Sociologu Ali Pajaziti thekson për KDP se shoqëria në Maqedoninë e Veriut aktualisht gjendet në fazën e humbjes së vetëbesimit në të gjitha nivelet sociale. Sipas tij, kjo vjen si pasojë e humbjes së hierarkisë së vlerave të imponuar nga politika. Ai thotë se ”kultura e interesave të ngushta’ dhe e “kultit të ordinerit të suksesshëm në karrierë dhe para” demotivojnë prindërit, gazetarët, artistët, dhe mësimdhënësit. Suksesin e gjimnazistëve të të “Zef Lush Markut” e sheh si “xixa që e mbajnë gjallë” zellin e shoqërisë.
Shkruan: Enis Shaqiri
Suksesi i javës së kaluar i pesë gjimnazistëve, të cilët ishin fitues të garës NASA Space Apps Challenge, sikur na la të kuptojmë se të rinjtë çdo herë thyejnë zymtësitë e një shoqërie depresive.
Kreativiteti dhe arritja e këtyre gjimnazistëve si formë kryesore në zhvillimin e një shoqërie, mjedisi dhe pa dyshim kulture, në thelb le të kuptohet se në RMV mund të vijë në shprehje kreativitetit rinor kundrejt atij kriminal që për gjatë kohë e dominon shoqërinë si model tranzicioni dhe shtresimesh tjera politike dhe sociokulturore.
Sociologu Ali Pajaziti thekson për KDP se shoqëria në Maqedoninë e Veriut aktualisht gjendet në fazën e humbjes së vetëbesimit në të gjitha nivelet sociale. Sipas tij, kjo vjen si pasojë e humbjes së hierarkisë së vlerave të imponuar nga politika. Ai thotë se ”kultura e interesave të ngushta’ dhe e “kultit të ordinerit të suksesshëm në karrierë dhe para” demotivojnë prindërit, gazetarët, artistët, dhe mësimdhënësit.
“Shoqëria jonë përjeton një fazë të defetizmit, shpresëthyerjes apo së humbjes së vetëbesimit në të gjitha nivelet sociale, nga rinia deri te kategoritë më të moshuara. Kjo si pasojë e humbjes së hierarkisë së vlerave, imponuar nga politika ditore që gjithçka e mat me arshinët e votës e jo të kolektives, ideales dhe ardhmërisë. Kjo bën që të humben shumë talente, shumë tru fisnikë që mund ta përnderonin dhe afirmonin lagjen, fshatin, qytetin, kombin, shtetin e përtej. ‘Kultura e interesave të ngushta’ dhe ‘kultit të ordinerit të suksesshëm në karrierë dhe para” demotivojnë prindërit, gazetarët, artistët, mësimdhënësit që s’mund t’u besojnë syve dhe veshëve të tyre kur shohin e dëgjojnë se si çajnë përpara syçelët nga mesi ynë”, thekson Pajaziti
Ndërkaq rastet e veçanta, si suksesi i gjimnazistëve të “Zef Lush Markut“, sociologu i veçon si dritë në fund të tunelit, që mbajnë gjallë edhe ato pak të zellshëm në mesin e shoqërisë.
“Rastet tek tuk të sukseseve të veçanta të të rinjve nga mesi ynë si ai i “ZLM 2022” janë xixa që na mbajnë gjallë, që na flasin se ekziston një ligj kozmik që megjithatë funksionon, që reflektohet në ruajtjen dhe lançimin e cilësores së kultivuar nga të zellshmit nga mesi ynë,” thekson sociologu, Ali Pajaziti.
Kujtojmë se potenciali i moshës së të rinjve në botë tashmë ka ndryshuar. Tregimet e rëndësishme nga bashkësitë tashmë i punojnë edhe nxënësit e shkollave të mesme të cilët me një mentorim të mirë po korrin rezultate, dhe më e rëndësishmja, që po arrijnë të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në komunitet dhe më gjerë.
Ndryshe, në një intervistë për KDP, Nderim Nagavci mentor i gjimnazistëve të Çairit në pyetjen se cila do të ishte porosia ndaj të rinjve, ka theksuar se “bota është e tyre, mos të ndalen në asnjë moment, gjithçka që ata dëshirojnë munden ta realizojnë”!