Pse të mos i vendosim vetes synimin për të hyrë në BE për pesë vjet në vend që të dekurajojmë vazhdimisht veten me parashikime njëzet apo pesëdhjetëvjeçare? Edhe pse politika nuk është gjithçka, gjithçka është politikë në BE.
Shkruan: Denko Maleski
Në mungesë të unitetit mes partive politike, ne hymë në OKB të ndarë dhe për këtë çështje kemi mbetur edhe sot e kësaj dite. Uniteti nuk është i mundur, më thoshte presidenti Gligorov, duke vënë në dukje një fakt nga politika maqedonase, me të cilin nuk mund të pajtohesha. Por ai e dinte më mirë. Këto ditë, tridhjetë vjet më vonë, ne kemi nevojë për një unitet që është më i vështirë se ai i hyrjes në OKB më shumë se kurrë. Ajo kërkon që palët të përveshin mëngët dhe të angazhohen, në vitet në vijim, që së bashku ta sjellin vendin në BE. Por uniteti, duket se përsëri nuk është i mundur. Edhe në momentet kur anija jugosllave po fundosej dhe jeta jonë ishte në rrezik, në vend që të kapnim kova dhe pompa, filluam të pastronim hesapet e vjetra në parlamentin maqedonas.
Vërej se tani, si një vend i konsoliduar në komunitetin ndërkombëtar dhe si anëtar i NATO-s, të bindur gabimisht se “nuk na rreh topi”, po i lajmë edhe një herë hesapet e vjetra. Presidenti, kryeministri dhe ministrja e Jashtme po bëjnë thirrje për një marrëveshje mes palëve që do të prodhojë unitet pa të cilin nuk ka sukses për vendin, por, siç duket, më kot.
Pyetja që lind logjikisht është: Çfarë të bëjmë nëse, përsëri, uniteti nuk është i mundur? Atëherë grupi qeveria aktuale duhet të shtyjë procesin përpara sa të mundet. Edhe sikur të digjet në atë betejë politike, i vetëdijshëm se pa unitet të brendshëm nuk ka BE. Për këtë, asaj i duhet një shumicë në parlament. Nëse opozita refuzon të bashkëpunojë, nuk do të ketë rrugë tjetër për qeverinë. Ajo vetëm pa luftë mund t’ia dorëzojë pushtetin opozitës, e cila me naivitet beson se me shumicën e deputetëve të fituar në zgjedhje, do të rishikojë procesin dhe do të luftojë për një marrëveshje më të drejtë me Bullgarinë dhe BE-në.
Unë nuk di ndonjë shembull tjetër të një vendi ku partitë politike kanë dështuar të arrijnë ndonjë marrëveshje për anëtarësimin në BE. Nuk di ndonjë shembull në të cilin qeveria ka arritur të anëtarësohet pa bashkëpunim me opozitën. Sepse ky nuk është një vendim për të hyrë në BE, por një marrëveshje mes palëve për bashkëpunim të ndërsjellë shumëvjeçar deri në hyrjen e vendit në BE.
Sigurisht, demokracia është një sistem që i jep legjitimitet mospajtimit. Por politikanëve u takon të dinë se deri ku do të shkojnë në një mosmarrëveshje të tillë. Ka shembuj të panumërt në botë të atyre që më shpejt do të shkatërronin vendin e tyre sesa të të lëshojnë pe. Dhe anasjelltas.
Pse të mos i vendosim vetes synimin për të hyrë në BE për pesë vjet në vend që të dekurajojmë vazhdimisht veten me parashikime njëzet apo pesëdhjetëvjeçare? Edhe pse politika nuk është gjithçka, gjithçka është politikë në BE. Fjalimi i fundit i kancelarit gjerman Olaf Scholz thotë se gjeopolitika e ndryshuar pas agresionit rus ndaj Ukrainës mandaton zgjerimin e Unionit dhe forcimin e komponentit të tij të sigurisë përballë rrezikut rus. Nëse tregohemi të suksesshëm në reforma, situata e re politike në Evropë mund të zvogëlojë në mënyrë drastike intervalet kohore të nevojshme për anëtarësim dhe të riaktivizojë korsinë e shpejtë për pranim. Por që kjo të ndodhë, është i nevojshëm uniteti i qëllimit ndërmjet qeverisë dhe opozitës në Maqedoni.
Një koleg profesor nga Bullgaria më përshkruan atmosferën në parlamentin bullgar në atë kohë, kur Simeoni i Saksoburggotski, si kryeministër, e futi vendin në BE për pesë vjet. Partitë, thotë ai, vendosën ta bëjnë anëtarësimin në BE prioritetin e tyre më të rëndësishëm. Ata ranë dakord që të gjithë të ishin të pranishëm në parlament për të gjitha votat, që askush të mos sëmurej dhe askush të mos vdiste. Dhe ndodhi mrekullia: askush nuk u sëmur dhe askush nuk vdiq.