Në Maqedoninë e Veriut pjesëmarrja dhe përfaqësimi i të rinjve në institucione dhe në proceset politike është relativisht i ulët. Nga 120 deputetë, mosha mesatare e përfaqësuesve në parlamentin Maqedonisë së Veriut arrin deri në 48 vjet. Analistët thonë se kur të rinjtë janë të privuar nga e drejta ose të shkëputur nga proceset politike, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka pak ose aspak zë, gjegjësisht nuk ka ndikim në vendimet që prekin në jetën e anëtarëve të grupit. Përfaqësues të forumeve rinore thonë se shumë të rinj priren të besojnë se zëri i tyre nuk do të dëgjohet ose se nuk do të merret seriozisht edhe nëse dëgjohet.
Shkruan: Puhiza Osmani
Pjesëmarrja politike e të rinjve është fokusi vendimtar i përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar demokracinë e një shteti. Nga të dhënat e fundin është del se mosha mesatare e përfaqësueseve në parlamentin e Maqedonisë së Veriut është 48 vjeç.
Në lidhje me përfshirjen e dobët të të rinjve në jetën politike, studentet e Komunikimit Ndërkombëtar, Anëmsha Shabani dhe Matilda Bakiu, shprehen se sot zhvillohen shumë debate të cilat përqendrohen tek të rinjtë si votues dhe si aktivistë të lëvizjeve sociale dhe demokratike, por jo në nevojën për të zgjedhur më shumë të rinj në poste politike.
“Ne mendojmë se të rinjtë duhet që akoma edhe më shumë të jenë të pranishëm në forumet vendimmarrëse, në mënyrë që të bëhet një përfaqësim adekuat i interesave të të rinjve në jetën politike. Një nga arsyet pse të rinjtë u përshtaten një sërë kriteresh ekzistuese për rritjen e përfaqësimit politik, është së pari, sepse ne si të rinj përbëjmë shumicën dërrmuese të popullsisë së vendit, dhe për këtë arsye meritojnë më shumë se një prani politike simbolike për arsye të drejtësisë dhe legjitimitetit demokratik. Si dhe gjithashtu ka shumë çështje me shqetësim të veçantë për të rinjtë që duhet trajtuar, për shkak të pozicionit të tyre në ciklin e jetës, si arsimi, shkollimi në universitet, punësimi dhe shërbimi ushtarak, që do të kenë një ndikim më të madh në brezat e ardhshëm”, u shprehën studentet e Komunikimit Ndërkombëtar.
Nga Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim, Valon Osmani u shpreh, se mungesa e të rinjve në qasjen politike vjen si pasojë kryesore e minimit të përfaqësimit të sistemeve politike.
“Që të rinjtë të mund të përfaqësohen në institucionet politike, në procese dhe vendimmarrje, e veçanërisht në zgjedhje, duhet të njohin të drejtat e tyre dhe t’u jepen njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për të marrë pjesë në të gjitha nivelet. Kur ka pengesa për të marrë pjesë në proceset politike, të rinjtë mund të ndihen shpejt të pafuqishëm. Shumë të rinj priren të besojnë se zërat e tyre nuk do të dëgjohen ose se nuk do të merren seriozisht edhe nëse dëgjohen. Kjo, bën që të rinjtë të përjashtohen gjithnjë e më shumë nga pjesëmarrja në vendimmarrje, apo në debate për çështje kyçe sociale, ekonomike dhe politike, pavarësisht ndjeshmërisë së tyre ndaj kërkesave për barazi dhe drejtësi sociale”, tha Osmani.
Analisti Isamet Bakiu thotë se, që vendi të mund të rrisë numrin e përfaqësuesve të të rinjve duhet të bëhet dallimi me vendet e tjera, dhe të kuptohen faktorët apo arsyet pse të rinjtë zgjidhen në numër më të madh në disa parlamente në krahasim me të tjerat.
“Të shohësh të rinjtë në politikë mund të gërryejë stereotipet në shoqëri se të rinjtë nuk janë ‘gati’ apo ‘të aftë’ për të udhëhequr, si dhe të kultivojë një ndjenjë tek të rinjtë se politika është një arenë e hapur për pjesëmarrjen e tyre. Që të kuptohen arsyet e këtij përfaqësimi të dobët të të rinjve në aktivitetet politike, duhet të mblidhen dhe të përdoren të dhëna nga Unioni Ndërparlamentar, që të mund të hartojmë një strukturë të përfaqësimit të të rinjve në parlament”, thotë Bakiu.
Sipas tij, duhet analizuar faktorët socialë, ekonomikë, kulturorë dhe politikë që mund të shpjegojnë pse të rinjtë zgjidhen në numër më të madh në disa parlamente në krahasim me disa të tjera.
“Unë mendoj se sistemi politik në Maqedoninë e Veriut që të konsiderohet si sistem përfaqësues, duhet të përfshihen të gjitha pjesët e shoqërisë. Kur të rinjtë janë të privuar nga e drejta ose të shkëputur nga proceset politike, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka pak ose aspak zë ose ndikim në vendimet që ndikojnë në jetën e anëtarëve të grupit. Për të bërë një ndryshim është thelbësore që të rinjtë të angazhohen në proceset formale politike dhe të kenë një rol në formulimin e politikës së sotme dhe të së nesërmes” tha Bakiu.