Mospajtimet brenda BDI-së kanë vazhduar edhe pas takimit të liderit të saj, Ali Ahmeti, me strukturat e degëve të Çairit dhe Sarajit, krerët e të cilave bashkë me ish-zv/kryeministrin Musa Xhaferib përbëjnë të ashtuquajturin “Grupi i Zjarrit”, raporton KDPOLITIK.COM.
Me deklarata të forta sot janë paraqitur përfaqësues të të dyja taboreve, duke paralajmëruar një periudhë të nxehtë brenda partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërkomunitetesh, Artan Grubi, emri i të cilit u apostrofua në letrën publike të Grupit të Zjarrit si funksionar që duhet të dorëhiqet, ka thënë sot se BDI mund të funksionojë edhe pa të.
“Jo vetëm BDI-ja, çdo parti politike, çdo institucion, çdo proces shoqëror mund të bëjë pa të gjithë. Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Por ne jemi në momente vendimtare, ju thashë, dhe mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë për të kapërcyer të gjitha krizat me të cilat po përballemi dhe të kontribuojmë në realizimin me sukses të të gjitha projekteve”, tha Grubi pas manifestimit “Mbrojtja civile ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve”, organizuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Ai tha se “të gjitha arritjet e BDI-së mbajnë nënshkrimin e të gjithëve nga viti 2002 deri në vitin 2022”.
Grubi mohon të ketë përçarje në BDI. “Në BDI nuk ka përçarje, takimet i keni parë dje, të gjithë janë pas Ali Ahmetit”, tha Grubi, duke shtuar se “Ali Ahmetit i duhet populli, populli ka nevojë për Ali Ahmetin”.
“BDI është stabile. Në një kohë kur po përballemi me një krizë energjie dhe çmimesh, me procesin e skriningut dhe vettingut që është më se i nevojshëm në politikë, mes politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, si dhe me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kur përballemi me skriningun dhe nevoja e hapjes së Kushtetutës me 80 deputetë, kur do të përfundojmë rrugën nga Shkupi në Tiranë me autostradë, nga Shkupi në Prishtinë me autostradë, kur të përfundojmë të gjitha këto projekte, nuk kemi nevojë për defokusime të panevojshme”, vlerësoi Grubi.
Nga ana tjetër, për herë të parë me deklaratë është paraqitur edhe Musa Xhaferi, i cili llogaritet si drejtues i Grupit të Zjarrit.
Në një deklaratë për “Sloboden Pechat”, Xhaferi tha se problemet dhe kërkesat politike në parti nuk mund të zgjidhet me disa takime me degë dhe kështu të zbehet pakënaqësia.
“Artan Grubi, të paktën nëse i dëgjon pakënaqësitë në parti, të largohet nga postet e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Sistemit Politik. Përveç tij, edhe ministra të tjerë duhet të japin dorëheqje nga postet e tyre ose të zëvendësohen nga Ahmeti. Përndryshe do të ketë luftë politike në BDI. Nëse Ahmeti mendon se kjo mund të zvarritet me takime me degë dhe të zgjasë me muaj, nëse mendon se mund të na mashtrojë, e ka gabim sepse kështu nuk do të zgjidhen problemet. Problemet dhe kërkesat politike në parti nuk mund të zgjidhen me takime me anëtarë të degëve”, ka thënë Xhaferi.
Ndryshe, pakënaqësitë në BDI kanë filluar që nga viti 2020, kur Zv/Kryeministri i Parë i vendit u propozua Artan Grubi. Degët e Sarajit dhe Shkupit, si dhe një pjesë e degës së Kërçovës i kundërshtan zgjedhjet kadrovike për qeverinë e re, duke theksuar se janë bërë pa pëlqimin e bazës.