E premte, 12 Korrik, 2024

KËSHILLI I BE-SË DISKUTOI PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

Për herë të parë, grupi punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian ka pasur në rend të ditës diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së, në letrat që u ka dërguar shteteve anëtare, ka thënë se dëshiron që në këtë takim të shohë se a ekziston mbështetja e duhur e delegacioneve të shteteve anëtare për të lëvizur drejt vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Çekia, si kryesuese e radhës, ka mbajtur qëndrim neutral, por në një letër që ua kishte dërguar më parë vendeve anëtare ishte shprehur qartë se ka ardhur koha për liberalizimin e vizave.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, vendet anëtare kanë qenë pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por Franca ka propozuar që procesi të lidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Presidenca çeke ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.

Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.

Delegacionet që kanë marrë pjesë në këtë diskutim, i cili ka qenë i natyrës punuese dhe i mbyllur për publikun, e kanë pasur para vetes një letër të Komisionit Evropian ku në detaje janë përmendur rezultatet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Për herë të parë, Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018. Po ashtu, KE-ja të mërkurën, më 12 tetor, përmes raportit vjetor të progresit konfirmoi se mbetet në fuqi rekomandimi për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimi se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Presidenca Çeke, kur njoftoi se do të vendoste në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën, argumentoi se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për heqjen e vizave për Kosovën, janë bindëse. Çekia tha, po ashtu, se shpreson që të gjitha shtetet e bllokut evropian të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme të shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, u tha në letrën që Presidenca Çeke u dërgoi shteteve anëtare.

“Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimit të Kosovës në BE, që tashmë është shumë i vonuar. Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor [dhe një prej pak shteteve në Evropë] që ende nuk ka siguruar regjim pa viza me BE-në. Ky fakt, ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe besueshmërisë së BE-së”, shkroi Presidenca Çeke.

Diskutimet në grupin punues të Këshillit janë vetëm fillimi i procedurës në këtë institucion të BE-së.

Aktualisht, në Bruksel nuk duan të përmendin afate kohore se kur mund të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave. Por, nëse do të ketë pajtim të shteteve anëtare, atëherë do të nisë diskutimi ndërmjet tri institucioneve të BE-së – i quajtur trialog – Këshillit, Parlamentit dhe Komisionit.

Por, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian për vite me radhë e kanë mbështetur liberalizimin e vizave, andaj nuk pritet që të ketë ndonjë pengesë në këto dy institucione.

Presidenca Çeke e BE-së ka paralajmëruar se do të “synojë të arrihet pajtim nga të gjitha shtetet”, pavarësisht se për miratimin e vendimit të Këshillit mjafton vota e shumicës së kualifikuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist se takimi në Këshill mund të sjellë rezultate. Por, për dallim nga Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë për REL-in se është “optimiste e kujdesshme”, por ka shtuar se sheh vullnet politik te liderët e BE-së që kjo çështje të mos bllokohet.

Të fundit