Studiuesit e mediave janë në kërkim të përgjigjes se pse njerëzit u besojnë lajmeve të rreme. Kjo përgjigje merr edhe trajtën e dilemës sa herë që njerëzit ballafaqohen me një situatë të pazankontë, ku mundësia për të përhapur panik në publik është shumë e madhe. Vetë lajmi i rremë paraqet panik dhe një dukuri të tillë mund ta ndeshim gjatë pandemisë, por edhe gjatë krizave e konflikteve të ndryshme, siç ndodhi menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ku njerëzit psikologjikisht janë të prirur t’u besojnë teorive të konspiracionit dhe të ushqejnë iluzione çfarë atyre iu konvenon, e jo çfarë ndodhë realisht në terren. Kur konspiracioni si teori që mbështillet me misteriozitet gjen vend në një hapësirë publike, atëherë demokracia dhe mendimi kritik janë në një kërcënim serioz, kurse pyetja – “pse nuk i besojnë njerëzit shkencës?”. gjithnjë e më tepër po transformohet në një pyetje tjetër – “pse nuk duan t’i besojnë shkencës?”
Shkruan: Demush Bajrami
Sot, më shumë se kurrë është e rëndësishme t’i kushtohet rëndësi dhe vëmendje aftësive të edukimit, apo shkrim-leximit mediatik të të rinjve, në mënyrë që ata të përballen me rreziqet dhe përfitimet e të jetuarit në një mjedis mediatik, gjithnjë e më kompleks. Zhvillimi i kompetencave të edukimit mediatik, kërkon investime afatgjata, por edhe një qasje sistematike dhe strategjike.
Ngjarje të ndryshme që po ndodhin kudo përreth nesh dhe jo vetëm, e kanë rikthyer vëmendjen e publikut kah media, gjë që tregon se është nevojë e pashmangshme për forcimin edhe më të madh të aftësive të edukimit mediatik. Më shumë se kaq, kjo do të thotë se shoqëria po e kupton, gjithnjë e më shumë, rëndësinë e edukimit mediatik. Prandaj, duhet bërë përpjekje për të mbështetur të rinjtë në përvetësimin e aftësisë së vlerësimit kritik të përmbajtjeve mediatike ndaj të cilave jemi të ekspozuar çdo ditë.
DOMOSDOSHMËRIA PËR SHKRIM-LEXIMIN MEDIATIK
Epoka e internetit dhe digjitalizimit, ka bërë që informacioni të mbërrijë me shpejtësi marramendëse te publiku, sidomos te të rinjtë, të cilët janë veçanërisht të prirur t’i pranojnë mesazhet mediatike në mënyrë jokritike. Këtu, jo rrallë ka edhe lajme të rreme që synojnë pikërisht manipulimin e publikut. Edhe pse të rinjtë e sotëm mund t’i quajmë si gjeneratë digjitale, pasi janë duke u rritur me mediat sociale, marrëdhënia e tyre me informatat që marrin, nuk nënkupton edhe të kuptuarit kritik për ta dalluar informacionin dhe keqinformimin. Pra, iu mungon një kuptim më i thellë i asaj që është saktësisht keqinformimi dhe si ndikon në funksionimin e trurit të të rinjve. Prandaj, që të ndërgjegjësohet publiku për nevojën për të qenë i kujdesshëm dhe kritik ndaj informatës që ata “konsumojnë” çdo ditë, do të duhet vendosur në planprogramet mësimore lënda e edukimit, apo shkrim-leximit mediatik. Mbase, kjo duhet të vlejë për shumë aktorë dhe institucione që do të duhet të përfitojnë kompetencat moderne të medias, e jo të kalojë në detyrë të vetëm disa aktorëve individualë.
Edhe pse në disa shpjegime jepen disa përkufizime, që lajmi i rremë është një informacion i gabuar, shpesh për qëllime sensacionale gazetareske, i cili përhapet nën maskën e raportimit mediatik, apo thjeshtë për ‘klikime’ në mediat e reja (në internet) që t’u sjell përfitime, megjithatë lajmi i rremë është dezinformatë që, pa dyshim përmban pretendime të rreme, domethënë informacion që nuk korrespondon me faktet, me të vërtetën.
Lajmet e rreme kanë një histori të gjatë, që kur ekziston gazetaria apo shpërndarja e informacioneve. Për rrjedhojë është vërejtur se sa më pak të ketë gazetari profesionale, aq më shumë do të përhapen lajme të rreme. Kjo dukuri devijuese nuk do të mund të kishte një hov të madh nëse nuk do të ekzistonin disa parakushte. Në radhë të parë, përhapja e lajmeve të rreme erdhi si pasojë e ‘demonopolizimit’ të informacionit, ku mediat sociale dhe individët e ndryshëm, u bënë “zotërues” të lajmit. Për dallim nga gazetaria tradicionale, ku informacioni kalonte nëpër njëfarë site verifikimi, tani në mediat, apo rrjetet sociale mungon një sitë e tillë, ndonëse kohët e fundit Facebook-u po bën përpjekje që të vendosë disa mekanizma për verifikimin e lajmeve.
