E shtunë, 13 Korrik, 2024

A I FESTOJNË SHQIPTARËT FESTAT SHTETËRORE TË MAQEDONISË SË VERIUT?

Shkruan: Gentuar Ismaili

Ndërkohë që Maqedonia e Veriut është ndër vendet me më shumë festa shtetërore, një pjesë e madhe e tyre as nuk dihet se pse festohen. Përveç se ishte ditë jopune, pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë etnikë nuk e dinin pse të martën u festua 11 Tetori.

Sipas ligjit për festa në Republikën e Maqedoninë së Veriut në vitin 2022 nga gjithsej 11 ditë jo pune për gjithë qytetarët e vendit, ndërsa për shqiptarët është 1 ditë dhe për myslimanët 1 ditë. Për gjithë qytetarët e vendit, janë 1 janari, 7 janari, 1 maji, 25 prilli, 2 maji, 24 maji, 2 gushti, 8 shtatori, 11 tetori, 23 tetori dhe 8 dhjetori. Për shqiptarët, 22 nëntori është pushimi, ndërsa për myslimanët 9 korriku është festa e Kurban Bajramit.

Për dallim të festave etnike dhe fetare, shqiptarët etnikë rallë angazhohen për të organizuar festimin e festave që janë shtetërore, pra për të gjithë qytetarët. Kjo ndodhi edhe për 11 Tetorin, në të cilën ditë në vitin 1941 është regjistruar përpjekja e parë e armatosur kundër fashizmit dhe për çlirimin e Maqedonisë së Veriut.

Historiani shqiptar, Ajrullah Jakupi, shprehet se për maqedonasit etnikë është e rëndësishme kjo ditë, pasi simbolizion legjitimimin e popullit maqedonas. Sipas tij, kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk e ndjejnë si festë të tyre, edhe pse ka karakter shtetëror.

“Për maqedonasit është e rëndësishme sepse ata po në 11 tetor së pari herë legjitimohen si popull maqedonas, i cili i është bashkuar koalicionit të fuqive anti-fashiste. Ose ndryshe thënë u njohë populli maqedonas nga partitë komuniste ballkanike, që interesi kryesor i tyre ishte të luftojnë fashizimin dhe nacizimin. Ka shumë gjëra tjera, por me një fjalë, maqedonasëve ju konvenonte ky veprim sepse u njoh populli maqedonas e më vonë për shkaqe politike  sikurse e dijmë, Titoja e pranon edhe shtetin maqedonas. Së pari herë unë mendoj se shqiptarët etnikë nuk e fesojnë se nuk i lidhë asgjë me këtë festë, e cila në mënyrë atificiale është zmadhuar”, vlerëson historiani Jakupi.

Profesori i Historisë Naser Miftari, ndërkaq, thotë se gjeneratat e reja dhe mbarë populli duhet të mos ngarkohet me të kaluarën e papastruar apo të tashmen e ngatërruar.

“Politikanët gabimisht e trajtojnë si shkencë ose historia e Kryengritjes së Ilidenit, jo mjaftueshëm është zbardhur, populli duhet të njoftohet qartë dhe pastër, pa ngjyra politike apo pseudoshkencëtarë. Gjeneratat e reja dhe mbarë populli duhet të mos ngarkohet me të kaluarën papastruar apo të tashmen e ngatërruar. Nacionalizimi i askujt, nuk forcon mirëqenien, por përkundrazi”, u shpreh profesori Miftari.

E studenti Abedin Ismaili thekson se këtë festë duhet ta festojnë të gjithë, pasi Kryengritja e 11 Tetorit nuk ka qenë vetëm e maqedonasve, por e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Po, sigurisht, pasi Kryengritja nuk ka qenë e precizuar vetëm për popullin maqedonas, por të Maqedonisë së atëhershme e kësaj të sotme, Maqedonisë së Veriut, që përfëshin  të gjithë qytetarët pa dallime të përkatësive etnike. Për ata qytetarë që nuk i festojnë festat zyrtare të shtetit, kanë arsyet esenciale për të mos i festuar. Janë të diskriminuar, ose të shtypur nga aparati shtetëror. Prandaj, edhe nuk e ndjenë shtetin si pjesë të tyre”, u shpreh studenti Ismaili.

Përndryshe, nga presidenti e deri te kryetarët e partive politike, pavarsisht etnive, e uruan këtë festë, por partitë në pushtet dhe ata në opozitë sërish u përplasën pasi e akuzuan njëri-tjetrin për shitje dhe ndryshim të historisë.

 

 

Të fundit