E mërkurë, 24 Korrik, 2024

RIKTHEHEN TENSIONET SHKUP-SOFJE: VMRO DHE LEVICA KUNDËR “CAR BORISIT”

Hapja e Klubit të Dytë Bullgar në Ohër ka shkaktuar reagime dhe protesta nga opozita maqedonase. Klubi, i cili mban emrin “Car Borisi i Tretë”, ka mobilizuar partinë Levica të Dimitar Apasiev të organizojë një protestë në Ohër, të cilën e ka përkrahur edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, përcjell KDPolitik.com.

Shoqata e qytetarëve “Car Borisi i Tretë” është themeluar vitin e kaluar në nëntor, ndërsa më 7 tetor hap klubin e saj, i cili gjendet në katin e parë të qendrës tregtare Amam në Ohër. Siç raporton REL në gjuhën maqedonase, përveç rafteve me libra bullgarë, hapësira prej 25 metrash katrorë ka edhe shalle dhe fanella tifozësh, foto të lojtarëve të VMRO-së, ikona të Shën Klimentit dhe Naumit, për të cilat ka rekomandime nga komisioni historik për nderim të përbashkët.

Në mur varen foto të mëdha me kornizë të Ferdinandit I, i cili sundoi nga fundi i shekullit të 19-të deri në fund të Luftës së Parë Botërore dhe u shpall Car i Bullgarëve. Pastaj një fotografi e Car Borisit të Tretë, i cili sundoi deri në vitin 1943, dhe i djalit të tij Simeon Saxoburgovski, i cili është ende gjallë.

E majta bëri thirrje për protestë para klubit, për shkak të, siç thonë ata, “hapjes së shoqatës kontroverse që mban emrin e shtetarit fashist, shërbëtorit të Hitlerit dhe luftëtarit kundër maqedonizmit, Car Boris III”. Për masivitet të protestës bëri thirrje edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Edhe komuniteti hebre i Maqedonisë ka shpallur një kallëzim penal kundër emrit të kësaj qendre kulturore dhe është përgjigjur se është i tmerruar për shkak të “glorifikimit të fashizmit dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes”.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashela Mizrahi sot në një deklaratë për media nga Ohri tha se ky është “revizionizëm historik i papranueshëm dhe më shumë se një provokim serioz”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, grupeve politike dhe jopolitike për sjellje të pjekur dhe dinjitoze, bazuar në respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve, pavarësisht të përkatësisë së tyre etnike, të ushtrojnë lirinë e tyre të garantuar me kushtetutë të organizimit dhe shprehjes së lirë të mendimit të tyre.

Ministria kërkon nga të gjitha palët e interesuara që të përmbahen nga përpjekjet për keqpërdorim të të drejtave dhe lirive të tyre, veçanërisht të shmangin përdorimin e provokimeve dhe mohimin e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Hapja e klubit të parë kulturor bullgar “Vanço Mihailov” në Manastir më 16 prill të këtij viti, ku mori pjesë edhe kreu i shtetit bullgar, ka hasur në reagime dhe protesta në opinionin maqedonas. Mihailov, me origjinë nga Shtipi i Maqedonisë së Veriut, ishte një bashkëpunëtor fashist në Luftën e Dytë Botërore dhe pretendonte se maqedonasit ishin bullgarë.

Tre ditë më parë u krijua organi këshillimor që duhet të japë një mendim për karakterin e figurave historike që duhet të jenë pjesë përbërëse e emrit të një shoqate apo fondacioni, për të shmangur abuzimin e figurave të caktuara që kanë kontekst negativ në  periudha të ndryshme. Më herët, ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, i pyetur nëse klubi në Ohër do të lejohet të hapet pa mendim nga këshilli, tha se njoftimet janë të tilla, por si ministri nuk kanë asnjë autoritet, sepse është një komision qeveritar.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm bullgar në detyrë, Nikollaj Milkov, tha se “është mirë të maten reagimet, është mirë të jesh gjakftohtë, të mendosh para se të flasësh dhe t’i zgjidhësh gjërat në mënyrë pragmatike, që parashikon marrëveshja jonë e fqinjësisë së mirë”.

Sipas Milkovit, nëse emri Car Boris i Tretë është problem, atëherë problem shumë më i madh është shkolla e mesme në Shkup me emrin Josip Broz Tito.

Duke reaguar ndaj deklaratës së presidentit të RMV, Stevo Pendarovski, se me homologun e tij bullgar mund të bisedojë vetëm për tema evropiane e jo për ato historike, Milkov ka rikujtuar opinionin maqedonas se Bullgaria është anëtare e Bashkimit Evropian dhe derisa është duke negociuar me BE-në, Republika e Maqedonisë së Veriut është duke negociuar me Bullgarinë.

“Nuk dua të komentoj atë që është mësuar nga mediat që ka thënë Stevo Pendarovski, sepse nuk duhet të komentoj për media. Dua të bëj disa komente parimore për çështjet sistematike në marrëdhënie. Shpresojmë që autoritetet ekzekutive në RMV do të garantojnë sigurinë në vend, duke përfshirë edhe njerëzit me vetëdije etnike dhe kombëtare bullgare atje”, tha Milkov.

Ndryshe, me miratimin e Propozimit Francez në qershor të këtij viti në parlamentet e të dyja vendeve, Bullgaria hoqi veton për fillimin e negociatave me RMV, e cila kishte bllokuar procesin eurointegrues të Shkupit për gati dy vite. Në Propozim jepen garanci se do të zbatohet Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë dhe do të ndryshohet Kushtetuta e RMV për t’u përfshirë në preambulën e saj edhe bullgarët etnik.

Të fundit