E hënë, 21 Prill, 2025

“GRUPI I ZJARRIT” E FITOI BETEJËN, A DO TA FITOJË LUFTËN?

E gjetur në këto rivalitete, BDI duket se po humbet fuqinë reformuese. Projekti për “BDI-në e 20-viteve të ardhshme” kishte për qëllim rinovimin, e jo restaurimin e subjektit politik. Agjenda e gjelbër mund të venitet tashmë kur “zjarri” është “lokalizuar” brenda partisë, ndërkohë ajo ka gjasa t’i kthehet identitetit të vjetër. Sa do të jetë kjo kthesë e suksesshme do ta tregojnë zgjedhjet e radhës.

Shkruan: Xhelal Neziri

Përplasjet publike brenda Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) duket se morën fund me zgjedhjen e Kryesisë së re dhe organeve tjera partiake. Fraksioni i drejtuar nga Musa Xhaferri mori një nënkryetar partie dhe dy sekretarë, por jo edhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm që e kërkonte fillimisht. Krerët e këtij grupi poashtu janë pjesë e kryesisë së re partiake, ndërkohë që Xhaferri është akomoduar në Këshillin Mbikëqyrës të partisë.

Sipas Nenit 77 të Statutit BDI-së, Këshilli Mbikëqyrës përbëhet prej 5 anëtarëve dhe bën mbikëqyrjen e akteve dhe vendimeve të miratuara nga organet e partisë, mbikëqyrjen e gjendjes materiale-financiare të partisë, vlerëson aktet juridike të partisë nëse janë në harmoni me Statutin dhe bën interpretimin e Statutit ndërmjet seancave të kongresit.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës i zgjedh Këshilli i Përgjithshëm me vota të fshehta, me propozim të kryetarit të partisë me mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Anëtarët e zgjedhur me shumicë votash, brenda 10 ditësh pasi marrin mandatin, nga radhët e veta zgjedhin kryetar dhe nënkryetar. Nuk përjashtohet mundesia që kryetar i këtij organi të zgjidhet Musa Xhaferri. Ky do të ishte një “comeback” spektakolar në skenën politike.

E ky “comeback” i Xhaferrit lidhet me një vendim tjetër të Këshillit të Përgjithshëm: me shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha degët dhe këshillat vendor, me përjashtim të 11 degëve ku ky proces u rumbullakua në fillim të këtij viti. Përveç degëve dhe Forumit Rinor, në vitin 2023 është caktuar edhe Kongresi i V-të zgjedhor i BDI-së. Pikërisht ky Kongres do të zgjidhë dilemën nëse Ali Ahmeti do të vendosë të përmbyllë epokën e aktivitetit të tij politik, gjë që do t’i hapte rrugën zgjedhjes së liderit të ri partiak. Por vetë Ahmeti, në një deklaratë për media, tha se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga pozita e parë në BDI, duke paralajmëruar se do ta drejtojë partinë deri në vitin 2030. Si figurë e vetme unifikuese dhe me autoritet ndaj grupeve të brendshme, ai e ka të qartë se largimi i tij mund të sjellë përplasje që do të prodhonin subjekte të reja në skenën politike.

E gjetur në këto rivalitete, BDI duket se po humbet fuqinë reformuese. Projekti për “BDI-në e 20-viteve të ardhshme” kishte për qëllim rinovimin, e jo restaurimin e subjektit politik. Agjenda e gjelbër mund të venitet tashmë kur “zjarri” është “lokalizuar” brenda partisë, ndërkohë që ajo ka gjasa t’i kthehet në identitetin e vjetër. Sa do të jetë kjo kthesë e suksesshme, do ta tregojnë zgjedhjet e radhës.

Sidoqoftë, gara për marrjen e drejtimit të partisë nga sfera publike është zhvendosur në sferën e brandapartiake. Qëllimi për shkarkimin e Artan Grubit nga detyra e zv/kryeministrit të parë nuk u arrit, por ai nuk do të jetë më sekretar organizativ. Beteja për “pole position” në këtë garë të madhe për kreun e partisë do të vazhdojë të jetë e intensive edhe në periudhën që vjen.

Të fundit