E hënë, 28 Prill, 2025

JETA STUDENTORE ME MUNGESA TË SHUMTA

Jeta studentore në Maqedoninë e Veriut po përballet me mungesa të shumta, të cilat adresohen nga përfaqësuesit e studentëve në universitetet e vendit. Sipas kryetarëve të kuvendeve studentore studentëve iu mungojnë shumë gjëra. Ndër mungesat kryesore, ata theksojnë mungesën e bibliotekave publike, qendrave të mirëfillta të karrierës, ndërkohë që një problem tjetër mbeten edhe vendet e kufizuara në konvikte. Një problem tjetër që theksohet është edhe mungesa e transportit publik edhe për studentët e universiteteve private dhe publiko-private.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Jeta studentore kuptohet ndryshe derisa e përjeton. Ajo ka gjërat e saja pozitive e negative. Por, kjo periudhë që është më e rëndësishmja për çdo individ që vendos të vazhdojë shkollimin e  lartë, ngërthen shumë faktorë, rrethana dhe përjetime. Sipas perceptimit të studentëve dhe përfaqësueseve të tyre, kryetarëve të Kuvendeve studentore, studentëve të vendit tonë u mungojnë shumë gjëra. Ndër mungesat kryesore të tyre, siç shprehen ata është edhe mos pasja e bibliotekave publike, qendrave të mirëfillta të karrierës dhe vende të kufizuara nëpër konvikte.

Ndërkaq, si kërkesë kryesore ata theksojnë, mundësinë që  edhe studentët që studiojnë nëpër universitete private të kenë transport publik falas, ashtu sikurse ata që studiojnë nëpër universitete publike.

Kryetari i Kuvendit studentor të Universitetit “Nënë Tereza”, Abdulselam Kamberi thotë se jeta studentore në Shkup është shumë e varfër, ndërkaq shton se i mungojnë shumë aktivitete sportive, kulturore dhe edukative.

“Jetën studentore në Shkup e konsideroj se nuk është shumë e pasur, i mungojnë aktivitete të shumta kulturore dhe artistike për studentët. Gjithashtu mungojnë edhe aktivitete të shumta në sferën e sportit. Ka nevojë për një organizim më të mirë në dobi të studentëve për të organizuar një jetë më të mire studentore. Studentët kanë mungesa të shumta një ndër to është edhe mungesa e konvikteve edhe ato konvikte që ekzistojnë nuk kanë kushte adekuate për jetë studentore, nuk kanë leximore adekuate. Gjithashtu ka ankesa se nuk ekzistojnë klube kulturore, të sportit, edukative”, thekson Kamberi.

Ndërkaq, ai kërkon kushte më të mira për studentët dhe lejimin e sesioneve më të shpeshta të provimeve.

Ndërsa kryetari i Kuvendit studentor të Universitetit të Europës Juglindore Agron Demiri thekson se kërkesa kryesore e studentëve është mundësia e shfrytëzimit të transportit publik falas.

“Kur jemi te kërkesat e studentëve, mund të përmendim shumë por të gjitha tejkalohen dhe zgjidhen në bazë të mundësive, por do përmend një kërkesë e cila as edhe sot nuk mund të gjejmë përgjigje nga një kryetare e qytetit të Shkupit në lidhje me transportin publik për studentët e universiteteve private, dhe ato publike-private që janë edhe studentët tanë, arrijnë deri në atë nivel që inspektorët nga autoritetet lokale, edhe i gjobitin studentët se vetëm e kanë statusin student në universitet privat, kjo është çmenduri” , thekson Demiri.

Përndryshe, jemi në prag të nisjes së vitit të ri akademik. Ndërkaq, nuk duhet harruar fakti se edhe këtë vit të ri akademik, studentët e Universitetit “Nënë Tereza”, do të vazhdojnë mësimin në objektet e tyre të përkohshme të shpërndara në disa lokacione.

 

Të fundit