E hënë, 21 Prill, 2025

EKONOMIA ZOMBI

Sulmet ndaj Liz Truss janë pothuajse të pamerituara. Natyrisht, nuk ka dyshim se kryeministrja e re dhe ministri i saj i financave gabuan në mënyrë monumentale. Ama nuk është e ndershme që kritikët ia atribuojnë asaj të gjitha mëkatet e modelit të vjetër të afarist që e frymëzoi Margaret Thatcher, Tony Blair e adaptoi dhe Osborne mbështeti, kurse Brexiti e minoi, ndërsa Boris Johnson e shpërfilli. Kryeministrja e re bëri një gabim fillestar kur u përpoq të mposhtte Rishi Sunakun (duke hedhur poshtë njëkohësisht planin e Johnsonit për zhvillimin e rajoneve të pazhvilluara) duke zgjedhur për vete rolin… Thatcher. Mjerisht, ndryshe nga Thatcheri, ajo nuk ka akses në pronën shtetërore për të pompuar atë në sektorin financiar, kurse Banka e Anglisë druan shumë nga inflacioni që të shtyp paratë tjera për vazhdimin e financializimit. Truss po përçapet të bëjë të pamundurën: të jetë Reagan pa mbështetjen e dollarit të fuqishëm.

Shkruan: YANIS VAROUFAKIS*

Sikur mini-buxheti i Kwartengut të kishte mbijetuar stuhinë që shkaktoi, bankierët që tashmë fitojnë nga një milion paund në vit do të merrnin  lehtësime tatimore shtesë dhe bonuse pa tavan. Nga ana tjetër, shpërndarësit që distribuojnë pica me biçikleta do të merrnin një fjalim motivues ku lavdërohet dëshira për t’u pasuruar. Ky ishte thelbi i strategjisë së zhvillimit të qeverisë së re ose, siç e përshkroi ish-ministri i Brexitit, David Frost, kundërhelm për problemet e ngecjes dhe defetizmit.

Sado që të jetë joshëse tërheqja e paraleles midis ideve të zombifikuara mbi ekonominë e shpërndarjes (trickle-down economics) dhe filmave klasikë horror hollivudian si “Nata e të vdekurve të gjallë”, duke pasur parasysh seriozitetin e momentit, do të ishte më e udhës të merremi me qarkullimin e mundshëm të parasë shtesë që do të gjendej në duart e bankierëve. Qeveria pohon se ata do ta investonin në rritjen ekonomike. Se nuk është fjala për një gënjeshtër të paskrupull, ky do të ishte një shembull prekës i shpresës së të marrit. Për dallim nga bukëpjekësit, kasapët dhe prodhuesit e birrës së Smith-it që investuan tepricat e tyre në prodhimin e bukës, mishit dhe birrës, bankierët  do të investonin paranë  në ndonjë fond investimi që më tej do të investonte  në aksione, derivate dhe obligacione.

Menaxherët e fondeve tek të cilët do të përfundonin ato para, kaherë kanë hequr dorë nga investimi në kapacitetet prodhuese. Pse do ta bënin këtë, nëse e dinë se masat nuk kanë me çfarë t’i paguajnë produktet e reja të shtrenjta? Në vend të kësaj, ata investojnë paratë në blerjen e aksioneve të tyre (duke rritur kështu çmimet e aksioneve dhe shumat e bonusit menaxherial) ose luajnë kumar në tregjet e derivateve dhe të pasurive të paluajtshme. Sekreti i ndyrë i ekonomisë zombi të shpërndarjes qëndron në faktin se vetëm një forcë mund të parandalojë që ky rreth vicioz financiar të humbasë ekuilibrin dhe të dalë jashtë kontrollit: është aftësia e shtetit (dhe ndonjëherë edhe e bankës qendrore) për ta ushqyer më tej.

Margaret Thatcher, të cilën gjoja Liz Truss e adhuron, e dinte këtë sekret të vogël të pistë. Ajo mësoi me vështirësi se gjithçka që  lehtësimet tatimore bëjnë për të pasurit është që të hyrat t’i çojnë lartë, në dobi të të pasurve, pa  i sjellë shoqërisë dividendën në formën e rritjes ekonomike. Që politikat e saj neoliberale të prodhonin një pamje të rritjes ekonomike, ajo u detyrua që në rrethin magjik financiar të shtynte pasurinë ekzistuese të shtetit (para së gjithash fondin publik të banesave dhe ndërmarrjet publike për shpërndarjen e gazit, energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë). Shkurt, politikat e saj sollën rritjen, por jo falë ekonomisë funksionale të shpërndarjes, por sepse pjesa më e madhe e të mirave publike u shitën me çmime të ulëta dhe u derdhën në kazanin financiar të Qytetit.

