Sa është e arritshme kjo? Siç qëndrojnë tani punët, kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë. Problemi qëndron më shumë nëse autoritetet ruse do të pajtohen me këtë plan, pasi kanë ndikim jo të vogël mbi një numër jo të vogël politikanësh që do të duhej të ishin pjesë e lëvizjes për shpëtimin e Serbisë, sepse kjo natyrisht implikon edhe politikën ndaj Kosovës. U mor vesh, këtu është edhe ndikimi në publik.
Shkruan: VLADIMIR GLIGOROV*
Cili mund të jetë kuptimi politik i krijimit të lëvizjes së paralajmëruar për Serbinë? Me sa shoh unë, janë tre objektiva.
Njëri është që të përforcohet sistemit njëpartiak. Qëllimi nuk është aq shumë kooptimi i partive dhe grupeve që përndryshe mbështesin retorikën nacionaliste të progresistëve, por izolimi si “jopatriotët, autoshovinistët, vetëmohuesit” dhe shkurt “tradhtarët”, ata që do të ofronin një program opozitar, kryesisht ata që janë më liberalë edhe në politikën e brendshme edhe në atë ndërkombëtare.
Qëllimi i dytë është që Vuçiq të çlirohet nga lidhja me partinë e tij dhe të ngritet, edhe institucionalisht, në prijës popullor. Kështu shmangen jo vetëm ankesat se ai sundon si prijës partie, e jo si president dhe në fakt sundimtar në emër të një partie. Si prijës i lëvizjes, zoti Vuçiq do të mund të vendoste në ballë të partisë së tij këdo që institucionalisht do të ishte edhe më tej në varësi të prijësit të lëvizjes dhe presidentit të shtetit.
Qëllimi i tretë mund të jetë përgatitja e ndryshimit të kushtetutës me çka do të mundësohej që zoti Vuçiq të zgjidhet president edhe pas skadimit të mandatit të dytë. Kjo do të arsyetohej me qëllimin e shpëtimit të Serbisë.
Sa është e arritshme kjo? Siç qëndrojnë tani punët, kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë. Problemi qëndron më shumë nëse autoritetet ruse do të pajtohen me këtë plan, pasi kanë ndikim jo të vogël mbi një numër jo të vogël politikanësh që do të duhej të ishin pjesë e lëvizjes për shpëtimin e Serbisë, sepse kjo natyrisht implikon edhe politikën ndaj Kosovës. U mor vesh, këtu është edhe ndikimi në publik.
Në thelb, ideja është e ngjashme me strategjinë e Putinit për të përqendruar pushtetin dhe për të hequr kufirin kohor për kohëzgjatjen e qeverisjes.
Pasiguritë nuk mungojnë. Zakonisht autokratëve dhe lëvizjeve të tyre u konvenon rritja e rreziqeve të jashtme për kontrollin më të lehtë të konkurrentëve të brendshëm, kështu që tani është koha. Më vonë punët mund të ndryshojnë, varësisht se si do të zhvillohen sidomos pasiguritë e jashtme.
Sa u përket pengesave të brendshme, është pak e besueshme se ato do të jenë të rëndësishme. Publiku përgjithësisht është i bindur se Serbia është në rrezik, kurse partitë opozitare nuk dinë si t’i kundërvehen kësaj as me retorikë e as politikisht. Prandaj, sërish, shumë do të varen nga vendimet që do ti marrin të tjerët, në perëndim dhe në lindje.
*Shkrimi është marrë nga: pescanik.net