Lideri i Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, në një intervistë ekskluzive për portalin kdpolitik.com flet për gjasët për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë. Thotë se Franca dhe Gjermania duan të zgjidhin këtë çështje që ka qenë e hapur për shumë kohë dhe që mund të kthehet në një konflikt të hapur në tokën e Evropës: “Mos kini dyshim se një konflikt i tillë do të ishte në interes të Putinit, si një mënyrë për të larguar vëmendjen nga sulmi mizor kundër Ukrainës,” – thotë, ndër të tjera, politikani i njohur opozitar në Serbi.
Intervistoi: Seladin XHEZAIRI
- Mediat dhe analistët në Beograd pohojnë se ka një marrëveshje përfundimtare në tryezë mes Kosovës dhe Serbisë, si rezultat i propozimit francez dhe gjerman… A ka të vërtetë në gjithë këtë?
NENAD ÇANAK: Nuk e di, nuk jam pjesëmarrës i këtyre bisedave. Kam pak besim te media, e aq më pak u besoj analistëve. Kjo është një pyetje për Vuçiqin dhe njerëzit nga kreu i pushtetit. Është e pritshme që dy fuqitë nga BE-ja duan ta zgjidhin këtë çështje që ka qenë e hapur për shumë kohë dhe që mund të kthehet në një konflikt të hapur në truallin e Evropës. Mos kini dyshim se një konflikt i tillë do të ishte në interes të Putinit, si një mënyrë për të larguar vëmendjen nga sulmi mizor kundër Ukrainës dhe se të dëgjueshmit e tij po punojnë me përkushtim për këtë. Prandaj, ndër të tjera, është fort e rëndësishme gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë dhe në të njëjtën kohë mjaft cilësore, edhe pse jam plotësisht i vetëdijshëm se kjo kërkon ndryshime të thella shoqërore në vetë Serbinë, që tash e 30 vjet është e helmuar nga propaganda nacionaliste serbomadhe.
- Në fakt, a është e mundur që Kosova të pranohet në OKB, kurse Serbia në BE?
ÇANAK: Nëse kam mësuar diçka në këto vite në politikë, është se gjithçka është e mundshme. Hëm, sado që dikush shmang ta thotë qartë, mendoj se është e qartë se me njohjen e paradokohshme të dokumenteve kosovare të identifikimit, Serbia praktikisht e njohu Republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj thelbësor mbi atë territor. Gjithashtu, ajo që është e sigurt është se Serbia, përkatësisht zyrtarët e saj, nuk do ta pranojnë kurrë se e kanë njohur Kosovën, sepse kjo lëvizje do të kishte gjithmonë pasoja shkatërrimtare politike për këdo që do ta bënte. Prandaj, jam i bindur se pranimi urgjent i Serbisë në Bashkimin Evropian dhe, do të shtoja edhe i Kosovës në BE, është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e përhershme të çështjes së kufirit. Ilaçi më i mirë për kufijtë është ai që të mos ketë kufij. Nëse kjo nuk ndodh, do të keni një situatë në të cilën edhe këta pak të rinj, edhe nga Kosova dhe nga Serbia, do të shkojnë në po këtë Bashkimin Evropian dhe prej andej do të shikojnë se si në shekullin e XXI, ndërsa NASA ndalon meteorët dhe botën dhe, në përgjithësi bota po jeton një lloj jete moderne, këtu luftohet për territore ku nuk jeton njeri dhe si po ikin edhe ata investitorë që kanë ardhur dhe duan të bëjnë këtu diçka. Për të dalë përfundimisht nga ky lëmsh i çmendurisë, i fjalëve të rënda dhe palëve ndërluftuese, fillimisht duhet të identifikojmë se cilët janë njerëzit që jetojnë nga ndarja dhe moszgjidhja e kësaj çështjeje, pastaj të përfshijmë në dialog njerëz që janë të gatshëm të kuptojnë dhe ta dëgjojnë palën tjetër, dhe paralelisht me këtë të ndalojnë propagandistët rusë që nxisin konfliktet dhe të promovojnë shembuj të mirë. Nëse kjo tani ju duket larg dhe e pamundur, kujtonie sa e pamundur dukej që qytetarë dhe qytetare të përkatësisë kombëtare serbe dhe shqiptare bashkarisht pinë kafe në urën mbi Ibër. Dhe, kjo ndodhi dhjetë ditë më parë. Ose, fjala vjen, kryetari i komunës së Pejës të jetë në kurorëzimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe. Kjo ndodhi para disa ditësh. Pra, ka shembuj të mirë dhe ka progres, vetëm se dialogu duhet të fillojë me njerëz të cilët e duan dialogun dhe duan që diçka të ndryshojë për të mirë.