Ky është modeli afarist që nuk ka ndryshuar ndjeshëm që nga koha e Margaret Thatcherit. Në fakt, qeveria e fundit laburiste përdori të hyrat nga taksat e Qytetit për të financuar Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe shërbimet sociale, por baza prodhuese në Mbretërinë e Bashkuar vazhdoi të shkrihet. Tony Blair dhe Gordon Brown jo vetëm që vazhduan procesin e financializimit që kishte nisur Margaret Thatcher, por e thelluan atë në dy mënyra: duke hequr kufizimet rregullatore të mbetura për Qytetin dhe duke investuar më tej të hyrat nga shërbimet e derregulluara publike.

Nën barrën e arrogancës së vet, rrethi vicioz i financializimit përjetoi shembjen historike në vitin 2008. Bankat qendrore dhe shtetet u detyruan të bashkonin forcat për ta mbajtur atë gjallë. Këtij shembullit të mrekullueshëm të socializmit ekskluziv për elitën financiare, George Osborne ia shtoi edhe masat e kursimit, të cilat, duke reduktuar më tej kërkesën agregate, eliminuan të gjitha stimujt e mbetur për nxitjen e investimit në bazën e prodhuese.

Katër dekada pas inicimit të eksperimentit neoliberal, provat flasin qartë: ekonomia e shpërndarë është një mashtrim i rrezikshëm. Rritja ekonomike nuk reagon ndaj normave tatimore për të ardhurat më të larta. Paul Krugman  provoi kohë më parë se ulja e Reganit dhe rritja e taksave e Clintonit nuk ndikuan ndjeshëm në trajektoren e ekonomisë amerikane. Po kështu, të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar flasin kundër besimit se Margaret Thatcher e nxori Britaninë e Madhe në rrugën e rritjes ekonomike. Për shembull, produktiviteti në Britaninë e Madhe në vitin 1979  ngecte për 17% nga ai në Francë dhe 18%  në raport me atë në Gjermani. A ka arritur Britania e Madhe t’i arrijë ato pas katër dekadash të aplikimit të politikave tatimore nga teoria e shpërndarjes dhe masave selektive të derregullimit (të cilat në Francë as që ishin)? Jo. Franca ende sete para saj për 18%, ndërsa Gjermania për 17%.

Nga kjo perspektivë historike, sulmet ndaj Liz Truss janë pothuajse të pamerituara. Natyrisht, nuk ka dyshim se kryeministrja e re dhe ministri i saj i financave gabuan në mënyrë monumentale. Ama nuk është e ndershme që kritikët ia atribuojnë asaj të gjitha mëkatet e modelit të vjetër afarist që e frymëzoi Margaret Thatcher, Tony Blair e adaptoi dhe Osborne mbështeti, kurse Brexiti e minoi, ndërsa Boris Johnson e shpërfilli. Kryeministrja e re bëri një gabim fillestar kur u përpoq të mposhte Rishi Sunakun (duke hedhur poshtë njëkohësisht planin e Johnsonit për zhvillimin e rajoneve të pazhvilluara) duke zgjedhur për vete rolin… Thatcher. Mjerisht, ndryshe nga Thatcheri, ajo nuk ka akses në pronën shtetërore për të pompuar atë në sektorin financiar, kurse Banka e Anglisë druan shumë nga inflacioni që të shtyp para të tjera për vazhdimin e financializimit. Truss po përçapet të bëjë të pamundurën: të jetë Reagan pa mbështetjen e dollarit të fuqishëm.

Problemi me idetë që refuzojnë të shuhen është se ato frymëzojnë ide të tjera zombi. Tashmë ka indikacione se Kwarteng në vend që të likuidojë ekonominë zombi të shpërndarjes, do të ringjallë masat zombi të kursimit. Duke injoruar faktin se lehtësimet tatimore për të pasurit nuk gjenerojnë rritje ekonomike dhe se deri tani politikat e zbatuara të kursimit askund nuk e kanë ndalur rritjen e borxhit publik, Mbretëria e Bashkuar është e dënuar të bashkëjetojë me zombytë edhe për dy vjet të tjera.

Lajmi i mirë është se programi ekonomik i kryeministres së re praktikisht garanton humbjen e toristëve në zgjedhjet e ardhshme. Çfarë do të ndodhë atëherë? A kanë Laburistët një plan si t’i japin fund guximit të ndjellakeq të përvetësimit të pasurisë në favor të Qytetit, nën kujdestarinë e shtetit? Nga kjo varet e ardhmja e Mbretërisë së Bashkuar dhe çdo shpresë për evitimin e dëmit të panevojshëm të shkaktuar gjatë katër dekadave të kaluara.

*Analiza është marrë nga: www. pescanik.net

Të fundit