E premte, 12 Korrik, 2024

PËRMBARUESIT “ANKTH DHE TRISHTIM” PËR QYTETARËT

Për një kohë të gjatë qytetarët ankohen për zhvatje nga ana e përmbaruesve. Së fundmi këtë problem e ka adresuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka ngritur iniciativë për ndryshimin e ligjit për përmbarim. Ekspertët juridikë theksojnë se që në momentin e fillimit të procedurave përmbaruese qëllimi dhe vullneti i përmbaruesve është zhvatja profesionale në kuadër të ligjit.Për një borxh prej disa denarë, përmbaruesit mbledhin disa mijëra denarë nga qytetarët, dhe për më tepër këto ankesa nuk i përfill dhe nuk i shqyrton asnjë organ tjetër, që nënkupton se kemi dhunimin e të drejtave të njeriut apo terror fiskal,” thotë për KDP profesori universitar, Bashkim Selmani. Përfaqësues të qeverisë theksojnë se sugjerimet do të shqyrtohen


Shkruan: Enis Shaqiri

Për një borxh prej disa denarë, përmbaruesit mbledhin disa mijëra denarë.

Në zyrën e Avokatit të Popullit numri më i madh i parashtresave nga fusha e drejtësisë prej vitesh i referohet problemeve me përmbaruesit.

Avokati i Popullit, ka ngritur iniciativë për ndryshim dhe plotësim të dispozitave të Ligjit për marrëdhëniet obligative dhe të Ligjit për përmbarim, ndërkohë që pritet  t`i dorëzojë Qeverisë iniciativë për ndryshimin e Ligjeve për Marrëdhënie Detyrimore dhe Ligjit për Përmbarim, me qëllim që të përkufizohet norma e interesit ndëshkues, kamatës.

Avokati i Popullit, Naser Zyberi thekson se norma e interesit ndëshkues, shpeshherë shndërrohet në një problem serioz ku edhe e tejkalon shumëfish lartësinë e borxhit kryesor, ndërkaq pa limitim të normës ndëshkuese, sipas Zyberit, qytetarët nuk mund të lirohen nga borxhet të cilat i kanë.

Kërkojmë që propozuesi i autorizuar, pra Qeveria të bën ndryshim dhe të shton një nen 269-b, i cili do të thotë se interesi ndëshkues, pra kamata ndëshkuese do të ndalohet të rrjedh kur shuma e interesit të arritur, ndërsa të papaguar do të arrijë shumën e borxhit kryesor. Si rrjedhojë e kësaj duhet të bëhen ndryshime edhe në Ligjin për Përmbarim, respektivisht duhet të shtohet një nen 18-a, i cili do të thotë se gjatë procedurës së përmbarimit, kur shuma e interesit të arritur ndërsa të papaguar do ta arrijë borxhin kryesor, përmbaruesi do të ndalojë me llogaritjen dhe pagimin edhe të interesit ndëshkues ligjor

Zyberi nënvizon që këto ndryshime ligjore të vlejnë edhe për lëndët aktuale të cilat tashmë janë në procedurë.

Për shkak të garancionit konsekuent të parimit kushtetues për siguri juridike dhe të sundimit të së drejtës, kërkojmë që në dispozitat kalimtare të thuhet se ky ndryshim do të vlejë në mënyrë retroaktive edhe për lëndët të cilat janë në procedurë si zgjidhje më e favorshme në raport me ligjin ekzistues,” ka theksuar Naser Zyberi.

Profesori universitar, Bashkim Selmani thotë për KDP se veprimtaria e përmbaruesve tash e për një kohë është kthyer në ankth dhe trishtim  për qytetarët. Sipas tij, shpeshherë edhe pse përmbaruesit e përmbarojnë lëndën, nuk dëshmohet fajësia, ndërkaq si pasojë, palës së dëmtuar nuk ia kthejnë  mjetet.

E para, që në momentin e fillimit të procedurave përmbaruese qëllimi dhe vullneti i përmbaruesve është zhvatja profesionale në kuadër të ligjit.

