura nga qymyri”,- shtoi Bregu.

Masat e mbështetjes fiskale të Ballkanit Perëndimor në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë vlerësohet të kalojnë 1.5% të PBB-së nga mesi i vitit 2019 deri në mesin e 2022. Pjesa më e madhe e kësaj mbështetjeje pasqyron kontrollet e çmimeve dhe subvencionet dhe jo mbështetjen e drejtpërdrejtë. Rajoni ka nivele të larta të varfërisë energjetike në krahasim me BE-në. Si rezultat, kriza energjetike ka kontribuar në rritjen e shpenzimeve të familjeve për energji dhe produkte të tjera. Familja mesatare në rajon shpenzon 7-10% të buxhetit të saj total për energji. Kjo dobëson në mënyrë disproporcionale familjet me të ardhura të ulëta, ato të prekura nga varfëria energjetike. Çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 10 herë në krahasim me para pandemisë ndërsa fuqia blerëse në rajonin tonë, një rajon që ka vetëm 1/3 e PBB-së së BE-së për frymë të popullsisë.

“Rrugët e rëndësishme qëndrojnë në zgjidhjet green të transportit dhe lëvizshmërisë sonë, duke investuar më shumë në efiçencën e energjisë, rinovimin e industrive, dhe ndërtimin e valës së rinovimit të BE-së, për të rinovuar shkollat, spitalet, ndërtesat. Në zgjidhjet green të vendeve të punës, sistemeve fiskale dhe investimeve tona. Ne në RCC do të vazhdojmë aktivisht të mbajmë ndezur pishtarin e Axhendës së Gjelbër pavarësisht nga konflikti i rëndë i luftës dhe krizës energjetike”,- është shprehur M. Bregu.

Sekretarja e Përgjithshme eRCC-së I bëri këto komente në panelin kushtuar kushteve dhe nevojave të investimeve për zgjerimin e energjive të rinovueshme, kur mori pjesë edhe ministri gjerman për  Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik, Dr. Robert Habeck,si dhe  ministra  zyrtarë të lartë nga të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perendimor.

Të fundit