- Brukseli dhe Uashingtoni thonë se u ka ardhur majë hunde Serbia e ulur në dy karrige. A do të përcaktohet më në fund presidenti serb? Apo do të japë dorëheqjen?
ÇANAK: Nëse e keni fjalën për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, kjo ndejtja në dy karrige është e papranueshme edhe për shumëkë nga Serbia. Personalisht, jam i bindur se këto sanksione duhej të ishin vendosur kaherë dhe Serbia duhej ta dënonte me vendosmëri dhe pa mëdyshje pushtimin dhe mizoritë e Putinit në Ukrainë dhe të qëndronte qartë në anën e drejtë. E kuptoj gjithashtu që Vuçiq është në një pozitë shumë të vështirë, jo vetëm për sa i përket lakut energjetik që Rusia po e mbanë rreth qafë së Serbisë, por edhe se jeta e tij personale është në rrezik nëse përcaktohet të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të bëjë lëvizje vendimtare drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Dhe, natyrisht, por jo më pak e rëndësishme, mos harroni se e gjithë plejada e partive në Serbi, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, të cilat nuk i fshehin lidhjet e tyre me administratën e Putinit, vetëm presin, të gatshme për të përdorur politikisht çdo lëvizje të tij që do të dilte nga ajo narrativa e konfliktit, përçarjes dhe retorikës së rëndë për të nxjerrë mijëra qytetarë në rrugë. Po ua rikujtoj se kohë më parë patën një kolonë të ngjashme, mendoj me rastin e kundërshtimit të Paradës së Krenarisë apo ndonjë rasti tjetër të shpikur, dhe atëherë krahas fotografive të shenjtorëve, mbahej fotoja e Putinit, pastaj flamuri i Rusisë Cariste, se aty ishin edhe “Ujqërit e natës” dhe u shpalos flamuri 500 metra i miqësisë ruso-serbe.
Dhe, e gjithë kjo nuk është për t’u habitur kur dihet se ky vend vlon nga spiunët dhe mercenarët rusë, varet nga gazi dhe nafta ruse, se industria jonë e naftës e Serbisë i është dhuruar Federatës Ruse dhe se këtu është bërë krejtësisht normale që ne i jemi ekspozuar breshërisë njëzetekatër orëshe të propagandës direkte ruse në media. Për shembull, në Serbi keni një kanal televiziv me frekuencë kombëtare që ditë për dite në pikun e shikueshmërisë ka propagandues rusë dhe transmeton fjalimet e Putinit. Nuk janë më të mira as kanalet e tjera me frekuenca kombëtare, ndërsa për shtypin bulevardesk as të mos flas. Shikoni, një nga pronarët e tabloideve të tilla mban një distinktiv me figurën e Putinit dhe publikisht është mburrur se nga Putini ka marrë orë dore. A duhet t’ju tregoj pastaj se si duken gazetat që ai redakton?
- Më falni, mendoni se jeta e Vuçiqit është vërtet në rrezik? Të vritet nga regjimi i Putinit?
ÇANAK: Nuk do ta përjashtoja këtë mundësi. Vetëm shikoni se sa zyrtarë të ndryshëm rusë kanë vdekur nga “vdekja e panatyrshme” në muajt e fundit. Epo, tani shtojini kësaj edhe faktin se Serbia është një vend ku më 2003 u vra kryeministri, gjë që ngadalësoi shumë rrugën evropiane dhe ndryshimet në shtet, të cilat u kundërshtuan më së shumti nga e njëjta forcë politike në Kremlin dhe partitë dhe individët e tyre të dëgjueshëm të cilët edhe sot përbëjnë pushtetin dhe një pjesë e mirë e opozitës në po këtë Serbi.
- Nuk iu përgjigjët pyetjes në është e mundshme dorëheqja e Vuçiqit?
