E premte, 24 Janar, 2025

A RREZIKOHET SHUMICA PARLAMENTARE?

Kjo javë ka shënuar zhvillime të reja politike, sidomos pas letrës të të ashtuquajturit “Grup i zjarrit” drejtuar lider të BDI-së Ali Ahmeti. Ndërkohë në opinion është shtruar çështja e rrëzimit të qeverisë. Kryeministri Kovaçevski ka theksuar se nuk ka rrezik për humbjen e shumicës në parlament. Ndërkaq, Arben Taravarit, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ka theksuar se nëse do të ketë një ofertë për përfshirje në qeveri ASH-ja do ta shqyrtojë. Analistët politikë kanë theksuar se realisht nuk rrezikohet qeveria

Shkruan: Enis Shaqiri

Grupi i përbërë nga dy deputetë, dhe 18 zyrtarë të tjerë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, që gjatë vikendit i dërguan letër kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, për të vepruar siç thonë ata, “në drejtim të çlirimit të partisë nga individë të caktuar”, lanë të kuptohet në opinion se mund të pritet një ndarje përfundimtare me bashkëpartiakët e tjerë të këtij subjekti politik.

Ndërkaq, deklarata e së hënës e Arben Taravarit, në cilësinë e ushtruesit të detyrës të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët se mbetet i hapur për mundësinë e përfshirjes së kësaj partie në koalicionin qeverisës, ende më shumë e forcon dilemën për një spostim të mundshëm të dy deputetëve nga radhët e të ashtuquajturit “Grup i zjarrit”

Deri tani nuk kemi biesduar për diçka të tillë, tani jemi fokusuar te riorganizimi i partisë. Ne jemi kryesisht në terren dhe flasim, dëgjojmë aktivistët dhe simpatizantët. Ne nuk kemi diskutuar kushtet e hyrjes apo daljes. Ne nuk kemi qenë në Qeveri, kështu që as nuk e kemi menduar, por do të shohim, do të hetojmë nëse do të ketë një ofertë të tillë. Nuk kemi marrë ofertë deri më tani,” ka deklaruar Taravari mbi pyetjen se a mund të hyjë ASH-ja në pushtetin ekzekutiv.

Në ndërkohë, deputeti nga radhët e ASH-së, Syrija Rashidi nuk e ka komentuar deklaratën e ushtruesit të detyrës, Arben Taravarit, në lidhje me hyrjen e ASH-së në Qeveri.

Aleanca për Shqiptarët vazhdon të veprojë si opozitë. Partia nuk ka diskutuar për hyrje të mundshme në qeveri, nëse diçka merret si ofertë, organet partiake mund ta diskutojnë dhe ta shqyrtojnë. Përderisa nuk ka një gjë të tillë, është spekulim i pastër,” tha Rashidi.

Qeveria ka një shumicë të ngushtë pa dy deputetët e BDI-së, Izet Mexhitin dhe Merita Koxhaxhikun. Mes tjerash, vlen të theksohet se sa mund të llogarisë LSDM-ja, Dime Velkovin të besueshëm, i cili është kundër propozimit francez, duke numëruar edhe pakënaqësitë e partive të tjera më të vogla në qeveri.

Përkundër këtyre fakteve, Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk ndjen rrezik për shumicën parlamentare.

Sipas tij shumica është stabile. “Nuk ka rrezik të humbasim shumicën në Kuvend”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski

Ndërkohë,  “ Grupi zjarrit” nga BDI kanë bërë të ditur se betejën e filluar do ta udhëheqin edhe institucionalisht, përmes interpelancave për të gjithë ministrat nga BDI, duke e ritheksuar edhe njëherë se nuk janë kundër liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, por qëllimi i tyre është siç thonë ata, që të shpëtohet BDI.

BDI po fundoset”. Synimi është që të ndalohet rënia e BDI-së, sepse kështu po shkojmë në drenazh. Pas disfatës në zgjedhjet lokale në Tetovë, nuk duhet të lejojmë humbje të reja. Zona e gjashtë zgjedhore jep gjysmën e deputetëve shqiptarë dhe nëse nuk e ke komunën i humb zgjedhjet. Ne nuk jemi kundër Ali Ahmetit, përkundrazi, duam që ai të mbetet lider, por jo të jetë një lider formal, ndërsa partinë ta udhëheqë Artan Grubi. Kërkojmë që të zëvendësohen të gjithë ministrat me Grubin në krye, dhe përmes organeve të partisë të zgjidhen ministra që do të kenë legjitimitet, sepse këta aktualët nuk e kanë mbështetjen nga baza. Ne nuk kërkojmë pozita apo funksione, por që ministrat të jenë ata që i sollën votat dhe fitoren e BDI-së. Gjatë zgjedhjes së ministrave i kërkojmë liderit Ahmetit që të konsultohet me organet partiake, me ne, e jo t’i zgjedhë nëpër kafene dhe çështjet e rëndësishme politike t`i bartin rrethi i ngushtë i personave  pa asnjë debat Brenda partiak”, ka theksuar njëri nga nënshkruesit e letrës.

Analisti politik Albert Musliu, ditë më parë për REL ka deklaruar se shumica vihet para sfidës për sigurimin e numrave, ndërsa jo edhe rënia e Qeverisë.

Në aspektin teorik çdo gjë mund të ndodhë. Por, rënia e Qeverisë është më pak e besueshme për shkak se edhe ky grup i pakënaqur nuk e ka për qëllim rrëzimin e Qeverisë, por organizimin më efikas të partisë së tyre në aspektin ideologjik. Kështu që mendoj se realisht nuk rrezikohet Qeveria nga rrëzimi”, ka thënë Musliu.

Të fundit