E enjte, 18 Korrik, 2024

ZIGZAG: NJË DITË PAS

Këtu në Zvicër, një mik imi të cilit i ka mbetur mendja tek e shkuara, po më thoshte dje, pas ndjekjes Live të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së se falë Ali Ahmetit epilogut të tubimit i shkon ajo fjala jonë e urtë: Më rrove, të rrova, brisku i berberit! Nisi t’i them, sa për të bërë debat, se megjithatë zhvillimet që i paraprinë tubimit partiak…, por ai nuk më lë ta përfundoj mendimin: Si pa të keq më thotë, nuk e ditke ti që te koka e qerosit të gjithë bëhen berberë?

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Para rrafsh 30 vjetësh, miku im i ndjerë, profesor Fehmi Agani, më kishte thënë se, përafërsisht, është meritë e Ibrahim Rugovës që LDK-ja mbetet unike, se po të mos ishte Ai, do të bëhej copë-copë! Diçka e përafërt me zhvillimet e fundit në partinë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe rolin e Ali Ahmetit në to! Për dy-tri shkrime rreth zhvillimit në gjirin e integristëve, ç’është e vërteta, nuk është se nuk kam pasur vërejtje e kritika, nga ajo ‘përse i fut hundët në punë të brendshme” e deri tek selami “edhe ai na qenka vegjetosur”!…

Po, vërtet, katundi që duket, kallauz nuk do! E pamë me sy dhe e dëgjuam me vesh: BDI, më saktësisht lideri i saj, bëri atë që edhe pritej për të mos i lënë punët të shkojnë në drejtimin nga i cili “kthim prapa s’ka”!

Paralelja mes fërkimeve në BDI-në e sotme dhe atyre në LDK-në e atëhershme edhe mund të mos jetë e qëndrueshme. Për shkak se atëbotë kishte nisë të konsumohej rezistenca paqesore dhe debati ishte: si më tej? Dua të them: Ka qenë mjeshtri të pajtosh argumentet e themelta të grupimit të pakënaqur me gjendjen karshi atyre të cilët, po ashtu, spikasnin mungesën e takatit për të ndërmarrë diçka më shumë! “Rebelizmi” në BDI, ndërkaq nuk përkon me shembullin e para tri dekadash! Nëse nuk më ka tradhëtuar mbamendja, fërkime e mospajtime të ngjashme ka pasur pas çdo cikli zgjedhor i cili, kujtoj se të paktën deri tani është i gjithpranueshëm, është fituar falë kreut të kësaj partie, Ali Ahmeti! Tani, dihet epilogu i ditës D të BDI-së: I ashtuquajturi “Grup i zjarrit” si duket, pakashumë, është i kënaqur me përzgjedhjen e organeve drejtuese të partisë, mirëpo lëshoi rastin që të shtunën të prekte edhe çështjen që e shpërfaqi gjatë kohë në publik e që në njëfarë mënyre edhe e vuri atë në pikëpyetje: Atë të ekzekutivit!

Dhe, të mos e zgjas: Fitohet përshtypja se Ahmeti me zgjidhjet e ofruara e të miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm, iu përgjigj edhe atyre skeptikëve të cilët kujtojnë se është BDI-ja ajo që e mbanë atë e jo Ai – atë! Në të njëjtën kohë, para parisë së re, të vjetër, të integristëve (dhe vet të parit të tyre) mbetet dilema-sfidë për forcat apo prurjet e reja! Kjo për shkak se BDI, si partia deri tani më e suksesshme në skenën politike shqiptare, duhet të reflektojë karshi faktorit kohë e hapësirë. Me përgjegjësi e llogaridhënie! Dhe, gjithësesi, me meritokraci! “Maqedonia shqiptare” nuk është kushedi sa e madhe sa të mos njihemi: ku ishim dje, ku jemi sot, kush – çka e si, ama edhe sa – bëri?

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së i përket të djeshmes, zgjedhjet janë afër, opozitën e kemi çfarë e kemi…

Këtu në Zvicër, një mik imi të cilit i ka mbetur mendja tek e shkuara, po më thoshte dje, pas ndjekjes Live të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së se falë Ali Ahmetit, epilogut të tubimit i shkon ajo fjala jonë e urtë: Më rrove, të rrova, brisku i berberit! Nisi t’i them, sa për të bërë debat, se megjithatë zhvillimet që i paraprinë tubimit partiak…, por ai nuk më lë ta përfundoj mendimin: Si pa të keq më thotë, nuk e ditke ti që te koka e qerosit të gjithë bëhen berberë?

“N’cëk, të presim e të shohim”- i gjegjem në mjediset e Klubit të shqiptarëve nga një nahije jona që gëlojnë nga meraku për vendlindjen!

Të fundit