ÇANAK: E përsëris, në politikë gjithçka është e mundshme, ama personalisht nuk besoj në atë skenar. Ai ka një kontroll të fortë mbi pushtetin, kohë më parë mbi dy milionë njerëz votuan për të dhe ai nuk më duket si dikush që është gati të tërhiqet lehtësisht nëse nuk ka ndonjë lloj shantazhi që për momentin nuk mund ta parashikoj.
- Keni koment për pakënaqësitë e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës? Ata kërkojnë reciprocitet në raport me serbët në Kosovë.
ÇANAK: Nuk kam informacion të mjaftueshëm dhe, siç thash, në përgjithësi nuk kam besim tek mediat, sepse shumë prej tyre punojnë sipas diktateve ruse dhe nxisin sherre, urrejtje dhe përçarje. Sa për ilustrim, shikoni në sa media u shfaqën dy shembujt pozitivë nga Kosova që i përmenda? Personalisht jam kundër çdo reciprociteti të atij lloji, sepse atëherë qëndrimi ndaj qytetarëve të tu varet nga veprimet e shtetit tjetër. Kishte një propozim të tillë në lidhje me pozitën e hungarezëve në Vojvodinë kur në fillim të viteve nëntëdhjetë në Kroacia u formua e ashtuquajtura Republika Serbe e Krajinës … Unë isha ashpër kundër, dhe kur ndodhi operacioni “Stuhia” u thashë të gjithë atyre që avokuan për një zgjidhje të tillë reciproke se atëherë (nëse janë konsekuentë) duhet të hypnin nëpër traktorë dhe të shpërngulen në Budapest. Pra, të lidhësh fatin tënd me zgjidhjet e komuniteteve të tjera në shtetet e tjera është thellësisht e gabueshme. Tek e fundit, siç thashë pak më parë, zgjidhja më e mirë për kufijtë është të mos ketë fare kufij. Bashkimi Evropian, me të gjitha virtytet dhe të metat e veta, është sigurisht e vetmja zgjidhje e mirë dhe e qëndrueshme. Pastaj, është e nevojshme që të bisedohet me njerëzit. E dini, verën e kaluar isha në varrezat në fshatin Mejë, jo larg Gjakovës, në Kosovë. Dhe aty vendosa një kurorë me lule dhe pata rastin të dëgjoj për krimin ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, më e vogla prej të cilëve ishte një vajzë shtatëvjeçare, Valjeta Isufi. Dhe ky është një tmerr dhe një krim i tmerrshëm.
Do të doja, nëse ia dola që të tërhiqja pak vëmendjen për këtë në vendin tim dhe të kontribuoj për pak që në Kosovë ta kuptojnë se ka nga ne në Serbi që e urrejmë atë që është bërë dhe që jemi të gatshëm të ndihmojmë për t’u ballafaquar edhe me këtë të kaluar. Po ashtu, e di se në Kosovë ka njerëz që janë të gatshëm të vënë në dukje edhe krimet e bëra nga pala tjetër, ndaj popullatës joshqiptare. Ne duhet të flasim, të përballemi dhe të shërojmë plagët, në vend se të lejojmë dikë që vazhdimisht t’i hapë ato plagë dhe t’i thellojë për të përfituar pak më shumë.
Edhe diçka, unë jetoj në Vojvodinë, e cila mburret me multikulturalizmin e saj dhe që ka gjashtë gjuhë në përdorim zyrtar. Mendoj se një qasje e tillë multietnike që respekton çdo njeri me dallimet e veta – dhe përkatësia kombëtare është, sikurse gjinia apo raca, është sigurisht një prej tyre – është diçka e domosdoshme edhe për Kosovën dhe Serbinë, edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor. Dhe, kjo është një nga vlerat që do të sillte BE-ja. Prandaj, shpresoj se zyrtarët e BE-së do ta kuptojnë se tani është momenti për të shpëtuar të mbyturin, se do të përshpejtojnë pranimin e këtyre viseve në BE dhe se nuk do të presin që kjo hapësirë të mbytet në gjak, urrejtje dhe ndasi. BE-ja, thjesht duhet ta kuptojë se sa ka metastazuar kërcënimi i Putinit për Ballkanin Perëndimor dhe prandaj ilaçi është në duart e saj. Sa me fat do të ishim sikur të gjithë bashkë të ishim anëtarë të NATO-s…
- Si e shikoni zhvillimin e ngjarjeve në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku duket ashiqare ndikimi i Beogradit zyrtar dhe i Kishës Ortodokse Serbe?