E dyta, ka raste kur gjatë procedurave përmbaruese rezulton se pala nuk ka fajësi lëndore, që nënkupton ka gabime ose procedurale ose është i shlyer detyrimi ndërsa institucionet nuk u referohen në kohë përmbaruesve. Që nënkupton se përmbaruesit përmbarojnë lëndën edhe nëse dëshmohet pafajësia e palës së dëmtuar nuk ia kthejnë mjetet.

E treta, përmbarimi kalon vlerën apo shumën e detyrimit, shembull nëse borxhi është 100 apo 1000 taksat kalojnë masën e vlerës totale, u marrin mbi masën totale të borxhit, ku për një borxh prej disa denarë, përmbaruesit mbledhin disa mijëra denarë nga qytetarët, dhe për më tepër këto ankesa  nuk i përfill dhe nuk i shqyrton asnjë organ tjetër, që nënkupton se kemi dhunimin e të drejtave të njeriut apo terror fiskal,” thotë Selmani

Selmani për më tepër thekson se detyrimisht duhet të ketë ndërhyrje ligjore apo plotësime në aspektin e çmimores përmbaruese dhe të kontrollohen nga një organ i pavarur që do t`i koordinonte procedurat finale, si atë të mbrojtjes së të drejtave të palëve ashtu edhe atë institucionale, siç parasheh konventa ndërkombëtare për çështjet e përmbarimi ndërkombëtar e kombëtar.

Vite me radhë për shkak të borxheve të grumbulluara dhe kamatës ndëshkuese, kryesisht në sektorin e energjisë elektrike shfaqet problemi me përmbaruesit, ndërsa arrin kulminacionin kur qytetarëve nuk iu jepet shpjegim në lidhje me inicimin e procedurave për përmbarim, për lartësinë e borxhit si dhe për shumën, ndërkaq si pasojë iu merret një e treta e pagës, dhe borxhi fillestar rritet deri në dhjetëfish. Ndryshe, në shumicën e rasteve ndodhë që për një borxh prej disa denarë, përmbaruesit mbledhin disa mijëra denarë.

Sipas të dhënave, në Republikën e Maqedonisë punojnë 99 përmbarues.

Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar përmbaruesit në Maqedoninë e Veriut realizuan fitim prej 3,4 milion eurove. Sipas të dhënave nga Oda e Përmbaruesve, gjatë vitit 2021 përmbaruesit realizuan 63 mijë arkëtime të detyruara, ndërkaq shuma e mbledhur në procedura ishte 130 milion euro.

Ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski ka deklaruar se ligji për përmbarim nuk e rregullon lëndën e interesit ndëshkues, dhe se nisma e Avokatit të Popullit për përmbaruesit, do të shqyrtohet më tej.

Në atë drejtim, të gjitha sugjerimet, qoftë edhe nga Avokati i Popullit, duhet t’i dorëzohen grupit punues që tashmë ekziston dhe është duke punuar për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve dhe duhet të veprohet në varësi të përshtatshmërisë së propozimeve”, ka deklaruar Tupançeski.

Ai për më tepër ka theksuar se si ministër nuk ka as autorizim e as kompetencë për të pranuar nismën, duke treguar se ekziston një grup punues dhe pasi të dorëzohet, grupi punues do të vendosë për të

Nga viti 2018 Qeveria miratoi ndryshimet në Ligjin për Përmbarim dhe Ligjin për Noterinë. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve, siç theksuan kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev dhe ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Renata Deskoska, ishte zvogëlimi i shpenzimeve për qytetarët më të varfër të cilët nuk mund t’i paguajnë faturat e shërbimeve komunale dhe që marrin kredi të vogla konsumatore.

Mirëpo është shqetësues fakti se ende ka raste të inkasimit të detyrueshëm nga rastet sociale dhe personat me pension minimal, edhe pse kjo kategori është e përjashtuar me Ligjin për Përmbarim.

Krahas këtyre problematikave, Oda e Përmbaruesve apelon që qytetarët  të shlyejnë detyrimet në kohë, me çka do të shmangen shpenzimet shtesë që cenojnë standardin e tyre personal.

 

Të fundit