Ndryshe, nga ajo që mund të quhet gabim gjatë raportimit mediatik, lajmet e rreme përfshijnë keqinformimin e publikut në mënyrë të qëllimshme, pra me vetëdije. Me fjalë të tjera, është informacion që dikush e ka ‘shpikur’ apo sajuar dhe paraqitur qëllimshëm si një lajm të vërtetë ose e ka botuar diku, duke e ditur se nuk është lajm i saktë mbi ndonjë ndodhi që ka ngjarë realisht.
Sa i përket publikut, ai mbetet një “shtrat” i thellë, ku lajmet e rreme mundohen të lëshojnë rrënjë. Varësisht nga kultura dhe formimi i publikut, edhe lajmet e rreme zhvillojnë terrenin e tyre të përhapjes. Kjo ka qenë një dukuri socio-patologjike edhe në kohërat e hershme, kurse gjatë krizave, dhe sidomos gjatë luftërave, lajmet e rreme madje kanë marrë atributin e luftës speciale, ku informacioni është trajtuar si armë. Jo pak hapësirë u jepet lajmeve të rreme edhe gjatë fushatave zgjedhore, me ç’rast rivalët politikë luajnë me shumë të panjohura, me qëllim të parandalimit të rritjes së epërsisë së kundërshtarit politik.
Shikuar në aspektin teorik, lajm i rreme mund të jetë edhe një informacion, të cilit i mungon një nga pesë pyetjet themelore të lajmit, apo pyetjet gazetareske, siç e quajmë në gjuhën e profesionit të gazetarit apo reporterit. Pra, pa hezitim, shumëkush edhe këtë mangësi mund ta barazojë me lajmin e rremë. Por, çështja është më e thellë se kaq. Kufizimi i informatës, prekë boshtin thelbësor të lirisë së informimit dhe të shprehjes së lirë, e cila do të kufizohet. I bashkohem pikëpamjeve të shumë studiuesve dhe ekspertëve, se duhet të jemi shumë të kujdesshëm me lajmin e gjymtuar sepse ai përbën një kërcënim serioz për vlerat kryesore të shoqërisë moderne.
Nëse e shikojmë nga pozicioni i konsumerizmit, pra i pranuesit të përmbajtjes mediatike, që në këtë rast është publiku, atëherë transmetimi (përçimi) i lajmeve të rreme ndonjëherë mund të jetë shumë më i rrezikshëm sesa vetë sajimi i tyre. Nëse lajmet e rreme publikohen nga një portal ose rrjet anonim në internet e që nuk ka lexues, nuk përbëjnë ndonjë shqetësim të madh për opinionin publik, por në çastin që ato transmetohen nga një media shumë e njohur, që ka emër, numër të madh lexuesish dhe besueshmëri të madhe, efektet negative të këtyre lajmeve janë jo vetëm negative, por edhe të dëmshme dhe me pasoja të paparashikueshme. Sakaq, përhapja e lajmeve të rreme dhe formave të tjera të keqinformimit dhe dezinformimit, ka një efekt veçanërisht të dëmshëm në besueshmërinë e mediave në tërësi.
Sot, jemi dëshmitarë të lajmeve të rreme, gjithandej, rreth politikës, zgjedhjeve, ekonomisë, shëndetit, etj. Lajmet e rreme për virusin korona në fillim të pandemisë ‘Covid 19’, kishin nxitur frikë dhe panik në publik. Lajmet e rreme janë bërë modë dhe të përdorshme për fenomene të ndryshme, qoftë për lajmet plotësisht imagjinare, qoftë për lajmet që paraqiten me ngjyrime politike, fetare, gjinore…, që në thelb nuk kanë asnjë të vërtetë.
Nuk duhet të na habisë fakti kur ndeshim shumë mendime të kamufluara në fakte, si dhe disa klishe klasike gazetareske, ku shpesh dezinformata bazohet në një lajthitje. Lajmet e rreme, sot janë bërë edhe armë të dezinformimit politik. Në këtë drejtim prinë Rusia e cila tashmë ka lancuar të ashtuquajturën “luftë hibride”, ku lajmet e rreme përbëjnë “municionin” kryesor me një synim final që të keqinformojnë publikun e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes përmbajtjeve të rremë, duke e defokusuar publikun nga agjendat eurointegruese të BE-së. Tekste të tilla me përmbajtje të rreme janë botuar në portalin rus të dezinformatave “Sputnik”. Për të kundërshtuar narrativet e tilla ruse, fushatat e komunikimit tashmë janë duke u praktikuar me të madhe në këto vende.
