Kanë dështuar të futen në Parlamentin bullgar partitë që më shumë kanë përdorur çështjen e historisë dhe gjuhës me Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave fillestare, VMRO-BND dhe ITN, dy parti populiste që shënuan ngritje apo ishin pjesë e koalicioneve qeverisëse në të kaluarën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës nuk arritën të kalojnë pragun e 4% të votave të grumbulluara, i nevojshëm për të marrë ulëse në Parlament, raporton kdpolitik.com.
Nën pragun e kërkuar për të hyrë në parlament mbeten partia ITN (Ka një popull të tillë) me mbështetjen e 3,83 për qind (95.842 vota), “Çohu, Bullgari” – me 1.01 për qind (25.180 vota) dhe “VMRO – BND” ka miratimin prej 0.81 për qind, ose 20.168 vota.
Sipas agjencisë bullgare të lajmeve, me 99.91 për qind të protokolleve sektoriale të përpunuara, koalicioni GERB-SDS me 25.34 për qind (634.245 vota) është përpara koalicionit “Vazhdojmë me ndryshimine”, i cili merr 20.20 për qind ose 505.569 vota. Kështu tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të orës 10:00.
Sipas të dhënave në parlament hyjnë shtatë formacione politike. “Lëvizja për të Drejta dhe Liri – DPS” renditet e treta me 13.75 për qind, ose 344.012 vota. E katërta është partia pro-ruse “Vazrazhdane” me 10,17 për qind (254,426 vota). Pas tyre vijnë “BSP për Bullgarinë” me 9,30 për qind (232,839 vota), “Bullgaria Demokratike – Bashkimi” – me 7,45 për qind (186,353 vota) dhe “Ngritja Bullgare” me 4,63 për qind (115,791 vota).
87.553 persona zgjodhën opsionin “Nuk mbështes askënd”.
RRITET MBËSHTETJA E PARTISË PRO-RUSE
Partia pro-Ruse Vazrazhdane hyn në parlamentin e ri duke dyfishuar votat në krahasim me zgjedhjet e nëntorit 2021, ndërsa ish-partia në pushtet, “Vazhdojmë me ndryshime”, ka humbur një të katërtën e mbështetjes që mori vitin e kaluar. Me ITN (Ka një popull të tillë), rënia është rreth 60 për qind e votave për partinë në nëntor. GERB, DPS dhe “Bullgaria Demokratike” po rriten, por jo në mënyrë drastike, ndërsa BSP vazhdon tendencën e tkurrjes së mbështetjes.
Këtë e tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me afro 100% protokolle të përpunuara nga komisionet sektoriale.
Më 2 tetor, 254.426 persona votuan për Vazrazhdane (Rilindja) e Kostadin Kostadinov, i cili do të ketë grupin e katërt më të madh në parlamentin e ri. Krahasuar me korrikun 2021, rezultati i saj është trefishuar dhe sipas sociologëve, partia pro-ruse kishte potencial edhe më të madh, por lufta e Kremlinit në Ukrainë dhe mobilizimi i shpallur nga Presidenti Vladimir Putin kanë zhgënjyer disa nga votuesit e saj të mundshëm. Të dhënat tregojnë një fluks votash për “Vazrazhdane” si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
BIE MBËSHTETJA PËR PARTINË E KIRIL PETKOV
“Vazhdojmë ndryshimin” ka humbur afro 170 mijë vota dhe i mbyll zgjedhjet me pak më shumë se 500 mijë vota kundrejt mbi 670 mijë në nëntor, kur ishte forca e parë politike. Partia ka më shumë se 13 mijë vota më pak nga vota jashtë vendit se herën e kaluar, megjithëse mbetet e dyta për nga rezultatet jashtë vendit.
Fituesi GERB rikuperoi një pjesë të votave të humbura në zgjedhjet e mëparshme dhe e rriti mbështetjen e saj në pak më shumë se 630 mijë vota krahasuar me më pak se 600 mijë vota në nëntor 2021.