Qeveria e Malit të Zi me mandat teknik ka shkarkuar të premten ushtruesin e deritashëm të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB), Savo Kentera. Shkarkimi është bërë me propozim të kryeministrit në Largim, Dritan Abazoviq në një seancë telefonike dhe, raportojnë agjencitë e lajmeve, nuk ka qenë i njëzëshëm, por është bërë me shumicë votash, – transmeton kdpolitik.com
Njoftimi zyrtar ishte se Kentera është shkarkuar në një seancë telefonike, me pëlqimin e marrë nga shumica e anëtarëve dhe me propozimin e Abazoviqit.
Për të , sikurse thuhet, kanë votuar 16 anëtarë të Qeverisë, ndërsa pesë ishin kundër. Zyra e Abazoviqit njoftoi se kryeministri “në një bisedë direkte, menjëherë pas forumit 2BS, ia paralajmëroi këtë vendim zotit Kentera”.
Kreu i shkarkuar i ANB-së u tha gazetarëve në margjinat e forumit “Të jemi të sigurt” që po mbahet në qytetin malazez të Budvës se “dikujt nuk i përgjigjej që ANB-ja punoi gjatë muajve të kaluar në mënyrë profesionale”.
Kentera tha se “ai shërbim ka shumë njerëz cilësor dhe… profesionistë”, dhe se nuk dëshiron që “ndokush të mendojë se aty punojnë kriminelë apo persona të lidhur me krimin”. Sipas tij, dëshmi për punën e ANB-së gjatë disa muajve të fundit është rezultati i operacioneve, por edhe mirënjohjet ndërkombëtare të cilat kanë mbërritur nga më shumë adresa.
“Nuk e kam bërë këtë i vetëm. E kam bërë me njerëzit e mi, me të njëjtët njerëz të cilët kryeministri po i akuzon se janë të përfshirë në disa gjëra”, tha Kentera dhe u bëri thirrje të gjithëve që nëse kanë ndonjë provë t’ua dorëzojnë ato prokurorëve.
Ai shprehet se është jashtëzakonisht krenar për çdo gjë që “bëri me ekipin e tij dhe për këtë shtet” dhe shton se do të vazhdojë të luftojë për “një Mal të Zi të vërtetë me orientim perëndimor dhe kushdo që mendon se mund ta kthejë këtë shtet nga kjo rrugë, le ta dijë se është në një lajthitje të madhe”.
“Mos mendoni se Rusia këtu mund të kërkojë çfarëdo qoftë. As Rusia, as Serbia dhe as cilido vend që nuk ia mendon të mirën këtij shteti”, tha Savo Kentera.
Ambasadorja amerikane në Podgoricë, Judy Reising Rajnke ka deklaruar në Budva se nuk do të komentojë vendimin për shkarkimin e drejtorit të ANB-së, duke nënvizuar se ky është vendim i Qeverisë së Malit të Zi.
“Por, më duhet të shtoj se kemi parë thuajse hapa të rëndësishëm të ANB-së në këtë vend për të zmbrapsur ndikimin e Rusisë dhe unë e trimëroj Malin e Zi që të vazhdojë të luftojë kundër ndikimit të Rusisë në Mal të Zi dhe në Ballkanin Perëndimor”- transmeton Zëri i Amerikës deklaratën e ambasadores Rejnke.
Ndërkohë, duke folur po për këto zhvillime, ligjëruesi në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Edward Joseph, tha se është i habitshëm dhe i dyshimtë veprimi i kryeministrit në mandatin teknik të Dritan Abazoviqit për të revokuar Sava Kenteran nga kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
“Lëvizja e habitshme e kryeministrit Abazoviq ngriti shumë pikëpyetje sepse puna e Kenteras në luftën kundër spiunëve rusë, sikurse tha përfaqësuesi i BE-së për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak, “ishte tepër e vlerësuar metropolet perëndimore”, – transmeton kdpolitik.com deklaratën e Josephit për median malazeze.
Ai ka rikujtuar se më 29 shtator, gjashtë diplomatë rusë u dëbuan nga Mali i Zi për spiunazh, së bashku me disa dhjetëra të tjerë të dyshuar si spiunë rusë.
Joseph ka vënë në dukje se ndër çështjet kryesore për të cilat po mendojnë zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së është se përse Abazoviq vendosi për këtë, siç tha ai, hap të dyshimtë në prani të mysafirëve të lartë, para diplomatëve, oficerëve të huaj ushtarak dhe medias.
“Dora ruse, dora serbe ase gambiti i brendshëm politik – ajo që është e qartë është janë rritur aksionet në zgjedhjet e ardhshme në Mal të Zi,”- ka përfunduar Edward Joseph, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan.
Kohë më parë, në Mal të Zi u zhvillua një aksion i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë Speciale të Shtetit, i cili rezultoi me arrestimin e dy shtetasve malazezë, dëbimin e gjashtë diplomatëve rusë dhe ndalimin e hyrjes për 28 të huaj për të cilët, Ministria e Brendshme dhe ANB-ja malazeze thanë se kishin punuar për interesa të shërbimeve të huaja dhe të njëjtët ishin identifikuar si “bartës të ndikimit malinj të kryer për interesa të shërbimeve të huaja”.
Duke folur po për këtë çështje, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në një intervistë për Zërin e Amerikës pati thënë se fjala është për veprimtari në favor të shërbimit informativ rus. Në fillim të javës që po përfundon, kryeministri në largim, Dritan Abazoviq, ndërkaq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, shkarkoi zëvendëskryeministrin dhe ministër i Mbrojtjes Rashko Konjeviq nga pozita e koordinatorit të shërbimeve të sigurisë.