Sipas një faqeje të internetit NewsGuard, e specializuar për vlerësimin e besueshmërisë së informacioneve, rezulton që shumë lajme që distribuohen në internet, sidomos na kanalet e Youtube, kanë përmbajtje mashtruese. Kjo është vërejtur kryesisht gjatë kohës së pandemisë, ku manipulatorë të ndryshëm paraqiteshin si ekspertë dhe përhapnin teoritë e tyre të konspiracionit pa kurrfarë mbështetjeje shkencore. E gjithë kjo ngre pikëpyetje në lidhje me aftësinë e medias dhe shoqërisë civile për të luajtur një rol domethënës në luftën kundër keqinformimit. Jo rrallë edhe vetë Bashkimi Evropian ka pranuar se duhet të forcojë mbështetjen politike për median dhe gazetarë e pavarur në BE dhe jo vetëm, sidomos në Ballkanin Perëndimor, si dhe të ndihmojë organizatat e shoqërisë civile në përpjekjet e tyre për të monitoruar dhe raportuar mbi kufizimet e lirisë së shprehjes dhe hapësirës qytetare publike.
LAJMET E RREME TË SANKSIONOHEN ME LIGJ
Duke pasur parasysh rreziqet dhe kërcënimet e paraqitura nga fushatat dezinformuese, BE-ja ka filluar të dërgojë mesazhe për publikun në të gjithë botën, veçanërisht në fqinjësinë e saj, pra në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se edhe ne duhet ndjekur praktikat e vendeve evropiane për miratimin e ligjeve që do të sanksiononin përhapjen e lajmeve të rreme, çfarëdo qofshin ato. Një nga problemet më të mëdha kur bëhet fjalë për lajmet e rreme, është edhe aftësia e kopjimit tepër të mirë të burimeve zyrtare në kontekst të manipulimit të publikut.
Dua të vë në spikamë faktin se Gjermania para disa vitesh, e cila pothuajse ishte e prerë për një ligj të tillë, në Britaninë e Madhe ishte zhvilluar një polemikë se a është ose jo e nevojshme të miratohet një ligj që do të merrej me sanksionimin e të ashtuquajturave lajme të rreme, ku kishte dominuar bindja se diçka duhet t’ia ndalojë rrugën dezinformatave, ndërkohë që presidenti francez Macron, mbeti i ithtar i pakompromis i luftës së ashpër kundër lajmeve të rreme.
A mjafton të flasim për dukurinë e lajmeve të rreme, nëse nuk përgatitemi të mbrohemi, apo t’i identifikojmë lajmet e rreme? Kjo, gjithsesi, nuk është e mundur pa një edukim të mirëfilltë mediatik, i cili do të na udhëzonte të shqyrtojmë burimin e informacionit përmes disa çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me vërtetësinë e lajmit, konkretisht mbi autorësinë e lajmit, datën e publikimit të lajmit, nevojën për ta lexuar të gjithë lajmin, kontrollimin e burimeve të informacionit, krahasimin e burimeve serioze dhe atyre të dyshimta, konsultimin e njohësve të fushës. Të gjitha këto çështje ndërlidhen me nevojën e të qenit i besueshëm një informacion, pa të cilin gazetaria (lexo: media), del e zhveshur nga komponentët e profesionalizmit dhe pastërtisë etike.
Studiuesit e mediave janë në kërkim të përgjigjes se pse njerëzit u besojnë lajmeve të rreme. Kjo përgjigje merr edhe trajtën e dilemës sa herë që njerëzit ballafaqohen me një situatë të pazankontë, ku mundësia për të përhapur panik në publik është shumë e madhe. Vetë lajmi i rremë paraqet panik dhe një dukuri të tillë mund ta ndeshim gjatë pandemisë, por edhe gjatë krizave e konflikteve të ndryshme, siç ndodhi menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, ku njerëzit psikologjikisht janë të prirur t’u besojnë teorive të konspiracionit dhe të ushqejnë iluzione çfarë atyre iu konvenon, e jo çfarë ndodhë realisht në terren. Kur konspiracioni si teori që mbështillet me misteriozitet gjen vend në një hapësirë publike, atëherë demokracia dhe mendimi kritik janë në një kërcënim serioz, kurse pyetja – “pse nuk i besojnë njerëzit shkencës?”. gjithnjë e më tepër po transformohet në një pyetje tjetër – “pse nuk duan t’i besojnë shkencës?”
Edhe diçka për fund. Besueshmëria e informacionit bazohet në besueshmërinë e burimeve, kurse aftësia për të bërë dallimin midis burimeve të mira dhe të këqija luan një rol të rëndësishëm, sqaron neuroshkencëtarja, Franca Parianen. “Ideologët e konspiracionit priren thuajse të mos bëjnë dallime, kur burimet e tyre janë burime dhe kur burimi është thjesht ndonjë video në YouTube”, saktëson ajo. Një studim amerikan thotë se lajmet e rreme përhapen në Twitter shumë më shpejt sesa lajmet reale. Kjo, mbase edhe për faktin se lajmet e rreme i kalojnë më shpejtë digat e (mos)verifikimit profesional, duke gjetur kështu shumë shpejtë terren për t’u bërë pjesë e hapësirës publike.
Kjo analizë është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit.