Të rinjtë ankohen se pas diplomimit nuk mund të gjejnë punë. Disa nga të diplomuarit në drejtime të ndryshme kërkojnë që institucionet të aplikojnë sistemin e meritokracisë dhe jo të bëhen punësime partiake. Ata thonë se të rinjtë e diplomuar e kanë gjithë përgatitjen, energjinë dhe kreativitetin për të qenë të punësuar në profesionet që kanë zgjedhur. Ekspertë të ekonomisë theksojnë qeveria duhet thellësisht t’i analizojë kërkesat e tregut të punës dhe programet studimore që ofrohen në universitetet e vendit. Sipas tyre, gjatë hartimit të politikave zhvillimore të tregut të punës medoemos duhet të konsultohet me institucionet e arsimit të lartë dhe punëdhënësit. Një arsye tjetër për papunësinë e të diplomuarve shihet edhe te konkurrenca e madhe për një vend pune. Ndërkohë, shumë kompani janë ankuar për mungesë punëtorësh.
Shkruan: Gentuar Ismaili
Kompani të vendit ankohen për mungesë të punëtorëve, kurse në anën tjetër studentë te diplomuar të pa punë.
Në RMV fare pak studentë pas diplomimit e gjejnë një vend pune në pajtim me drejtimin në të cilin kanë studiuar. Sipas të dhënave të Platformës “Fakulteti.mk”, thuhet se janë 194.234 studentë të diplomuar në vend. Kurse sipas Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut për momentin ka 12.133 qytetarë të diplomuar të pa punë, 957 qytetarë që kanë magjistruar që janë të pa punë dhe 34 qytetarë që kanë kryer doktoraturën. Ndërkaq, sipas raportit të publikuar nga Qendra për Karriere e UEJL-së, rreth 70 përqin e të diplomuarve janë të punësuar. Më tej raporti shpjegon se rreth 69,84% e të diplomuarve janë të punësuar dhe 30,16% e të diplomuarve janë pa punë.
Nga numri i përgjithshëm, rreth 83,73% e të diplomuarve janë punësuar me kohë të plotë dhe 9,03% janë të vetëpunësuar.
Të diplomuarit e intervistuar nga KDP deklarojnë se janë të pa punësuar, kurse i porosisin institucionet të krijojnë kushte për punësim. Kurse ekspertët e ekonomisë problemin e shohin tek mungesa e përvojës së studentëve dhe tek suficidi i programeve studimore.
E diplomuara në Doganë Shpedicion dhe Sigurime Merlinda Ibrahimi është shprehur se është e papunësuar, kurse bën apel tek institucionet që të hapin dyert për studentët e diplomuar që janë entuziast dhe energjik.
“Duke e marrë parasysh që mbarova shkollën e mesme profesionale, në lëminë e komunikacionit, qëllimi im ka qenë që gjithmonë të vazhdoj me drejtimin që kisha në shkollë të mesme për t’i zhvilluar edhe më tej aftësitë dhe shkathtësitë e nevojshme për karrierë dhe të specializohem në fushën që e kisha zgjedhur edhe në shkollë të mesme. Fatmirësisht në vitin 2018, Universiteti ,’Nënë Tereza’ e zgjeroi spektrin e programeve studimore duke e përfshirë drejtimin: doganë, shpedicion. Porosia ime për institucionet shtetërore është që t’i hapin dyert për studentët e diplomuar të cilët janë mjaft të entuziazmuar, energjik, kompetent për punë, kreativ, ambicioz dhe mjaft të përgatitur për punë dhe mos t’u neglizhohet e drejta e tyre për punësim”, është shprehur Ibrahimi.
I diplomuari në Administratë Publike dhe Menaxhim me Burime Njerëzore, Suat Useini thotë se është i pa punësuar dhe po ashtu i porosit institucionet në sistemin e shtetit të vendosin metodën e meritokracisë.
“Duke marrë parasysh që shteti jonë është një shtet në tranzicion më një administratë jo efikase, jo profesionale apo jo adekuate. Unë si një i ri vendosa të studioj në Programin Studimor Administratë Publike dhe Menaxhim më Burime Njerëzore, me qëllim që të ndihmoj zhvillimin e administratës publike në shtetin tonë. Duke parë se shteti ynë veç më ka filluar bisedimet më BE dhe një ndër kushtet është edhe pjesa e administratës dhe kjo ishte një ndër arsyet kryesore që kam vendosur të studiojë në ketë program studimor. Porosia ime është që institucionet tona duhet të përveshin krahët për të bërë ndryshime të thella në procesin e punësimit në Administratë Publike me theks të veçantë Agjencinë për Administratë, duke vendosur sistemin e meritokracisë e jo ato partiak!”, ka thënë Useini.
Profesori i Ekonomisë Veland Ramadani arsyen e mos punësimit të studentëve të diplomuar e argumenton me disa fakte.
“Një arsye mund të jetë gjendja aktuale e ekonomisë dhe shumë institucione dhe kompani nuk janë të interesuara për vende të reja pune, ngase një gjë të tillë e shohin si shpenzim shtesë. Pastaj, me rritjen e numrit të universiteteve në vend është rritur edhe numri i të diplomuarve, që nënkupton edhe rritjen e numrit të aplikantëve për punë që konkurrojnë për të njëjtin pozicion apo vend pune. Shumica absolute e studentëve të diplomuar kanë mungesë eksperience, në anën tjetër pothuajse gjitha konkurset kërkojnë eksperiencë pune. Qeveria duhet thellësisht t’i analizojë kërkesat e tregut të punës dhe programet studimore që ofrohen në universitetet e vendit. Gjatë hartimit të politikave zhvillimore të tregut të punës medoemos duhet të konsultohet me institucionet e arsimit të lartë dhe punëdhënësit”, thekson profesori Ramadani.
Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka 694.376 persona të punësuar nga të cilët 514.458 persona janë të punësuar në subjektet afariste në pronësi private, kurse 179.918 persona në subjekte në pronësi tjetër. Të pa punë janë 117.680 persona, kurse në anën tjetër 7.873 vende të punës janë të lira sepse nuk ka punëtorë.