E mërkurë, 24 Prill, 2024

DELLI YNË SHTERP

Këto ditë në rrjetet sociale dhe në një portal maqedonas janë riaktualizuar çështje të nepotizmit në UT. Plasimi i përkthyer i të “vërtetës”, ndërkaq flet edhe për shkallën e maturimit tonë intelektual e politik, pjellë shterpe e të cilit janë edhe klithmat e ngjirura që rëndomë bëhen të zëshme në prag fushatash elektorale.

Shkruan: Seladin XHEZAIRI  

I

“Muu, hum-hum, prit se ka edhe ham-ham! Ka shumë”!

Kështu e ka nisë fjalën e saj në parlamentin shqiptar deputetja e demokratëve, Flutura Açka duke ngritur zërin kundër zhvillimeve aktuale në skenën politike të Tiranës. Fjalimi i saj ironik, tingullimitimi i kafshëve zor se do të mund të injorohej edhe këtu ndër ne e mes nesh.

Ku dua të dal?

Për Bardhyl Limanin nuk do të isha interesuar sikur këto ditë të mos lakohej emri i tij në një portal maqedonas, pardon në maqedonisht: Si pedagog këto ditë është zgjedhur dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë pranë Universitetit të Tetovës. Lakimi i emrit të tij bëhet në kontekst negativ, ndërsa  si “argument” ofrohet prirja e tij për muzikë! Dorën në zemër, sikur ai të mos posedonte atë që quhet përgatitje profesionale apo përvojë, portalit maqedonas do duhej shtrirë dorën, ama të merresh me hobin që në rastin konkret është luajtje në instrument muzikor, kjo është, thënë më but, për të ardhur keq!

“Muu, hum-hum, prit se ka edhe ham-ham!” – do të shprehej, sikurse tha të enjten mbrëma deputetja dhe krijuesja Flutura Açka.

II

Tingullimitimi i mësipërm, në fakt, tek ne në Maqedoninë e Veriut, tek shqiptarët e qe besa edhe tek maqedonasit, thënë më mirë, tek të dyja blloqet etnike, është rezultat i pakënaqësisë me aktualitetin, nga njëra anë, dhe i lakmisë për të çarë përpara. Partitë politike, zakonisht, i bashkojnë nën ombrellë ata që ia mbajnë ison një ideje apo kauze, por i bashkojnë edhe interesat. Ju kujtohen çarjet e përçarjet e PPD-së, të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, të PDSH-së, Besës dhe tash kjo tymnaja në BDI?

“Muu, hum-hum, prit se ka edhe ham-ham”! – tha Flutura Açka

Ata që s’pajtohen me gjendjen ekzistuese i mëshojnë fort meritokracisë duke lënë të kuptojmë se  janë për matje forcash ku nuk relativizohen vlerat e përgjithshme të individit. Kësaj i thonë edhe në shqip meritokraci që lë prapa damkat e aristokracisë, monarkisë po e çon përpara edhe demokracinë. Ama kjo kërkon disiplinë dhe përkushtim të të gjithëve, pra që të gjithë, fillimisht ta bëjmë zap veten që pastaj të mund t’ju shesim ders të tjerëve!

Se ku jemi e si jemi ne, për të mos filozofuar, po ndaj me ju një fragment për jetën dhe veprën e Abraham Lincolnit, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mori drejtimin më 1860, ndërsa u vra pas pesë vjetësh:

Kur u zgjodh president, gjatë fjalimit të tij  inaugurues, senatorët nuk kishin fshehur  zemërimin e tyre pse babai i Lincoln ishte këpucar dhe  pikërisht aristokratët e mëdhenj kishin humbur prej tij.

Një aristokrat arrogant nuk e kishte fshehur mllefin:

“Prit pak! A me njeh? Ti zakonisht vije në shtëpinë time sepse babai yt bënte këpucë për familjen time. Ti e ndihmoje atë!” I gjithë senati ishte shkrirë së qeshuri  duke dëshiruar ta përçmonin. Ai nuk ishte dorëzuar:

“U Jam shumë mirënjohës që në këtë moment ma kujtuat babanë. Babai im ishte këpucari më i mirë në këtë vend dhe unë e di që kurrë s’kam për të qenë president aq i mirë sa ishte babai im si këpucar. Ai është ende përpara meje”!

Dua të them, gjithçka varet nga qasja, sinqeriteti dhe kriteret. Mjerisht, realiteti i sotëm këtu tek ne dhe mes nesh është tingullimitimi i sipërcituar: “Muu, hum-hum, prit se ka edhe ham-ham! Ka shumë”!

Të fundit