ÇANAK: Rryma proruse në Serbi dhe, po e përsëris, mendoj edhe për pushtetin dhe për një pjesë të mirë të opozitës, e cila ka të njëjtët urdhërdhënës, nuk fsheh interesin e madh për zhdukjen e Malit të Zi. Në fund, mendoj se tani është mëse e qartë se u demaskuan edhe lidhjet direkte të Kishës Ortodokse Serbe dhe të dëgjueshmëve të Kremlinit në Serbi dhe në rajon. Dhe, është fare e qartë se me hapat e tyre të përbashkuar me mercenarët prorusë në Mal të Zi synohet ngadalësimi i rrugës evropiane, pastaj çintegrimi dhe në përgjithësi mohimi i Malit të Zi dhe i pavarësisë së tij. Qëllimi është që nga një vend sovran, i pavarur, që është anëtar i NATO-s dhe që ka avancuar më shumë në rrugën e integrimit në BE, të krijohet një gubernë anonime ruse që ka dalje në Detin Adriatik. Tentativa për grusht shteti në vitin 2016 nuk dha rezultat dhe më pas u kalua në përzierjen e Kishës Ortodokse Serbe, “liturgjive” dhe konceptit të një historie për një lloj “rrezikimi të serbëve”. Shtrirja e tentakulave të këtij oktapodi mund të shihet më së miri edhe nga veprimi i atij gënjeshtarit dhe mashtruesit Dritan Abazoviq, i cili nënshkroi të ashtuquajturën “kontratë themeltare” me Kishën Ortodokse Serbe dhe kështu Malit të Zi i shkaktoi një dëm serioz, edhe material, edhe identitar, dhe më pas shkarkoi posti edhe drejtorin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, pasi nisi demaskimi i rrjetit të spiunazhit rus.
Mendoj se është shumë e rëndësishme që falë politikës së mençur të Milo Gjukanoviqit, Mali i Zi, para pesë vjetësh, u bë anëtar i NATO-s, përndryshe i gjithë ky procesi i shpërbërjes së vendit dhe shitjes së tij do të bëhej shumë më shpejt dhe më lehtë. Për Bosnjën dhe Hercegovinën verilindore, të cilën regjimi i Milorad Dodikut e quan Republika Srpska, nuk do të harxhoja asnjë fjalë. Dodik, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, është leva e drejtpërdrejtë, e korruptuar, e Putinit që duhet të shërbejë për të kërcënuar me ndezjen e fitilit të fuçisë së barutit. Përveçse nëse në këtë e pengon rinumërimi i votave, nëse i humb zgjedhjet dhe thirret në gjykatë për shkak të aferave të grumbulluara. Atëherë do të ikë në Rusi, por edhe para kësaj mund të bëjë ndonjë të keqe më shumë.
- A e ndihmoi anëtarësimi në NATO Maqedoninë e Veriut dhe e shpëtoi nga tentakulat e “oktapodit” që përmendët?
ÇANAK: Nuk kam as dyshimin më të vogël për këtë. Do të përsëris atë që vitin e kaluar pata nderin t’ia them kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaevit personalisht: Pranimi i Maqedonisë së Veriut është një hap i rëndësishëm për të ardhmen, stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.
- Keni paralajmëruar tërheqjen nga kreu i partisë suaj, pse?
ÇANAK: Kam dashur ta bëj këtë edhe më herët, por vazhdimisht më kandidonin dhe më siguronin se nuk është momenti për t’u tërhequr. Thjesht, pas 32 vitesh në krye të Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, mendoj se ka ardhur koha që timoni t’ju jepet të rinjve dhe ata të sjellin energji të reja. Unë nuk tërhiqem nga politika. Do të jem vetëm anëtar i LSV-së ose, nëse më ofrohet, në ndonjë pozicion tjetër partiak. Kjo nuk është e diskutueshme. Gjithsesi është një nder i madh, por nga ana tjetër është edhe obligim i madh të jesh kryetar i LSV-së. Dhe thjesht, pa atë përgjegjësi, do të mund të jem më i ashpër dhe që pa rezerva dhe eufemizma ti emrtojë disa njerëz dhe dukuri në shoqëri./kdpolitik.com/