E premte, 14 Shkurt, 2025

KOHA SI ILAÇ PËR MARRËDHËNIET MIDIS MAQEDONISË DHE BULLGARISË

Shtyrja e përfshirjes së komunitetit bullgar në kushtetutë për pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, disa muaj pas përfundimit të procesit të skriningut, është një ide e keqe. Kjo do të ishte ikje nga problemi që do të hapte probleme të reja. Domethënë, si më parë, shumë varet nga lidershipi. Një qeveri e re mund të na kthejë në rrugën e verbër që ku kemi pritur për tridhjetë vjet.

Shkruan: Denko Maleski

Përpara Paqes së Vestfalisë në vitin 1648, Evropa u shkatërrua nga luftërat fetare për një shekull të tërë. Shkenca ka një përgjigje interesante për pyetjen se pse u ndalën luftërat dhe cila ishte arsyeja e nënshkrimit të paqes që shënoi lindjen e shtetit modern në të cilin sundimtari përcaktoi fenë. Nuk tingëllon aspak “shkencore” dhe thotë: me siguri, njerëzit janë ngopur me luftërat dhe kanë arritur në përfundimin se ka gjëra më të zgjuara në jetë sesa të vrasin njëri-tjetrin.

Shekuj më vonë, në fillim të viteve nëntëdhjeta, ndërsa në Universitetin e Kolumbias po zhvillohej konferenca kushtuar shtetit të ri sovran të Republikës së Maqedonisë, përfaqësuesit e diasporës maqedonase dhe greke po përndiqeshin nëpër rrugët e Nju Jorkut dhe pjesëmarrësit e konferencës u evakuan përmes shkallëve të zjarrfikësve. Në vitin 2010, në një konferencë me të njëjtën temë, “Maqedonia”, në të njëjtat ambiente të universitetit, atmosfera ishte me plot mirëkuptim dhe tolerancë. Por as njëzet vjet nuk mjaftuan. Duhej të kalonin edhe tetë vite të tjera, që në vitin 2018 të arrihet marrëveshja në Prespë. Pas gati tridhjetë vitesh “luftë”, u arrit një “paqe” mes dy vendeve, e cila edhe sot e kësaj dite nuk ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Por rregullimi demokratik në Maqedoni dhe Greqi, me ndryshimin e herëpashershëm të qeverisë përmes zgjedhjeve, prodhoi dy grupe politike me të njëjtin qëllim. Ata, në një kontekst të caktuar ndërkombëtar të rivalitetit të rinovuar mes Amerikës dhe Rusisë, mundën t’i rezistonin shumicës dhe të ecnin përpara, drejt paqes dhe bashkëpunimit, me anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Maqedonia, tani Maqedonia e Veriut, dhe Greqia gjetën gjëra më të mençura për të bërë sesa konfrontimi i përhershëm dhe arritën një kompromis.

Kështu do të jetë edhe me Bullgarinë. Do të përballemi me të vërtetat dhe do të gjejmë gjëra më të zgjuara sesa të grindemi për të kaluarën, e cila, ndryshe nga e tashmja, nuk mund të ndryshohet dot gjithsesi. Kompromisi për fillimin e negociatave me BE-në, “propozimi francez”, sërish nuk mbështetet nga shumica e qytetarëve në të dyja anët e kufirit, por procesi demokratik solli politikanë të cilët, së bashku me fuqitë e mëdha, në rrethana të caktuara ndërkombëtare shënuan me agresionin rus kundër Ukrainës, është arritur kompromisi i cili shënon fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE.

Pas tre viteve të stuhishme në të cilat Bullgaria vuri veton dhe më pas e tërhoqi atë, pati një qetësi dhe ne jemi në rrugën e duhur për në Evropë. Dhe Unioni bëri një largim nga rregulli që problemet dypalëshe nuk mund të futen në procesin e negociatave të anëtarësimit në mënyrë që ne të mos qëndrojmë në vend dhe të dështojmë si shtet. Tani duhet të kemi kujdes që ndonjë veprim sabotues, si p.sh. referendumi, të mos na nxjerrë nga binarët evropianë. Ne kemi nevojë për një lider që do t’i shpjegojë njerëzve rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në Union dhe aktivitetin e përkushtuar të politikanëve që do të hapin rrugën drejt qëllimit.

Shtyrja e përfshirjes së komunitetit bullgar në kushtetutë për pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, disa muaj pas përfundimit të procesit të shqyrtimit, është një ide e keqe. Kjo do të ishte ikja nga problemi që do të hapte probleme të reja. Domethënë, si më parë, shumë varet nga lidershipi. Një qeveri e re mund të na kthejë në rrugën e verbër që ku kemi pritur për tridhjetë vjet.

Optimizmi fillestar për një zgjidhje të shpejtë të çështjeve historike mes Maqedonisë dhe Bullgarisë është prapa nesh, por përparimet e para të rëndësishme në atë drejtim janë bërë. Si gjithmonë dhe kudo, në këtë fazë fillestare nacionalistët në të dy anët e kufirit ishin më të zhurmshmit. Por mendjet e pakta liberale në të dy anët e kufirit luftuan gjithashtu për lirinë e tyre për të thënë atë që mendojnë. Pra, është hapur një debat dhe është thyer një tabu që të mos diskutohen marrëdhëniet maqedono-bullgare.

Në një botë ku të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit atë që duhet, zhvillimi i bisedimeve me Bullgarinë nën mbikëqyrjen e BE-së është në favorin tonë. Domethënë, është e rëndësishme që të dy vendet të kultivojnë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të mos keqpërdorin mekanizmat demokratikë evropianë për qëllime nacionaliste. E njëjta gjë vlen edhe për sjelljen e përfaqësuesve të pakicave kombëtare dhe klubeve që i formojnë ato: përveç të drejtave që dalin nga konventa evropiane, detyrimi për të përdorur të drejtat për të përmirësuar atmosferën e mirëkuptimit të ndërsjellë, fqinjësisë së mirë, paqes dhe bashkëpunimit. Të drejtat dhe detyrimet, që do të ishin në frymën e Evropës.

 

*Teksti është publikuar në kuadër të një projekti të mbështetur nga NED. Pikëpamjet janë vetëm të autorit.

Të fundit